Në foto: Papa Leoni XIV gjatë audiencës sot, 21 janar, në Vatikan. Në foto: Papa Leoni XIV gjatë audiencës sot, 21 janar, në Vatikan.

Leoni XIV: mes luftës dhe humbjes së respektit për dinjitetin njerëzor, të lutemi për paqe

Ati i Shenjtë, Papa Leoni XIV i ftoi besimtarët të luten për bashkimin e të krishterëve dhe për paqen, veçanërisht në kohën tonë të karakterizuar nga mungesa e respektit për dinjitetin njerëzor dhe përplasjet ndërkombëtare.

R.Sh. Vatikan

«Le të lutemi për paqe në këtë çast të historisë kur bie në sy se respekti për vlerën e dinjitetit njerëzor po humbet vazhdimisht dhe kur lufta është kthyer në modë». Kjo është thirrja që Papë Leoni XIV bëri sot gjatë audiencës së përgjithshme mbajtur në sallën Pali VI, në Vatikan.

Duke përshëndetur besimtarët që flasin portugalisht, pasi mbajti mësimin e tij të katekizimin, Papa Leoni XIV u lut: «Na ndimoftë humanizmi i Jezusit, i cili na zbulon Atin, të gjejmë shtigje drejtësie dhe pajtimi!»

Papa Prevost i ftoi të gjithë besimtarët të luten për bashkimin midis të krishterëve dhe për paqe në të gjithë botën, posaçërisht tashti, gjatë Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve që ka filluar më 18 janar dhe zgjat deri më 25 janar.

Pastaj, duke sjellë ndërmend se Jezusi u lut për bashkimin e dishepujve të Tij para mundimeve të Tij, Papa i nxiti shtegtarët gjermanishtfolës duke u thënë: «Gjatë kësaj jave lutjeje për bashkimin e të krishterëve, le të lutemi me Jezusin që të gjithë dishepujt e Tij të gjejnë bashkimin, në mënyrë që bota të besojë tek Jezusi dhe tek e vërteta se Ai iu zbulua botës.”

Duke folur rreth temës së Javës së lutjes së këtij viti – «Është një Trup dhe një Shpirt i vetëm, ashtu sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes tuaj» (Ef. 4,4) – Ati i Shenjtë Leoni XIV u dha zemër të krishterëve t'i luten Zotit « t'u japë dhuratën e Shpirtit të Tij të gjitha Kishave të shpërndara në të gjithë botën, në mënyrë që, nëpërmjet kësaj dhurate, të krishterët të kapërcejnë përçarjet dhe të krijojnë lidhje të forta bashkuese».

Gjatë lutjes së Engjëllit të Tenzot të dielën që kaloi, Papë Leoni i ftoi bashkësitë katolike në mbarë botën «t’i shtojnë lutjet e tyre gjatë këtyre ditëve për bashkimin e plotë dhe të dukshëm të të gjithë të krishterëve».

Siç është zakon, më 25 janar, të dielën e ardhshme, në ditën e solemnitetit të kthimit në fé të Shën Palit, Papa Leoni XIV do të kryesojë kremtimin e ltujeve Mbrëmësore në orën 17:30 pasdite në Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve, në Romë, me rastin e mbylljes së Javës së Lutjes për Bashkimin e të krishterëve .

21 janar 2026, 18:55