Motrat Misionare të Bamirësisë themeluar  nga  Shën Nënë Tereza Motrat Misionare të Bamirësisë themeluar nga Shën Nënë Tereza

Dita Botërore e Misionit, Papa: Asnjë i pagëzuar nuk është i huaj ose shpërfillës i misionit që ka

Në mesazhin e tij për 100-vjetorin e kremtimit mbarëbotëror të Ditës së misionit, Papa Leoni XIV kujton gjendjen e tashme ku ka «polarizime», «konflikte» dhe «mosbesim të ndërsjellë», duke nxitur një lloj bashkimi që nuk duhet të kuptohet si «uniformitet», por si konvergjencë në të cilën kulturat e ndryshme shprehen «tek i njëjti besim».

R.Sh. Vatikan

Konfliktet që përshkojnë kohën tonë, së bashku me «mosbesimin e ndërsjellë» në rritje, ravijëzojnë vija ndarëse të cilat dobësojnë dëshminë ungjillore. Në këto kushte, shpallja e Ungjillit kërkon para së gjithash zemra të paqëtuara dhe të pajtuara, në gjendje të ruajnë dhe të nxjerrin në dritë një bashkim që nuk është as uniformim dhe as një tërësi praktikash ose idesh, por një takim i gjallë: një takim që, në kultura të ndryshme, shprehet në harmoninë e një besimi të vetëm.

Rreth kësaj shprese, Papa Leoni XIV e mbështet mesazhin e tij për 100-vjetorin e Ditës Botërore të Misionit, themeluar një shekull më parë nga Piu XI dhe që do të kremtohet më 18 tetor. Tema e kësaj është: «Jemi një me Krishtin, të bashkuar në mision». Le të udhëhiqemi dhe të frymëzohemi nga hiri hyjnor, për të ripërtërirë brenda nesh zjarrin e thirrjes sonë misionare dhe për të përparuar së bashku në angazhimin tonë për ungjillëzim, në një epokë të re misionare në historinë e Kishës.

Krishterimi, nuk është një tërësi praktikash, por jetë në bashkim

Në thelb të misionit, Papa shquan «misterin e bashkimit me Krishtin». Me fjalët e Jezusit që i paraprijnë Mundimeve të Tij: «Që të gjithë të jenë një; ashtu si ti, Atë, je tek unë dhe unë te Ti, që edhe ata të jenë te Ne» – shpaloset dëshira përfundimtare e Krishtit dhe vetë identiteti i Kishës: «të jemi një bashkësi e lindur nga Trinia dhe e gjallë nga, dhe në Trini», në shërbim të vëllazërisë njerëzore dhe harmonisë me të gjitha krijesat.

Të jesh i krishterë nuk do të thotë të zbatosh disa rite ose ide: është një jetë në bashkim me Krishtin, në të cilën ne bëhemi pjesëmarrës sepse Ai jeton me Atin në Shpirtin e Shenjtë.

Zemra të pajtuara që dëshirojnë bashkimin

«Përgjegjësia kryesore e Kishës në mision qëndron pikërisht te ripërtëritja e bashkimit shpirtëror dhe vëllazëror midis anëtarëve të saj» – shkruan Papa.

Në shumë raste, ne dëshmojmë konflikte, polarizime, keqkuptime dhe mosbesim të ndërsjellë. Kur ndodh kështu edhe në bashkësitë tona, kjo gjë e dobëson dëshminë tonë. Misioni ungjillëzues, të cilin Krishti ua besoi dishepujve të tij, kërkon, mbi të gjitha, zemra të pajtuara dhe që dëshirojnë bashkimin.

Nga ky këndvështrim, shpresa drejtohet edhe drejt rritjes së angazhimit ekumenik midis Kishave të krishtera, duke shfrytëzuar mundësitë që na dha festimi i përbashkët i 1700-vjetorit të Koncilit të Nikesë.

Nuk ka ungjillëzim pa shpallur Jezusin.

Të jesh «një në Krishtin», shton Papa Leoni XIV, do të thotë gjithashtu ta ngulësh vështrimin tek Ai, ta vendosësh në qendër të jetës sonë individuale dhe komunitare, të bëhesh «gur i gjallë» i asaj Kishe që sot ka detyrën «të përqafojë kërkesat themelore të Koncilit të Dytë të Vatikanit dhe të magjisterit papnor që vijoi pas tij, veçanërisht atë të Papë Françeskut». Në këtë drejtim, Leoni XIV kujton nxitjen apostolike të Shën Palit VI, Evangelii nuntiandi, “Duke shpallur Ungjillin”:

Nuk ka ungjillizim të vërtetë nëse nuk shpallet emri, mësimi, jeta, premtimet, Mbretëria dhe misteri i Jezusit të Nazaretit, Birit të Zotit.

