Fjala e Papës drejtuar të rinjve pjesëmarrës në konferencën "Një Njerëzim, Një Planet" Fjala e Papës drejtuar të rinjve pjesëmarrës në konferencën "Një Njerëzim, Një Planet"

Papa rinjve politikanë: nuk do të ketë paqe, nëse i flakim tutje të ligshtët

Leoni XIV takon në Vatikan njëqind liderë nga e gjithë bota, pjesëmarrës në konferencën “One Humanity, One Planet” e thotë: “vetëm ai që kujdeset për më të vegjlit mund të bëjë gjëra vërtet të mëdha”. Ati i Shenjtë i fton të studiojnë “forma pjesëmarrëse që të përfshijnë të gjithë qytetarët, burra dhe gra, në jetën institucionale të shteteve”.

R.SH. / Vatikan

"Nuk do të ketë paqe pa i dhënë fund luftës që njerëzimi ia bën vetes, kur hedh poshtë të ligshtit, kur përjashton të varfrit, kur mbetet indiferent ndaj refugjatëve dhe të shtypurve. Vetëm kush kujdeset për të vegjlit, mund të arrijë gjëra vërtet të mëdha". Me këtë shprehje iu drejtua Papa Leoni XIV njëqind udhëheqësve të rinj politikë nga të gjitha kontinentet, pjesëmarrës në konferencën e titulluar “One Humanity, One Planet”(Një Njerëzim, Një Planet"), mbledhur sot paradite, më 31 janar, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik. "Puna juaj, shpjegoi Papa, gjen shprehjen e saj më të lartë kur punon për njerëzimin e qetësuar në drejtësi".

Protagonistët e një jave, organizuar nga Fokolarët

Nga 26 janari deri më 1 shkurt, të rinjtë po marrin pjesë në Romë, në javën e fundit rezidenciale të programit dyvjeçar për formimin në veprimtarinë politike, organizuar nga OJQ-ja New Humanity e Lëvizjes Fokolare, në bashkëpunim me Komisionin Papnor për Amerikën Latine dhe me mbështetjen e Fondacionit Porticus. Metodologjia është ajo e Hackathon, seminar intensiv ku pjesëmarrësit mund të punojnë, që të mund të gjejnë zgjidhje për problemet kolektive. Përfaqësuesit e qendrave të Lëvizjes Focolare për Unitet Politik po marrin pjesë edhe në audiencën me Leonin XIV.

Takim e punë, në stil sinodal

Papa u kujtoi se janë të bashkuar "në angazhimin politik për kërkim të së mirës së përbashkët" dhe se "kombet, kulturat dhe fetë e ndryshme të cilave u përkasin, nuk janë burim rivaliteti për ta, por bashkëpunimi dhe rritjeje në stil sinodal".

Si formë bashkimi që na lidh, sinodaliteti na bën të vëmendshëm ndaj shikimit të atyre që i kemi pranë, e jo vetëm për atë që vëzhgojmë, duke u ushtruar në artin e krijimit të vizioneve të përbashkëta, të cilat respektojnë kompleksitetin, pa rënë në konfuzion dhe kërkojnë të vërtetën, pa pasur frikë nga ballafaqimi.

Ta nxisim paqen, duke nisur nga vendi ku veprojmë

Papa i falënderoi të rinjtë e angazhuar në punë politike dhe sociale ndër vendet e tyre, për nisma të tilla si projekti "Katër ëndrrat" i Komisionit Papnor për Amerikën Latine, lindur nga intuita e Papës Françesku i cili, në Nxitjen Apostolike Querida Amazonia "na fton të kultivojmë së bashku ëndrrat kishtare, ekologjike, sociale dhe kulturore". Kujdesi për këto zona, shpjegoi ai, meriton përpjekjet tona më të mira, "sidomos në kohë të plagosura nga një mori padrejtësish, dhune e lufte". Të jesh udhëheqës, shtoi, sjell me vete përgjegjësi në rritje për paqen, "jo vetëm ndërmjet kombeve, por edhe aty ku jeton, ku studion e ku punon çdo ditë".

Nëse nuk e nxisim harmoninë në një universitet ose në një zyrë, ndërmjet partive politike dhe shoqatave, si mund ta nxisim atë në një shtet të tërë ose nëpër kontinente? Me zemër të pastër e mendje të kthjellët, kërkojeni gjithmonë këtë paqe si dhuratë, si besëlidhje, si premtim.

 Paqja si dhuratë, aleancë, premtim

Paqja, përsërit Papa Leoni XIV, "është, mbi të gjitha, dhuratë, sepse e marrim nga ata që na paraprinë në histori: një e mirë për të cilën duhet të jemi mirënjohës". Për më tepër, është "edhe aleancë, e cila na beson një angazhim të përbashkët: ta nderojmë atë, kur ekziston, dhe ta realizojmë, kur mungon". Së fundmi, paqja është premtim, "sepse mbështet shpresën tonë për një botë më të mirë dhe, si e tillë, kërkohet nga të gjithë njerëzit  e vullnetshëm".

 Format e pjesëmarrjes që përfshijnë të gjithë qytetarët

Duke kujtuar "funksionin shoqëror të pazëvendësueshëm" të politikës, Papa i nxiti udhëheqësit e rinj "të bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë në studimin e formave pjesëmarrëse, që i përfshijnë të gjithë qytetarët, burra dhe gra, në jetën institucionale të shteteve".

Mbi këto baza do të jetë e mundur të ndërtohet ajo vëllazëri universale, që tashmë është shpallur ndërmjet jush, të rinjve, si shenjë e një epoke të re: puna juaj gjen shprehjen e saj më të lartë kur punon për njerëzimin në paqe e drejtësi.

Nuk ka paqe, nëse përjashtohet kush është i varfër

Paqja e vërtetë, theksoi Leoni XIV, nuk është e mundur nëse njerëzimi i flak poshtë të ligshtit, përjashton të varfrit, "mbetet indiferent ndaj refugjatëve dhe të shtypurve", mbasi "vetëm ata që kujdesen për më të vegjlit, mund të arrijnë gjëra vërtet të mëdha".

Tha kështu, e kujtoi Nënën tonë Terezë, "shenjtore e më të vegjëlve e  fituese Çmimit Nobel për Paqen", që deklaroi se "shkatërruesi më i madh i paqes është aborti".

Zëri i saj mbetet profetik: asnjë politikë, nuk mund t'u shërbejë njerëzve nëse përjashtojnë nga jeta ata që janë gati të vijnë në botë, e nëse nuk i ndihmojnë në varfëri materiale dhe shpirtërore.

Një njerëzim, një planet, një Zot i mirë krijues

Përfundimi i Papës i kushtohet angazhimit të të gjitha feve në shërbim të vëllazërisë universale. Ai këshillon që titulli i konferencës, "Një Njerëzim, Një Planet", meriton të plotësohet me "Një Zot":

Duke e njohur Atë si krijuesin e mirë, fetë tona na bëjnë thirrje të kontribuojmë në përparimin shoqëror, duke kërkuar gjithmonë atë të mirë të përbashkët të bazuar në drejtësi e paqe.

31 janar 2026, 15:11