Papa Leo takon familjet e viktimave të zjarrit në Crans-Montana (@Vatican Media) Papa Leo takon familjet e viktimave të zjarrit në Crans-Montana (@Vatican Media)

Papa Leoni takon familjet e viktimave të zjarrit në Crans-Montana

Leoni XIV familjarëve të të rinjve italianë të vdekur ose të plagosur në zjarre në Crans-Montana: «Desha të ndaja me ju një moment që është dëshmi e asaj që ne besojm. Feja ndriçon momentet më të errëta dhe më të dhimbshme të jetësë».

R.SH. – Vatikan

“I prekur thellë” dhe i “tronditur”, Papa Leoni XIV përqafon – në kuptimin fizik dhe figurativ – familjet e të rinjve italianë që mbetën të vrarë në tragjedinë në Crans-Montana, në Zvicër, ku natën e Vitit të Ri një zjarr në një lokal shkaktoi 40 viktima dhe 116 të plagosur. Shumica e tyre, të gjithë shumë të rinj, madje edhe të mitur. Pesëmbëdhjetë ditë pas asaj drame – dhe ndërsa lutemi e shpresojmë për shërimin e të plagosurve të shtruar në spitale (në Zvicër, Itali e Francë) – Papa priti familjet në Vatikan. Një audiencë prekëse, mes fjalëve dhe gjesteve të Leonit dhe lotëve të këtyre njerëzve që, siç thotë vetë Papa në fjalimin e tij, po kalojnë një “moment dhimbjeje dhe vuajtjeje të madhe”.

"Një nga personat tuaj më të dashur, më të shtrenjtë, ka humbur jetën në një katastrofë të rëndë, me dhunë ekstreme, ose ndodhet i shtruar në spital për një periudhë të gjatë, me trupin e shpërfytyruar nga pasojat e zjarrit të tmerrshëm që ka goditur imagjinatën e mbarë botës".

Dhe kjo ndodhi “në momentin më të papritur, në një ditë kur të gjithë gëzonin dhe festonin për të shkëmbyer urime gëzimi dhe lumturie”, vëren Leoni XIV, i cili që në takimin e së shtunës së kaluar me të rinjtë e Dioqezës së Romës kishte shprehur afërsinë e tij me familjet e viktimave të tragjedisë në ndodhi në Crans-Montana, duke i nxitur të gjithë të mos harrojnë ata që vuajnë dhe të jenë të bashkuar në lutje dhe vëllazëri.

Vetëm një fjalë e duhur, ajo e Krishtit në kryq

Ka pak për të thënë në rrethana të tilla dhe është e vështirë të gjesh një kuptim për ngjarje të tilla. Dhe pyetja tjetër është edhe kjo:

Ku të gjesh një ngushëllim në lartësinë e asaj që ndjeni, një ngushëllim që nuk përbëhet nga fjalë të kota dhe sipërfaqësore, por që prek në thellësi dhe gjallëron shpresën?

“Vetëm një fjalë”, pohon Papa Leoni XIV, është “e përshtatshme” dhe është “ajo e Birit të Zotit, Jezu Krishtit në kryq – të cilit i jeni aq pranë sot – që nga thellësia e braktisjes dhe dhimbjes mbi Kryq ku Biri vdes duke pyetur: “Hyji im, Hyji im, përse më ke braktisur?”. “Përgjigjja e Atit ndaj lutjes së Birit bën të pritet tri ditë, në heshtje. Por çfarë përgjigjeje!”, kujton Papa. “Jezusi ringjallet i lavdishëm, duke jetuar përgjithmonë në gëzimin dhe dritën e amshuar të Pashkëve”.

"Shpresa juaj nuk është e kotë"

Është ky kumti që Leoni XIV u ofron këtyre familjeve të shkatërruara nga zia, dhimbja dhe humbja. “Nuk mund t’ju shpjegoj, të dashur vëllezër e motra, përse juve dhe të dashurve tuaj u kërkua të përballeni me një provë të tillë. Dashuria dhe fjalët njerëzore të dhembshurisë që ju drejtoj sot duken shumë të kufizuara dhe të pafuqishme”, pranon Papa. Megjithatë, fjala që Leoni XIV u drejton familjeve të viktimave të Crans-Montana-s nuk është ajo e një njeriu, por e Papës së Kishës universale:

"Pasardhësi i Pjetrit, që keni ardhur të takoni sot, ua pohon këtë me forcë dhe bindje: shpresa juaj nuk është e kotë, sepse Krishti është vërtet i ngjallur! Kisha e Shenjtë është dëshmitare e saj dhe e kumton me bindje e siguri".

Papa dhe Kisha pranë familjeve

“Asgjë nuk do të mund t'ju ndajë kurrë nga dashuria e Krishtit, ashtu si të dashurit tuaj që vuajnë ose që keni humbur”, shton Papa, duke cituar Shën Palin Apostull. “Feja që banon në ne ndriçon momentet më të errëta dhe më të dhimbshme të jetës sonë me një dritë të pazëvendësueshme, që na ndihmon të vazhdojmë me guxim rrugëtimin drejt qëllimit, drejt cakut të jetës”. “Jezusi na paraprin në këtë rrugëtim vdekjeje dhe ringjalljeje që kërkon durim dhe këmbëngulje”, vëren sërish Papa. “Jini të sigurt për afërsinë dhe ëmbëlsinë e tij: Ai nuk është larg asaj që po jetoni, përkundrazi, e bashkëndan dhe e mbart atë me ju”. Dhe në të njëjtën mënyrë “mbarë Kisha”. Leoni siguron vërtet lutjen e Kishës dhe atë të tij personale për të ndjerët, për “lehtësimin e atyre që doni dhe që vuajnë” dhe për vetë të afërmit. “Zemra juaj sot është e shporuar, siç ishte ajo e Marisë pranë Kryqit”, thotë Ati i Shenjtë. Të pranishmit Papa ia beson të gjithë Zojës së Dhimbshme.

"Ajo është pranë jush në këto ditë… Drejtojuni asaj pa rezerva me lotët tuaj dhe kërkoni tek ajo ngushëllimin amënor që ajo do të mund t'ju japë. Si ajo, do të dini të pritni me durim, në natën e vuajtjes por me sigurinë e fesë, që një ditë e re do të lindë; dhe do të rigjeni gëzimin".

15 janar 2026, 11:26