Papa pret presidenten e Parlamentit Evropian, Metsola

Audienca u zhvillua sot paradite në Pallatin Apostolik. Presidentja Metsola u shpreh në platformën X mirënjohëse për "qartësinë" e Papa Leonit XIV dhe për "refleksionet e bashkëndara mbi përparimin e paqes përmes dialogut në Evropë dhe në botë".

R.SH. / Vatikan

"Një paradite domethënëse në Vatikan gjatë audiencës me Shenjtërinë e Tij, Papa Leonin XIV. Mirënjohëse për qartësinë e qëllimeve të tij dhe për reflektimet tona të bashkëndara mbi përparimin e paqes përmes dialogut në Evropë dhe në botë". Me një postim të shpërndarë nga faqen e saj zyrtare në platformën sociale X, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, komentoi audiencën e sotme, 29 janar, me Papa Leonin XIV në Pallatin Apostolik në Vatikan.

Metsola është sot për vizitë në Romë, ku u prit nga Papa e shoqëruar nga një delegacion prej pesë anëtarësh, dhe më pas u takua me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin. Gjatë ditës së sotme, Metsola do të takojë autoritetet e Republikës Italiane, në kuadër të dialogut mes institucioneve kombëtare dhe fetare evropiane mbi temat themelore të Bashkimit Evropian; është parashikuar gjithashtu edhe një takim me Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, në Pallatin Chigi. Pasdite, presidentja e Europarlamentit do të marrë pjesë në aktivitetin "Trashëgimia e De Gasperit: Evropa e mbrojtjes së lirisë", në selinë e Parlamentit Evropian në Piazza Venezia, në Romë.

Në paraditen e takimeve, u zhvillua edhe një bisedë mes Metsolës dhe Mjeshtrit të Madh të Urdhrit të Maltës, fra' John Dunlap, në Pallatin Magjistral në Romë. "Vizita e kortezisë - shpjegon një njoftim - ishte rasti për një përditësim mbi aktivitetet e Urdhrit të Maltës të shtrira në mbi 130 vende të botës. Presidentja Metsola shprehu vlerësim të madh për punën humanitare që Urdhri kryen në situata komplekse si Ukraina dhe Gaza".

29 janar 2026, 13:42