Misioni është i të gjithëve

Bashkimi që dëshirojmë nuk është qëllim në vetvete, por shkon drejt misionit. Te bashkimi, në fakt, pohon Papa, mesazhi ungjillor gjen formën e tij të plotë «komunikuese». Kjo është ajo që i Lumi Paolo Manna e pati përmbledhur me fjalët: «E gjithë Kisha për kthimin në fé të të gjithë botës», një parim që pati frymëzuar themelimin e Bashkimit Misionar Papnor në vitin 1916. Me rastin e 110-vjetorit të tij, Papa shpreh mirënjohje për angazhimin e këtij institucioni në «gjallërimin dhe formimin e frymës misionare» të meshtarëve, të personave të shuguruar dhe besimtarëve laikë, duke nxitur bashkimin e të gjitha forcave ungjillëzuese.

Në fakt, asnjë person i pagëzuar nuk është i huaj ose shpërfillës ndaj misionit: të gjithë, secili sipas thirrjes dhe rrethanave të jetës, merr pjesë në veprën e madhe që Krishti i beson Kishës së tij. Siç kujtonte vazhdimisht Papë Françesku, shpallja e Ungjillit është gjithmonë një veprim koral, i përbashkët, sinodal.

Bashkimi si pikë ku përmblidhen karizmat e ndryshme

Në këtë brazdë hyn edhe Misioni ungjillor. Të ruhet dhe të ushqehet përshpirtëria e bashkimit dhe e bashkëpunimit misionar. Me fjalë tjera, kjo do të thotë t’i shikosh të tjerët me «sytë e besimit», të njohësh mirësinë e frymëzuar tek ata nga Shpirti i Shenjtë, të mirëpresësh «diversitetin si pasuri, duke mbajtur barrën e njëri-tjetrit dhe duke kërkuar gjithmonë bashkimin që vjen nga lart». Është një përshpirtëri e përditshme që buron nga misioni mbarëbotëror i ungjillëzimit, i cili mundet të kapërcejë shkërmoqjen dhe përçarjen.

Uniteti misionar, sigurisht, nuk duhet të kuptohet si uniformim, por si një konvergjencë e karizmave të ndryshme për të njëjtin qëllim: ta bëjë dashurinë e Krishtit të dukshme dhe t’i ftojë të gjithë të takohen me Të. Ungjillëzimi arrihet kur bashkësitë vendore bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe kur dallimet kulturore, shpirtërore dhe liturgjike shprehen plotësisht dhe në harmoni tek i njëjti besim. Prandaj, i nxis institucionet dhe grupet kishtare të forcojnë ndjenjën e bashkësisë misionare kishtare dhe të zhvillojnë në mënyrë krijuese mënyra konkrete bashkëpunimi midis tyre për, dhe në mision.

Angazhimi i Veprave Misionare Papnore

Nuk mungojnë organizatat të cilat, gjatë gjithë historisë së tyre, e kanë nxitur këtë bashkim, duke filluar me Veprat Misionare Papnore. Shërbimi i tyre ndahet në katër degë: Përhapja e besimit, Fëmijëria misionare, Shën Pjetri apostull dhe Bashkimi misionar. Këto katër degë, Papa Leoni XIV i ka përjetuar vetë kur ishte ipeshkëv në mision në Peru.

Këto vazhdojnë të ushqejnë dhe të nxisin një «vetëdije misionare» të përbashkët, duke mbështetur një rrjet njerëzish që luten dhe bëjnë bamirësi, rrjet i cili lidh të gjithë botën. Në mënyrë domethënëse, kujton Papa, themeluesja e Shoqërisë për përhapjen e besimit, e Lumja Pauline Marie Jaricot, dha idenë për «Rruzaren e gjallë» dy shekuj më parë, e cila ende sot bashkon shumë besimtarë, madje edhe ata që jetojnë larg, në lutje për nevojat shpirtërore dhe misionare. Për më tepër, ishte pikërisht me nismën e kësaj organizate që u themelua Dita Botërore e Misionit njëqind vjet më parë, lëmoshët vjetore të së cilës shpërndahen, në emër të Papës, për nevojat e misioneve të Kishës.

Prandaj, të katër degët e Veprave Misionare, të marra së bashku dhe secila sipas veçantisë së saj, vazhdojnë të luajnë një rol të çmuar për të gjithë Kishën. Ato janë një shenjë e gjallë e bashkimit kishtar dhe e bashkësisë misionare. I ftoj të gjithë të bashkëpunojnë me to në një frymë mirënjohjeje.

