Lojërat Olimpike, Papa: Le të kontribuojnë për forcimin e mikpritjes, solidaritetit dhe paqes
R.Sh. Vatikan
Sporti si promovues i solidaritetit dhe i paqes. Këtë shpresë shpreh Ati i Shenjtë Leoni XIV në telegramin nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin drejtuar arqipeshkvit të Milanos, imzot Mario Delpini dje, më 29 janar.
Lojërat Olimpike le të frymëzojnë miqësi dhe vëllazëri
Papa Leoni bashkohet shpirtërisht me ata që marrin pjesë sonte në Kishën e Shën Babilës në kremtimin e kryesuar nga arqipeshkvi i Milanos. Gjatë kësaj ceremonie, autoritetet do të pranojnë zyrtarisht Kryqin e Sportistëve për Lojërat Olimpike dhe Paralimpike Milano-Kortina, të cilat do zhvillohen nga 6 deri më 22 shkurt. Papa Prevost i bëri këto urime organizatorëve dhe pjesëmarrësve:
Kjo ngjarje e rëndësishme le të frymëzojë ndjenja miqësie dhe vëllazërie, duke forcuar ndërgjegjësimin për vlerën e sportit në shërbim të zhvillimit të plotë njerëzor.
Gjithashtu, Papa u siguroi të gjithëve lutjet e tij:
Këto ditë të konkurrencës së shëndetshme le të ndihmojnë në ndërtimin e urave midis kulturave dhe popujve, duke promovuar mikpritjen, solidaritetin dhe paqen.
Kisha e Shën Babilës do të jetë Kisha e Atletëve
Ndër bashkëkremtuesit do të jetë imzot Paul Tighe, sekretar i Dikasterit për Kulturë dhe Arsim, dhe atë Michele Gianola, zëvendëssekretar i Konferencës së Ipeshkvijve Italianë (CEI) dhe Drejtor i përkohshëm i Zyrës Kombëtare për Kujdesin Baritor të Kohës së Lirë, Turizmit dhe Sportit. Gjatë ceremonisë – së cilës do t’i paraprijë një procesion – do të lexohet lutja e hartuar për këtë ditë nga vetë imzot Delpini. Bazilika e San Babilës do të jetë Kisha e Atletëve në Milano gjatë gjithë Lojërave. Aty do të qëndrojë Kryqi i Atletëve si edhe do të ketë një ekspozitë me panele kushtuar vlerave të sportit, me referenca edukative dhe kulturore. Kjo do të jetë gjithashtu pika e nisjes së turneut kushtuar vlerave të sportit, një udhëtim që do të përfshijë mijëra vajza dhe djem nga shkolla, qendra rinore dhe klube sportive, duke u përqendruar te sporti si përvojë njerëzore, edukative dhe e të gjithëve.
