Papa ipeshkvijve peruanë: ruani dhe promovoni unitetin dhe bashkimin

Vizita “ad limina Apostolorum” e ipeshkvijve të Perusë ku Leoni XIV ka qenë misionar. Ati i Shenjtë nxit për t’u përballur me sfidat e sotme të Kishës me “një besnikëri të ripërtërirë ndaj Ungjillit” dhe kërkon “një shpallje të qartë, të guximshme dhe plot gëzim, të aftë për të dialoguar me kulturën pa humbur identitetin e krishterë”. Kujtimi i viteve të kaluara në Amerikën e Jugut: “Atje kam ndarë me ju gëzime dhe vështirësi, kam njohur e mësuar fenë e thjeshtë të popullit të saj”.

R.SH. – Vatikan

Ta lexosh realitetin e sotëm me sytë e fesë dhe të jetosh “në mënyrën e apostujve”, “me thjeshtësi, guxim dhe gatishmëri të plotë” për t’u lënë “të udhëhiqesh nga Zoti”. Ipeshkvijve të Perusë, në vizitë “ad limina Apostolorum” në Vatikan, të pritur sot në audiencë, më 30 janar, në Sallën e Konsistorit të Pallatit Apostolik, Leoni XIV u tregon se në këtë mënyrë është e mundur t’u përgjigjesh “sfidave të shumta që sot i paraqiten Kishës peruane në detyrën e saj ungjillëzuese”. Ai i nxit të ndjekin shembullin e Shën Toribio de Mogrovejo, i kanonizuar 300 vjet më parë, dhe të “japin fryt” trashëgimisë së marrë prej tij dhe prej shenjtorëve “Rosa, Martino dhe Giovanni”.

Dashuria për peruanët dhe për Perunë
Në fjalimin, të mbajtur në spanjisht, shprehet mendimi i përzemërt për popullin peruan: “Ju lutem t’u kujtoni bijve të mi të dashur të Perusë se Papa i mban në zemrën e tij dhe i kujton me dashuri, në mënyrë të veçantë në lutje”, thotë Ati i Shenjtë Prevost, duke shtuar më pas, para se të përshëndesë ipeshkvijtë, se vendi latinoamerikan – ku ka qenë në mision për më shumë se njëzet vjet, fillimisht duke mbajtur detyra të ndryshme në komunitetet augustiniane dhe më pas si ipeshkëv i Chiclayos nga viti 2015 deri në 2023 – “zë një vend të veçantë në zemrën time”. “Atje kam ndarë me ju gëzime dhe mundime, kam mësuar fenë e thjeshtë të popullit të tij dhe kam përjetuar forcën e një Kishe që di të presë edhe mes sprovave”, rrëfen Papa Prevost.

Të promovohet uniteti dhe bashkimi
Leoni XIV shpjegon se të jetosh “ad instar Apostolorum, domethënë sipas mënyrës së Apostujve”, do të thotë “mbi të gjitha, të ruash dhe të promovosh unitetin dhe bashkimin”, sepse “Apostujt, të shpërndarë nëpër botë”, mbetën “të bashkuar në të njëjtën ndjesi dhe në të njëjtin mision”.
Besueshmëria e shpalljes sonë kalon përmes një bashkimi të vërtetë dhe të përzemërt ndërmjet barinjve, dhe ndërmjet tyre dhe Popullit të Hyjit, duke kapërcyer ndarjet, protagonizmat dhe çdo formë izolimi. Një bashkim si ai që kërkonte Shën Toribio duke promovuar Koncilet e Limës.

Të shpallet Krishti në dialog me kulturën bashkëkohore
Vizita ad Limina apostolorum “është shenjë e qartë e bashkimit të gjallë” që “bashkon në fe dhe në mision” Ipeshkvin e Romës me ipeshkvijtë e tjerë, shton më pas Papa, i cili përballë “sfidave aktuale” fton për “një besnikëri të ripërtërirë ndaj Ungjillit, i cili duhet të shpallet në mënyrë të plotë” dhe për “një shpallje të qartë, të guximshme dhe të gëzueshme, të aftë për të dialoguar me kulturën pa humbur identitetin e krishterë”. “Të jetosh sipas mënyrës së Apostujve nënkupton edhe një përkushtim të plotë ndaj shërbesës që na është besuar”, vazhdon Ati i Shenjtë Prevost, duke kujtuar se nxënësit e Jezusit dhanë gjithçka nga vetja deri në martirizim dhe se po ashtu veproi edhe Shën Toribio, i cili u përball me “rreziqe dhe vuajtje” për dashurinë ndaj të afërmit dhe “për ta çuar dashurinë e Krishtit deri në vendet më të paarritshme”.

Të jetosh ad instar Apostolorum do të thotë të qëndrosh pranë atyre që na janë besuar, të interesohemi për ta, të ndajmë jetën dhe rrugëtimin e tyre. Si Shën Pali, i cili u bë gjithçka për të gjithë që të fitonte të gjithë, jemi të thirrur të shkojmë drejt të tjerëve, të dëgjojmë, të shoqërojmë dhe të kuptojmë, për t’i çuar të gjithë drejt Hyjit.

Të jesh pranë më të fundmëve

Afërsia: këtë kërkon Leoni XIV, një afërsi të thellë, që përfshin meshtarët, “seminaristët, jetën e kushtuar dhe mbarë Popullin e Hyjit, me një parapëlqim të veçantë për më të brishtët dhe nevojtarët”. Pikërisht këtyre të fundit Ati i Shenjtë Leoni XIV u shtrin, në fund, bekimin e tij, duke i falënderuar ipeshkvijtë për angazhimin e tyre që “Lajmi i Mirë të jehojë në çdo zemër”.

Takimi me një vëlla

“Vizita ad limina është shumë domethënëse për ne ipeshkvijtë”, u thotë mediave të Vatikanit, në përfundim të audiencës me Leonin XIV, imzot Luis Alberto Barrera Pacheco, ipeshkëv i Callaos. Takimi me Papën Leoni XIV ka qenë një ripërtëritje e bashkimit me Pjetrin, shton ai: “Kemi përjetuar një përvojë shumë vëllazërore, sepse ai vjen nga Konferenca Ipeshkvore e Perusë. Për ne ka qenë një gëzim i madh të takoheshim jo vetëm me Papën, por me një vëlla”.

Imzot Pacheco shpjegon se me Atin e Shenjtë Prevost ipeshkvijtë kanë folur “në mënyrë shumë vëllazërore”: “Na ka dhënë këshilla se si ta kryejmë misionin tonë dhe të jemi më pranë njerëzve, të punojmë mbi temën e bashkimit për të qenë të besueshëm si Kishë në një shoqëri të polarizuar si ajo e Perusë. Pra, se si Kisha mund të jetë ai shenjë uniteti, ai urë, për të krijuar një mënyrë më të mirë jetese”.

 

30 janar 2026, 19:53