Papa takohet me Delegacionin Ekumenik të Finlandës Papa takohet me Delegacionin Ekumenik të Finlandës

Leoni XIV finlandezëve: le të sjellim dritën së bashku aty ku ka tundim për t’u dëshpëruar

Në fjalimin drejtuar delegacionit ekumenik të vendit evropian, që mbërriti në Romë për festën e Shën Henriut, emrin e të cilit mban Katedralja e Helsinkit, Papa e vlerëson atë si një “model” të ekumenizmit. Ati i Shenjtë nënvizon gjithashtu vlerën e deklaratës trepalëshe ortodokse-luterane-katolike që promovon zhvillimin e kujdesit paliativ dhe asistencën në fund të jetës.

R.SH. / Vatikan

Urgjenca për të sjellë "dritën e Zotit" edhe në periferitë më të errëta të botës, ku tundimi na nxit shpesh t'i dorëzohemi "dëshpërimit", kalon edhe përmes qëllimit të përbashkët. Në këtë kuptim, Finlanda paraqitet si  "model" i vërtetë, siç e theksoi Papa Leoni XIV në fjalimin drejtuar delegacionit ekumenik, në Romë për të kremtuar festën e Shën Henrikut, emrin e të cilit e mban Katedralja finlandeze e Helsinkit.

Rrënja e vëllazërisë së krishterë

Papa Leoni XIV nënvizoi rastësinë domethënëse të vizitës, që ndodhi gjatë Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, tema e së cilës sivjet u shkëput nga Letra e Shën Palit drejtuar Efesianëve: “"Një i vetëm është korpi, një i vetëm Shpirti,  ashtu si e vetme është shpresa për të cilën ju thirri Zoti". Shpresë e rrënjosur në "një pagëzim të vetëm, për faljen e mëkateve", siç pohon Besojma e Nikesë, që përfaqëson "rrënjën e vërtetë të të gjithë vëllazërisë së krishterë".

Në një kohë kur njerëzit shpesh tundohen nga ndjenja e dëshpërimit, ne kemi misionin themelor si lajmëtarë të krishterë të shpresës për të sjellë dritën e Zotit në skutat më të errta të botës sonë. Edhe pse Jubileu i Shpresës tani përfundoi me mbylljen e fundit të Portës së Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit, shpresa jonë e krishterë nuk njeh fund as kufi.

Finlanda, "model" për ekumenizmin

Të inkurajuar dhe të forcuar nga hiri i Jezusit, "i njëjti mishërim i shpresës së përbashkët", Leoni XIV nxiti për ta dëshmuar këtë "të vërtetë shëlbuese" përmes "fjalëve frymëzuese" dhe veprave bamirëse. Shenjat konkrete të këtij angazhimi mund të shihen ndër të krishterët e Finlandës, vend që Papa e quan "model për ekumenizmin".

E di - vijoi Ati i Shenjtë Prevost - se ipeshkvijtë e Helsinkit në një deklaratë trepalëshe ortodokse-luterane-katolike, po kërkojnë të nxisin "kulturën e shpresës, të dinjitetit dhe të dhembshurisë", duke deklaruar bashkërisht se "zhvillimi i mjekimeve paliative dhe kujdesi në fund të jetës duhet të vazhdojnë".

Dialogu ndërmjet katolikëve dhe luteranëve

Papa Leoni XIV e kujtoi edhe njohjen e tekstit titulluar "Bashkimi në rritje", shprehur nga Konferenca e Ipeshkvijve Skandinavë, hartuar nga Dialogu Kombëtar Katoliko-Luteran, duke e quajtur "etapë e çmuar në udhën ekumenike".

Këto shembuj bashkëpunimi, njëherësh me traditën e gjatë të kremtimit të përbashkët të festës së Shën Henrit, janë shenja të çmuara ekumenizmi praktik dhe të frytshëm.

Papa Leoni XIV përfundoi duke kujtuar nisjen, planifikuar për muajin tjetër, të fazës së gjashtë të Dialogut Ndërkombëtar Katolik-Luteran, duke theksuar kontributin e rëndësishëm që "mund të ofrojë përvoja pozitive e ekumenizmit finlandez" në dialogun ndërkombëtar.

19 janar 2026, 09:15