Papa dënon sulmin në Sidnei: "Një akt dhune i pakuptimtë"
R.SH. / Vatikan
Një "akt dhune i pakuptimtë". Me këto fjalë Papa Leone XIV dënon "sulmin e tmerrshëm" që ndodhi dje në Sidnei, i cili shkaktoi vdekjen e anëtarëve të komunitetit hebraik të mbledhur për festimin e Hanukkah-s në plazhin e Bondi Beach. Pas denoncimit të këtij mëngjesi, gjatë audiencës me dhuruesit e pemës dhe grazhdit të Lindjes së Jezusit që vendoset në Sheshin e Shën Pjetrit, me apelin për të ndalur çdo formë të "dhunës antisemite", Papa Leoni XIV dërgon një telegram ngushëllimi, të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinali Pietro Parolin, drejtuar Kryeipeshkvit të Sidneit, Anthony Fisher, në të cilin shprehet "thellësisht i pikëlluar" për këtë masakër të ndodhur gjatë festës hebraike të Hanukkah-s.
Sulmi u krye nga dy sulmues – një baba me djalin e tij – njëri prej të cilëve u ndalua me heroizëm nga një civil, me fe myslimane, pronar i një dyqani frutash në periferi të Sutherland, i cili e çarmatosi burrin me duar të zhveshura. Njëri nga autorët u vra më pas nga policia që ndërhyri shpejt në plazh. Deri tani numërohen pesëmbëdhjetë viktima, dhe rreth tridhjetë të plagosur.
Lutja për të plagosurit
Për ata, që janë "të goditur nga ky akt i panevojshëm dhune", Papa Leoni shpreh "afërsinë shpirtërore". Dhe "me shpresë të ripërtërirë" kërkon që ata "që tundohen nga dhuna të kthehen dhe të kërkojnë rrugën e paqes dhe solidaritetit".
Në telegram, Papa Leoni XIV siguron lutjen e tij "për shërimin e atyre që janë të plagosur" dhe "për ngushëllimin e atyre që vajtojnë humbjen e një të dashuri"; në fund Papa dërgon "bekimet hyjnore të paqes dhe forcës mbi të gjithë australianët".
Mesazhi i Kryepeshkopit Fisher
Vetë Kryeipeshkvi Fisher, të nesërmen e të shtënave, ka shpërndarë një deklaratë në të cilën dënon këtë sulm si një "përçmim të guximshëm dhe të pamëshirshëm për jetën njerëzore", duke e quajtur urrejtjen e disa njerëzve ndaj të gjithë hebrenjve një "të keqe të papërshkrueshme që duhet të refuzohet nga çdo australian". Ajo është "një fyerje ndaj stilit tonë të jetesës si australianë" dhe "duhet të dënohet në mënyrë të paekuivokueshme", pohon prelati, duke kërkuar që të bëhet "drejtësi për viktimat" shpejt. Ky sulm, thekson më tej imzot Fisher, "duhet të çojë në një ndryshim", sepse në dy vitet e fundit është përhapur një klimë antisemitizmi publik që ka çuar në frikësime, ndarje, manifestime dhe "në normalizimin e një gjuhe nxitëse". Këto veprime "e kanë rritur temperaturën dhe ndoshta kanë kontribuar në radikalizim". E gjithë kjo, për Kryeipeshkvin e Sidneit, "duhet të përfundojë".
Një sfidë për katolikët
Në mes të tragjedisë, Kryeipeshkvi vëren megjithatë "gjurmë mirësie" në "kurajon e jashtëzakonshme të policisë, punonjësve të ambulancës dhe shpëtimtarëve, si dhe të kalimtarëve; dhe në bujarinë e shpirtit të atyre që ofruan ndihmë për njerëzit e prekur". Ai ka shprehur ngushëllimet e tij më të ndjera për të gjithë komunitetin hebraik dhe ka siguruar lutjet e tij. "Ne i duam fqinjët dhe miqtë tanë hebrenj dhe duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për t'i mbrojtur ata", përfundon Kryeipeshkvi i Sidneit, i cili siguron: "Komuniteti katolik do të dyfishojë përpjekjet e tij për të luftuar antisemitizmin përmes edukimit dhe predikimit". Ndërkohë, komuniteti katolik i Sidneit siguron shërbime edukative dhe këshillimore për fqinjët hebrenj, duke vazhduar të kremtojë shërbesa fetare për të vdekurit, të plagosurit dhe ata që kanë mbetur të traumatizuar nga kjo dramë.
