"Dhimbje e thellë" e Papës për katastrofën hekurudhore në Spanjë
R.SH. / Vatikan
Pasi mori lajmin për aksidentin hekurudhor në Spanjë, pranë Kordobës, që shkaktoi dje, 18 janar, vdekjen e rreth dyzet vetëve, Papa Leoni XIV u shprehu "ngushëllimin e tij të sinqertë" familjeve të viktimave, si dhe urimet për shërim të shpejtë dhjetëra të plagosurve.
Telegrami i nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin, i drejtohej Imzot Luis Javier Argüello García, Kryeipeshkëv i Valladolidit dhe kryetar i Konferencës ipeshkvnore spanjolle.
Papa lutet për viktimat dhe familjet e tyre
"Thellësisht i trishtuar", Papa siguroi se “lutet për pushimin e pasour dhe dritën e pambaruar të të ndjerëve". E së fundi, i inkurajoi ekipet e emergjencës "të këmbëngulin në përpjekjet e tyre të shpëtimit dhe të ndihmës", duke u dhënë edhe "bekimin e tij apostolik" të gjithëve, me ndërmjetësimin e Zojës del Pilar, Pajtore e Spanjës, "si shenjë shprese në Zotin e ringjallur".
Dalja nga shinat e dy trenave me shpejtësi të madhe
Dy trena me shpejtësi të madhe në linjën Madrid-Andaluzi dolën nga shinat mbrëmë, në orën 7.39, në qytetin andaluzian Adamuz. Treni Iryo, që udhëtonte nga Malaga - në Madrid, me 317 udhëtarë, u përplas me trenin që udhëtonte në drejtim të kundërt, nga Madridi në Huelva, me mbi 200 vetë. Të paktën dy ose tre vagonë ranë në një argjinaturë pesë metrash, duke e penguar reagimin e zjarrfikësve. Ndërmjet hamendjeve lidhur me shkakun e katastrofës së trenit, ishte lirimi i një nyjeje, që krijoi boshllëk ndërmjet dy seksioneve të shinave e gradualisht u zgjerua, ndërsa trenat kalonin, deri në aksident.
