Papa Neokatekumenalëve: ecni përpara të bashkuar, pa mbyllje
R.SH. - Vatikan
Papa Leoni XIV u takua me anëtarët e «Eecjes Neokatekumenale», një realitet kishtar i themeluar në vitet 1960 nga Kiko Argüello dhe Carmen Hernández në Spanjë. Ky komuniteti është i përhapur tash më shumë se pesëdhjetë vjet në të pesë kontinentet, me bashkësi të vogla, të cilat ndjekin rrugën e rizbulimit të Pagëzimit. Para së gjithash, Leoni XIV u shpreh mirënjohjen e tij të thellë për rizgjimin e «zjarrit të Ungjillit» dhe «haresë të besimit» në botë përmes ungjillëzimit, katekizmit dhe kushtimin e tyre ndaj shoqërimit të individëve dhe bashkësive. Pastaj, Ati i Shenjtë Prevost, i nxiti familjet që nisen në mision, edhe në territore të largëta dhe të vështira, me dëshirën e vetme për të qenë «dëshmitare të dashurisë së Zotit». Në fund, pastaj, Papë Leoni u dha atyre edhe disa rekomandime për të ruajtur unitetin dhe bashkësinë, që të kapërcehen të gjitha format e izolimit, si dhe «mënyrat e kufizimit, ngurtësisë dhe moralizmit».
Audienca u zhvillua në Sallën e Bekimit në Vatikan dhe qenë të pranishëm afërsisht njëmijë anëtarë dhe përfaqësues të kësaj Ecjeje katolike, të cilëvet u prinin përgjegjësit e ekipit ndërkombëtar, përveç themeluesit Kiko Arguello-s, edhe María Ascensión Romero dhe Atë Mario Pezzi. Gjithashtu të pranishëm qenë disa ipeshkvij dhe meshtarë, si dhe ekipe të ndryshme misionare. Këto misione – tha Leoni XIV në fjalimin e tij – përbëhen nga familje, katekistë dhe meshtarë» dhe «marrin pjesë në misionin ungjillëzues të të gjithë Kishës». Ato, pohoi Papa, duke cituar paraardhësin e tij Françeskun, «kontribuojnë në ‘zgjimin’ e fesë të atyre që nuk janë të krishterë e që nuk kanë dëgjuar kurrë për Jezu Krishtin, por edhe të shumë njerëzve të pagëzuar që, pavarësisht se janë të krishterë, kanë harruar se kush është Jezu Krishti”.
Të shpallim Ungjillin nëpër Botë
Pikërisht, duke vështruar këtë vepër ungjillizimi, Papa Prevost shpreh mirënjohje për misionin që Neokatekumenët kanë kryer këto dhjetëvjeçarë:
Të shpallin Ungjillin në të gjithë botën, në mënyrë që të gjithë ta njohin Krishtin.
Ky është një mision, ose më saktësisht, një «dëshirë» që ka gjallëruar dhe ushqyer jetën, karizmën dhe veprat e ungjillizimit të këtij shtegtimi në rrugën e besimit, si dhe katekizmin që – siç pohoi Leoni XIV – «përfaqëson një kontribut të çmuar në jetën e Kishës».
«Të gjithëve, veçanërisht atyre që janë larguar nga Kisha ose besimi i të cilëve është ligështuar, ju u ofroni mundësinë e një udhëtimi shpirtëror ku këta mund të zbulojnë rishtas kuptimin e Pagëzimit, në mënyrë që të njohin dhuratën e hirit të marrë dhe, për rrjedhojë, thirrjen për të qenë dishepuj të Zotit dhe dëshmitarë të tij në botë.»
Falënderime familjeve
Papa thekson se Ecja Neokatekumenale ka «ndezur zjarrin e Ungjillit aty ku dukej se po shuhej» dhe ka shoqëruar «shumë individë dhe bashkësi të krishtera, duke zgjuar tek ta gëzimin e besimit, e po ashtu, duke i ndihmuar të rizbulojnë bukurinë e njohjes së Jezusit dhe duke nxitur rritjen e tyre shpirtërore dhe angazhimin për të dëshmuar Ungjillin». Në veçanti, Ati i Shenjtë Prevost falenderoi familjet që kanë lënë «sigurinë e jetës së zakonshme» dhe janë nisur për në vende të largëta dhe të vështira «me dëshirën e vetme për të shpallur Ungjillin dhe për të qenë dëshmitarë të dashurisë së Zotit».
Uniteti dhe bashkësia
Çuarja përpara e kësaj përvoje dhe e këtij misioni, kërkon gjithsesi “vigjilencë të brendshme dhe një aftësi kritike të urtë”, vë në dukje Papa, në mënyrë që të dallohen mirë “disa rreziqe” që gjithmonë janë “në pritë” në jetën shpirtërore dhe kishtare. Leoni XIV rekomandon para së gjithash unitetin, duke kujtuar “se ne jemi Kishë” dhe se, “nëse Shpirti i jep secilit një dëshmi të veçantë”, ajo “jepet për të mirën e përbashkët
Karizmat e veçanta duhet të vihen gjithmonë në shërbim të mbretërisë së Hyjit dhe të Kishës së vetme të Krishtit, në të cilën asnjë dhuratë e Hyjit nuk është më e rëndësishme se një tjetër – përveç dashurisë, e cila i përsos dhe i përkryen të gjitha – dhe asnjë shërbim nuk duhet të bëhet shkak që ta ndjesh veten më mirë se vëllezërit e tu dhe për të përjashtuar ata që mendojnë ndryshe.
«Misioni juaj është i veçantë, por jo ekskluziv.» u tha Papa Leoni XIV anëtarëve të Ecjes Neokatekumenale. «Hiri i juaj është i veçantë, por jep fryt vetëm kur bashkohet me dhuratat e tjera të pranishme në jetën e Kishës. E mira që bëni është e madhe, por qëllimi i saj është që njerëzit të njohin Krishtin, duke respektuar gjithmonë rrugën e jetës dhe ndërgjegjen e secilit person.»
Jeni pjesë e plotë e kujdesit baritor të famullive
Në këtë frymë, Papa Leoni i nxiti të pranishmit të jetojnë përshpirtërinë «pa u ndarë kurrë nga pjesa tjetër e trupit kishtar, si pjesë e gjallë e kujdesit baritor të zakonshëm të famullive dhe realiteteve të saj të ndryshme, në bashkim të plotë me vëllezërit dhe motrat, dhe veçanërisht me meshtarët dhe ipeshkvijtë.»
Ecni përpara në gëzim dhe përulësi, pa mbyllje, si ndërtues dhe dëshmitarë të bashkimit.
Udhëzime dhe nxitje
«Kisha ju shoqëron, ju mbështet dhe është mirënjohëse për atë që bëni», i siguroi Papa neokatekumenët. «Në të njëjtën kohë», shtoi ai, «Kisha u kujton të gjithëve se aty ku është Shpirti i Zotit, aty ka liri. Prandaj, shpallja e Ungjillit, katekizmi dhe format e ndryshme të veprimtarisë baritore nuk duhet të pengohen nga kufizimet, ngurtësia dhe moralizmi, në mënyrë që të mos ngjallin ndjenja faji dhe frike në vend të çlirimit të brendshëm».
Pastaj, në fund të fjalimit të tij, Papa i falënderoi edhe një herë neokatekumenët për angazhimin e tyre, për dëshminë e tyre të gëzueshme, për shërbimin i dhurojnë Kishës dhe botës.
«Ju nxis të vazhdoni me entuziazëm dhe ju bekoj...» – tha në mbyllje Leoni XIV.
