Në heshtje dhe me krahë hapur, Papa lutet në portin e Bejrutit

Papa, i pritur nga Kryeministri Libanit, u ndal shkurtimisht në lutje para monumentit në përkujtim të viktimave të shpërthimit, rrëzë të të cilit vendosi një kurorë dhe ndezi një qiri, e më pas bekoi vendin.

R.SH. / Vatikan

Sot në ditën e fundit të shtegtimit apostolik në Liban, pasi vizitoi spitalin de la Croix, Papa mbërriti në Portin e Bejrutit për t'u lutur në vendin e shpërthimit të dyfishtë që vrau mbi 200 persona më 4 gusht 2020. 7.000 persona u plagosën dhe afërsisht 300.000 u zhvendosën. Sipas ekspertëve, shpërthimi që ndodhi në vitin 2020 në Portin e Bejrutit ishte një nga shpërthimet më të fuqishme jo-bërthamore në historinë e njerëzimit.

Ngjarja mbetet një mister: asnjë hetim nuk ka hedhur dritë mbi shkaqet e sakta të kësaj tragjedie të madhe. Në muajt e fundit, dita e kësaj tragjedie, 4 gushti, është shpallur ditë zie kombëtare në Liban, dhe një rrugë e kryeqytetit është emëruar sipas viktimave të 4 gushtit 2020 dhe vendi i shpërthimit është shpallur si një vend me rëndësi historike.

Një heshtje elokuente, që flet më shumë se fjalët. Kjo është ajo që karakterizoi lutjen e heshtur të Papës në vendin e shpërthimit të dyfishtë në Portin e Bejrutit, shpërthimi më i madh jo-bërthamor në histori, i cili shkaktoi 220 të vdekur. Një traumë për popullin libanez, i cili, pesë vjet pas atij 4 gushti 2020, ende nuk e di të vërtetën për ngjarjen tragjike dhe kërkon drejtësi.

Leoni XIV, i pritur nga kryeministri i Libanit, ndaloi shkurt për një moment lutjeje, në heshtje, para monumentit që përkujton viktimat e shpërthimit, në këmbët e të cilit vendosi një kurorë dhe ndezi një qiri, pastaj bekoi vendin. Në fund të përkujtimit, Papa përshëndeti disa të afërm të viktimave dhe disa të mbijetuar nga shpërthimi.

02 dhjetor 2025, 12:05