Dashuria është zemra e ungjillëzimit

«Nëse bashkimi është kushti i misionit, dashuria është zemra e tij», shkruan Papa, duke shpjeguar se Lajmi i Mirë që duhet shpallur nuk është një ideal abstrakt, por «Ungjilli i dashurisë besnike të Zotit, mishëruar në fytyrën dhe jetën e Jezu Krishtit». Kjo thirrje është zgjatimi në Shpirtin e Shenjtë i misionit të vetë Krishtit, i cili lind nga dashuria, jetohet te dashuria dhe na çon drejt dashurisë. Nuk është rastësi që Jezusi e përfundon lutjen para Mundimeve të tij me fjalët: «Dashuria me të cilën më deshe, kjoftë tek ta, dhe unë tek ta».

Po kështu, përgjatë shekujve, të krishterë të panumërt – martirë, rrëfyestarë dhe misionarë – kanë dhënë jetën e tyre për ta bërë të njohur këtë dashuri hyjnore në botë. Kështu, misioni ungjillëzues i Kishës vazhdon nën udhëheqjen e Shpirtit të Shenjtë, Shpirtit të dashurisë, deri në fund të kohës.

Bota ka nevojë për dëshmitarë të guximshëm

Prandaj Papa u shpreh falenderimet e tij misionarëve dhe misionareve të sotme «ad gentes»  – domethënë atyre që shkojnë nëpër popuj e vende të tjera të cilët, ashtu si Shën Françesk Xavieri, kanë lënë atdheun, familjen dhe çdo siguri për të shpallur Ungjillin, duke e çuar Krishtin dhe dashurinë e tij «në vende që shpesh janë të vështira, të varfra, të plagosura nga lufta ose të largëta përsa i përket kulturës». Pavarësisht vështirësive dhe kufizimeve njerëzore, ata nuk reshtin kurrë së dhuruari veten me gëzim, duke dëshmuar me këmbënguljen e tyre se «dashuria e Zotit është më e fortë se çdo pengesë».

Bota ende ka nevojë për këta dëshmitarë të guximshëm të Krishtit, dhe bashkësitë kishtare ende kanë nevojë për thirrje të reja misionare, të cilat duhet t'i çmojmë gjithmonë dhe për të cilat duhet t'i lutemi vazhdimisht Atit. Na dhëntë Ai dhuratën e të rinjve dhe të rriturve të gatshëm të lënë gjithçka për të ndjekur Krishtin në rrugën e ungjillëzimit deri në skajet e tokës!

«Dashuria nuk dashurohet»

Nga lavdërimi i këtyre figurave, lind edhe thirrja e Papës drejtuar të gjithë bashkësisë kishtare:

U bashkofshim të gjithë me ta në misionin ungjillëzues përmes dëshmisë së jetës në Krishtin, lutjes dhe kontributit në misione.

Siç kujtoi Shën Françesku i Asizit, «Dashuria nuk është e dashur», dhe shembulli i tij, tetëqind vjet pas vdekjes së tij, vazhdon të na frymëzojë të jetojmë në dashurinë e Zotit dhe ta transmetojmë atë, sepse «duhet ta duam shumë Dashurinë e Atij që na deshi shumë» – shkruan më tej Ati i Shenjtë Prevost. Një tjetër shembull i shkëlqyer i treguar nga Papa është Shën Tereza e Jezusit Fëmijë, e cila shpresonte te vijimi i misionit të saj edhe pas vdekjes së saj, kur thoshte: «Në qiell do të dëshiroj të njëjtën gjë si në tokë: ta dua Jezusin dhe ta bëj të dashur».

Të frymëzuar nga këto dëshmi, le të angazhohemi të gjithë për të kontribuar, secili sipas thirrjes së vet dhe talenteve që kemi, në misionin e madh ungjillëzues, i cili është gjithmonë vepër e dashurisë.

Lutja me shkrim e Papës

Papa përfundon duke theksuar se çdo mbështetje konkrete që jepet në Ditën Botërore të Misioneve duhet të jetë «një veprim domethënës i bashkësisë misionare», dhe shpreh mirënjohje për gjithçka që do të bëhet, ashtu siç pati thënë edhe në mesazhin e tij video për përvjetorin e vitit 2025: «Më ndihmo të ndihmoj misionarët në çdo pjesë të botës».

Mesazhi i Papës Leonit XIV përfundon me një lutje:

«Atë i Shenjtë, na jep mundësinë të jemi një në Krishtin, të rrënjosur në dashurinë e tij që bashkon dhe ripërtërin. Kjofshin të gjithë anëtarët e Kishës të bashkuar në mision, të bindur ndaj Shpirtit të Shenjtë, të guximshëm në dëshminë e Ungjillit, duke shpallur dhe mishëruar çdo ditë dashurinë tënde besnike për çdo krijesë. Bekoji misionarët, mbështeti ata në mundin e tyre dhe mbroji ata në shpresë! Mari, Mbretëresha e Misioneve, shoqëro veprën tonë ungjillëzuese në çdo cep të tokës: na bëj vegël paqeje dhe e gjithë bota njohtë te Krishti dritën që shpëton! Ashtu kjoftë!

25 janar 2026, 14:08