Papa në audiencë me drejtuesit dhe agjentët e Inspektoratit të Sigurimit Publik pranë Vatikanit (@Vatican Media) Papa në audiencë me drejtuesit dhe agjentët e Inspektoratit të Sigurimit Publik pranë Vatikanit (@Vatican Media)

Papa sigurisë publike: drejtësia dhe ndershmëria janë busulla për jetën e punën

Drejtuesit dhe personelin e Inspektoratit të Sigurisë Publike pranë Vatikanit, pritur sot audiencë, Papa i falënderoi për shërbimin e tyre të përditshëm e, në veçanti, për përkushtimin e tyre gjatë ngjarjeve të mëdha të vitit të kaluar: Jubileut, vdekjes dhe funeralit të Papës Françesku dhe Konklavit. Mjedisi i sigurt është "ndihmë e madhe për lutjen". E në lutjen drejtuar Shën Mikelit Kryeengjëll, pajtorit të Policisë së Shtetit, "program dhe stil shërbimi".

R.SH. / Vatikan

Kjo punë e paçmuar garanton sigurinë e Papës, të "bashkëpunëtorëve të tij dhe të shumë shtegtarëve e turistëve që vizitojnë Bazilikën e Shën Pjetrit" dhe Shtetin e Qytetit të Vatikanit. Këtë punë kryejnë çdo ditë drejtuesit dhe personeli i Inspektoratit të Sigurisë Publike në Vatikan,  pritur në audiencë sot, 19 janar, nga Leoni XIV, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik. Papa Leoni XIV i falënderoi të gjithë për angazhimin e tyre të përditshëm dhe për gjithçka që arritën "gjatë Jubileut të përfunduar  pak ditë më parë” si dhe me rastin e vdekjes së Papës Françesku e funeralit të tij, e edhe më pas Konklavit. "Këto ishin ditë intensive, të cilat sigurisht vunë në provë forcën tuaj" - kujtoi Papa Prevost - duke vënë në dukje se drejtuesit dhe agjentët e Inspektoratit të Sigurimit Publik pranë Vatikanit "ishin në gjendje ta mbanin ritmin me ngjarjet që u zhvilluan kaq shpejt, ndonjëherë të planifikuara dhe ndonjëherë të paparashikueshme, duke siguruar që gjithçka të vazhdonte në mënyrë të rregullt dhe duke punuar, si gjithmonë, me frymë sakrifice, profesionalizmi, shkathtësie e maturie".

Një kontribut për të mirën e të gjithëve

Në vitin e kaluar, më se tridhjetë e tre milionë shtegtarë vizituan Romën dhe vendet e Jubileut, "para së gjithash Bazilikën e Vatikanit dhe zonat përreth", e ata që shërbenin në Inspektoratin e Sigurisë Publike të Vatikanit "duhej të drejtonin radhë të pafundme njerëzish e edhe turma të mëdha, të shoqëronin lëvizjet dhe të ruanin sigurinë, në mot të mirë e të keq dhe me orare e ritme, që shpesh ishin të papërshtatshme dhe të kërkuara" - theksoi Papa. Ati i Shenjtë Leoni XIV shprehu edhe një falënderim për anëtarët e familjes që “u përfshinë në këto dinamika, duke u përshtatur me kërkesat e angazhimeve dhe turneve të jashtëzakonshme të punës”, shpesh duke hequr dorë nga prania e të dashurve të tyre.

Rendi dhe siguria janë dhurata, të cilat kërkojnë flijim nga ata që i garantojnë, megjithatë kontribuojnë ndjeshëm për të mirën e të gjithëve: në këtë rast, jo vetëm në kryerjen praktike të aktiviteteve në përputhje me rregullat, por edhe në kryerjen e tyre në një atmosferë të qetë e paqësore. Një mjedis i sigurt është me të vërtetë ndihmë e madhe për lutjen, dhe shumë vizitorë - disa që mbërrijnë në Romë pas udhëtimeve të gjata dhe sakrificave fizike dhe financiare - mundën ta përjetojnë këtë në muajt e fundit, falë edhe nga ju.

Lutja drejtuar Shën Mikelit Kryeengjëll: busulla e jetës

Leoni XIV, më pas, kujtoi lutjen drejtuar Shën Mihillit, Kryeengjëllit, Pajtorit Qiellor të Policisë, duke kërkuar "ndihmën e tij qiellore për të siguruar harmoninë, ndershmërinë dhe paqen e qytetarëve në mënyrë që - në përkim me çdo ligj - të ushqehet fryma e vëllazërisë njerëzore". E për këtë arsye, kërkohet "drejtësi për mendjet", "energji për vullnetet", "ndershmëri për dashuritë", "për qetësinë e shtëpive" dhe "për dinjitetin e tokës". Për Papën, këto janë "fjalë të bukura, të cilat shprehin një program e një stil shërbimi" dhe "tregojnë rrugën e rritjes së vazhdueshme personale e komunitare" të cilat, në vitin e kaluar, "u mishëruan me besnikëri" nga punonjësit e Inspektoratit të Sigurisë Publike në Vatikan. Shpresa e Papës është që "secili, brenda sferës së tij ose të saj të përgjegjësisë" dhe me ndihmën e asistentëve shpirtërorë, ta bëjë atë "gjithnjë e më shumë" "busull për jetën dhe punën e tij ose të saj”.

Do të doja të përsërisja fjalët që Papa Benedikti XVI ia drejtonte Inspektoratit tuaj disa vite më parë: "Prania juaj - thoshte - miq të dashur, qoftë garanci gjithnjë e më efektive e atij rendi dhe asaj qetësie të mirë, që janë themelore për ndërtimin e një jete shoqërore paqësore dhe të rregullt, e që, përveçse të mësuar nga mesazhi ungjillor, janë shenjë e qytetërimit të mirëfilltë".

Duke e kryer fjalimin, Leoni XIV ua besoi të gjithë "mbrojtjes amtare të Marisë" e "të Shën Mëhillit Kryeengjëll", duke siguruar lutjen dhe bekimin e tij për personelin e Inspektoratit dhe familjet e tij.

19 janar 2026, 15:40