Statuja e Virgjërës Mari në piazza di spagna në Romë Statuja e Virgjërës Mari në piazza di spagna në Romë

Papa do të nderojë Zojën e Papërlyer në Sheshin e Spanjës, më 8 dhjetor

Të hënën e ardhshme, më 8 dhjetor, Papa Leoni XIV do të jetë në Sheshin romak Mignanelli në orën 16:00, për t'u lutur tek këmbët e kolonës, që mban shtatoren e Virgjërës Mari.

R.SH. / Vatikan

Tradita dhe përkushtimi janë të ndërthurura në homazhet për Zojën e Papërlyer, Virgjërën e Bekuar, me rastin e solemnitetit të festës që do të kremtohet të hënën, më 8 dhjetor. Qyteti i Romës dhe organizata të ndryshme do të luten dhe do të vendosin lule rrëzë shtatores  së Virgjërës Mari, në Sheshin romak Mignanelli. Edhe Papa Leoni XIV do ta kryejë aktin tradicional të përkushtimit ndaj Marisë.

Vitin e kaluar, më 8 dhjetor 2024, tek këmbët e Marisë u lut Papa Françesku, që ia besoi edhe Jubileun e ardhshëm. Ishte mesazh shprese për njerëzimin e dërmuar nga krizat e luftërat.

Ndërsa Papa Leoni XIV kthehet te Zoja Mari vetëm disa javë para përfundimit të Vitit Shenjt.

Mbërritja e Papës Leoni

Vikariati i Romës njoftoi në një deklaratë se, sipas traditës, të parët që do të vënë lule në shenjë nderimim në shtatoren e Zojës së Papërlyer do të jenë zjarrfikësit, për nderim të 220 kolegëve që e kremtuan të parët, më 8 dhjetor 1857. Në orën 7:00 të mëngjesit, do të ngjiten në majë të shtyllës për të vendosur kurorën e tyre me lule në krahun e Zojës Mari.

Në orën 4:00 pasdite, Papa do të mbërrijë dhe do të mirëpritet nga Kardinali Vikar i dioqezës së Romës, Baldo Reina dhe Kryetari i Bashkisë, Roberto Gualtieri. Do të ndalet në lutje tek këmbët e kolonës 12 metra e lartë, në majë të së cilës qëndron shtatorja e Zojës, dhe do të lërë aty një kurorë me lule.

Dita do të përfshijë një sërë ngjarjesh: në orën 8:30 të mëngjesit, Banda e Xhandarmërisë së Vatikanit do të interpretojë një himn për Zojën Mari. Pastaj do të vijojnë famullia romake e Sant'Andrea delle Fratte, Urdhri Sovran i Maltës, Legio Mariae, Circolo S. Pietro, Fondacioni Don Gnocchi, UNITALSI dhe disa shkolla.

Në orën 9:00 të paradites, Mesha do të kremtohet në Kishën e Trinità dei Monti, në Romë, e kryesuar nga Imzot Francesco Pesce, përfaqësues dioqezan të Romës për kujdesin baritor social dhe të punës, në praninë e punonjësve nga disa kompani romake.

Nënditëshi për Marinë Virgjër

Ditës do t’i prijnë Fretërit e Vegjël të Bazilikës së Dymbëdhjetë Apostujve. Ndër të tjera, Kisha pret nëntëditshen më të vjetër në Romë, kushtuar Zojës së Papërlyer.

Nga 29 nëntori deri më 7 dhjetor, Rruzarja dhe litanitë do të fillojnë çdo ditë në orën 17:45; pastaj, në orën 18:30, ndërsa Mesha do të fillojë me këngën "Tota Pulchra" - “Krejt e Dlirë” , një lutje e lashtë e krishterë drejtuar Marisë, nënës së Jezusit, që daton që nga shekulli i 4-të, kompozuar nga Frati i Vogël i Kuvendit, Alessandro Borroni.

Mesha e kremtuar nga Kardinajtë

Sot, 3 dhjetor, Mesha në Kishën e Dymbëdhjetë Apostujve kremtohet nga Kardinali Angel Fernandez Artime, Proprefekt i Dikasterit për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike.

Të enjten, më 4 dhjetor, do të kryesojë Kardinali Claudio Gugerotti, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Kishat Orientale;

të premten, më 5 dhjetor, do të kryesojë Kardinali Rolandas Makrickas, Kryeprift i Bazilikës Papnore të Shën Marisë së Madhe;

së fundmi, të shtunën, më 6 dhjetor, do të kremtojë Kardinali Marcello Semeraro, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve;

Të diel, më 7 dhjetor, mesha do të kremtohet nga Kardinali Mauro Gambetti, Vikar i Përgjithshëm i Shenjtërisë së Tij për Qytetin e Vatikanit.

Të hënën, më 8 dhjetor, kremtimi solemn eukaristik do të drejtohet nga Kardinali Leonardo Sandri, Prefekt Nderi i Dikasterit të Vatikanit për Kishat Lindore.

03 dhjetor 2025, 16:02