Papa Leoni XIV Papa Leoni XIV

Papa për “La Repubblica”: shtypi, vend ballafaqimi për të ndërtuar të mirën e përbashkët

Leoni XIV dërgon një mesazh për të përditshmen italiane ‘La Repubblica’ që mbush pesëdhjetë vjet. Ati Shenjtë kujton se gazeta është e rrënjosur në qytetin e Romës, Dioqeza e Papës, dhe nxit vazhdimësinë e leximit të realitetit me liri, duke mirëpritur opinione të ndryshme: "Ju uroj të ndërtoni gjithmonë një komunikim të lirë dhe dialogues, të gjallëruar nga kërkimi i së vërtetës dhe pa paragjykime"

R.SH. – Vatikan

Një marrëdhënie konstante me lexuesit, liria si kriter për të treguar pesëdhjetë vjet histori italiane, të botës dhe të Kishës, dialogu si rrugë e privilegjuar për të ndërtuar paqen. Janë të shumta pikat që Papa Leoni XIV ofron në mesazhin e sotëm, 15 janar, drejtuar drejtorit të së përditshmen italiane La Repubblica, Mario Orfeo, me rastin e përvjetorit të rëndësishëm që po festohet këto ditë. Më 14 janar 1976 doli, në fakt, kopja e parë e gazetës La Repubblica themeluar nga Eugenio Scalfari, i cili mbeti drejtor deri në vitin 1996, duke bashkëpunuar më pas si editorialist deri në vdekjen e tij.

Një pikë vrojtimi e privilegjuar

Papa u përcjell urimet e tij gazetarëve që kanë treguar gjysmë shekulli histori, “duke kultivuar – shkruan Ati i Shenjtë – marrëdhënien me lexuesit tuaj që ju ka sjellë deri këtu”.

"E juaja është një gazetë e rrënjosur në shumë qytete, por që ka në Romë, Dioqezën e Papës, ka, një pikë vrojtimi të privilegjuar mbi ngjarjet e Italisë dhe të botës, selinë e saj kryesore. Me liri keni lexuar faqet e këtyre pesëdhjetë viteve. Dhe keni treguar historinë e Kishës".

Liria e shtypit

Liria, rrëfimi dhe vështrimi mbi botën përfaqësojnë zemrën e lirisë së shtypit “e cila, edhe në diversitetin e opinioneve, – shton Papa – të pikëpamjeve, të kulturave, duhet të veprojë gjithmonë me transparencë, me korrektësi”.

Dhe të ofrojë atë mundësi ballafaqimi e cila, kur nuk është armiqësore, kontribuon në të mirën e përbashkët dhe në unitetin e gjinisë njerëzore. Dialogu tejkalon kështu konfliktin dhe ndërton paqen.

Një komunikim i lirë dhe dialogues

“Ju uroj të ndërtoni gjithmonë një komunikim të lirë dhe dialogues, të nxitur nga kërkimi i së vërtetës dhe pa paragjykime", është përfundimi i mesazhit të Papës. "Gëzuar pesëdhjetëvjetorin!”.

15 janar 2026, 11:50