Papa Leoni XIV me disa besimtarë (foto arkivore) Papa Leoni XIV me disa besimtarë (foto arkivore)

Papa: t’i vëmë në lëvizje vlerat katolike, për të ndërtuar Evropën më paqësore e më të drejtë

Mesazh i Leonit XIV, nënshkruar nga kardinali Parolin, për Konferencën Evropiane me temë "Ndërtimi i Paqes në Evropë", organizuar në Luksemburg nga Fondacioni Centesimus Annus, së bashku me COMECE dhe Shkollën luksemburgeze të fesë e të shoqërisë: "Asnjë bashkësi a kontinent nuk mund të jetojë në paqe dhe të lulëzojë pa të vërteta të përbashkëta, që informojnë normat dhe vlerat e tij".

R.SH. - Vatikan

“Kjo Konferencë dhëntë kontribut në nxitjen e rolit të vlerave katolike për ndërtimin e një kontinenti evropian më paqësor e më të drejtë". Ky, urimi i Papës Leoni XIV për Konferencën evropiane, organizuar sot, 23 janar, në Luksemburg me temë "Ndërtimi i paqes në Evropë: çfarë roli luajnë mendimi shoqëror katolik dhe vlerat universale?"Konferenca organizohet nga Fondacioni Centesimus Annus Pro-Pontefice, së bashku me COMECE dhe Shkollën e luksemburgeze të fesë dhe të shoqërisë.

E vërteta sot, e katandisur në opinion të thjeshtë

Mesazhi, i nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, drejtuar Presidentit të Centesimus Annus, Profesor Paolo Garonna, u lexua sot paradite nga Imzot Bernardito Cleopas Auza, Nunc Apostolik në Bashkimin Evropian. Në tekst, Papa Leoni XIV shpreh vlerësimin e tij për temën e zgjedhur, "veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh sot ngurrimin e madh për t’i diskutuar vlerat universale që feja ose çdo sistem besimi mund t’i kontribuojë për të mirën e përbashkët të shoqërisë". "Ndërsa ky ngurrim lind për arsye të ndryshme, kriza nën të është përhapja e relativizmit dhe reduktimi i së vërtetës thjesht në një mendim", pohon Leoni XIV. Në vijim të mesazhit thekson se "asnjë bashkësi, e aq më pak një kontinent, nuk mund të jetojnë në paqe dhe të lulëzojnë, pa të vërteta të përbashkëta, që informojnë normat dhe vlerat e tyre".

Vlera e Doktrinës sociale të Kishës

Papa, më pas, ripohon nevojën e ngutshme për të theksuar "të vërtetën se personi njerëzor u krijua sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Zotit". Në këtë drejtim, Papa Leoni kujtoi fjalët e Gjon Palit II në enciklikën Centesimus Annus, sipas së cilës "asnjë përparim i mirëfilltë nuk është i mundur pa respektuar të drejtën natyrore dhe themelore, për të njohur të vërtetën dhe për të jetuar sipas saj".

Nga kjo perspektivë, doktrina shoqërore e Kishës katolike ka shumë për të ofruar sepse - kujton Papa Leoni XIV - i "kapërcen kufijtë dhe ofron një platformë për interesa kolektive dhe për një mënyrë jetese, duke e bërë kështu të mundur bashkëjetesën paqësore".

23 janar 2026, 15:40