Papa largohet nga Libani: së bashku në udhën e vëllazërisë dhe angazhimin për paqe
R.SH. / Vatikan
"Të largohesh është më e vështirë sesa të arrish. Ne ishim bashkë, dhe në Liban, të qenit bashkë është ngjitëse: këtu gjeta një popull që nuk e do izolimin, por takimin. Kështu, nëse mbërritja do të thoshte të hyje në mënyrë delikate në kulturën tënde, largimi nga kjo tokë do të thotë të ju bart në zemër. Prandaj, nuk po e lëmë njëri-tjetrin, por pasi u takuam, do të ecim përpara së bashku. Dhe shpresojmë të përfshijmë të gjithë Lindjen e Mesme në këtë frymë vëllazërie dhe angazhimi për paqen, madje edhe ata që sot e konsiderojnë veten armiq". Këto ishin fjalët e Leonit XIV gjatë ceremonisë së lamtumirës nga Libani, që mbyllën etapën e dytë dhe të fundit të udhëtimit të parë apostolik të Papës në Turqi e Liban.
"Jam mirënjohës për ditët e kaluara me ju dhe gëzohem që kam mundur të realizoj dëshirën e Paraardhësit tim të dashur, Papa Françeskut, i cili do të kishte dashur aq shumë të ishte këtu. Ai, në të vërtetë, është me ne, duke ecur me ne së bashku me dëshmitarë të tjerë të Ungjillit", shtoi Papa Leoni XIV, i cili vazhdoi: "Zemra ime u prek nga vizita e shkurtër në portin e Bejrutit, ku shpërthimi shkatërroi jo vetëm një vend, por kaq shumë jetë njerëzish. U luta për të gjitha viktimat dhe mbaj me vete dhimbjen dhe etjen për të vërtetën dhe drejtësinë e kaq shumë familjeve, të një vendi të tërë.
Në këto pak ditë, kam takuar shumë fytyra dhe kam shtrënguar shumë duar, duke marrë nga ky kontakt fizik dhe i brendshëm një energji shprese. Ju jeni të fortë si kedrat, pemët e maleve tuaja të bukura dhe plot fruta si ullinjtë që rriten në fusha, në jug dhe pranë detit. Në këtë drejtim, përshëndes të gjitha rajonet e Libanit që nuk ishte e mundur të vizitoheshin: Tripoli dhe veriu, Beqa dhe jugu i vendit, i cili, në veçanti, po përjeton një situatë konflikti dhe pasigurie. Të gjithë ju përqafimi im dhe urimi im për paqe".
