Papa, të rinjve të Romës: jeta me kënaqësi, por pa dashuri, na zhgënjen, jemi krijuar për të vërtetën

Papa duke pritur mijëra të rinj e të reja në Vatikan, trajton shqetësimet e tyre në një epokë, që shpesh i lë vetëm, të çorientuar, përtacë. Nuk i këshillon të dorëzohen para "maskave të kënaqësisë" përdor-e-flak, por të besojnë në dashurinë e Zotit, që nuk të braktis kurrë. Reklamimi ka audiencë më të madhe, sesa dëshmia, thekson Papa, i cili i fton për të mos e harruar kurrë lutjen: "Ajo thyen zinxhirët e krenarisë e të indiferencës". Dhimbje për viktimat e Crans-Montanës

"Kur jemi të bashkuar, s’ ka vështirësi që nuk mund ta kapërcejmë."

Një himn për miqësinë pushton zemrat e tejkalon hapësirat. Papa u prit dje prej mijëra të rinjve nga Dioqeza e Romës, në Sallën Pali VI. Shumë prej tyre janë jashtë, po ai nuk do t'i harrojë. Me këtë përshëndetje,  do të ndjekin takimin me një brez që dëshiron ta riqarkullojë energjinë dhe shpresën nga ekranet e mëdha të vendosura jashtë. Nuk është hera e parë që Papa u drejtohet me fjalë të shkurtra dhe të menduara, atyre që mbetën jashtë Bazilikës së Vatikanit ose Sallës Nervi. Ky kujdes e kjo vëmendje nënvizon dëshirën e tij për një përqafim, që i përfshin të gjithë, një mënyrë për të thënë se nuk ka mure, as kufij e as gardhe. "Sa do të doja të ishim të gjithë bashkë", shton ai, "jo vetëm në ekran, por personalisht, sepse në takime e ndjejmë veten në paqe. Ndjehemi në paqe, sepse të gjithë jemi vëllezër dhe motra në Jezu Krishtin, miku ynë më i mirë", shton duke folur lirisht. Para kësaj, duke u ndalur për një çast jashtë Sallës, thekson:

"Është shumë e rëndësishme të përpiqemi për të ndërtuar marrëdhënie njerëzore, miqësi të mira dhe, mbi të gjitha, miqësi me Jezusin".

Të jesh vetëm, shpesh herë do të thotë vuajtje, por Jezusi është gjithmonë me ne

Falënderimet janë edhe për ata që vijnë nga vende të tjera: "bienvenidos"- “mirëseardhet”. Ftesa, që në fillim, është të përpiqemi për ta përjetuar vërtet së bashku "këtë frymë miqësie, vëllazërie, bashkësie". Papa pranon se "të jesh vetëm shpesh, është vuajtje". Por e ka një ilaç:

Kur jemi me miqtë, kur jemi me familjen, kur jemi me ata që na duan dhe kujdesen për ne, mund të shkojmë përpara. Duhet ta keni gjithnjë këtë guxim! E Jezusi ju dhëntë gjithmonë besimin e aftësinë për të thënë: 'Po, o Zot, unë të ndjek, eci me ty.' Po ne e dimë se Jezusi është gjithmonë me ne, gjithmonë ecën me ne. Zoti ju bekoftë!

Trishtim e dhimbje për viktimat e Crans-Montana

Pasi dëgjoi dëshmitë e Matteos, të baritorisë së rinisë, për dy binjakët që ndjekin një famulli romake dhe të një studenti të Universitetit La Sapienza, e para se të merrte tekstin e përgatitur, Papa kujtoi ata që ishin jashtë, në të ftohtë, e tha disa fjalë të shpejta, duke rrëfyer se si, pak para takimit, mori një mesazh nga mbesa e tij, grua e re. Shkruante: "Xhaxha, si ia del me kaq shumë probleme të botës, me kaq shumë shqetësime?". E më pas, me të njëjtën pyetje: "A nuk ndihesh vetëm? Si vazhdon të shkosh përpara?". E përgjigjja kryesisht je ti! Sepse nuk jemi vetëm - shprehet Leoni. “Së bashku” është fjala që përsëritet në fjalimin e tij, ku përfshin, duke i bërë jehonë asaj që kishte thënë Kardinali Vikar i dioqezës së Romës Reina, një mendim për të rinjtë që humbën jetën në Crans-Montana. Shprehu për ta “trishtim dhe dhimbje”, duke kujtuar:

Jeta është aq e çmuar, sa nuk mund t’i harrojmë kurrë ata që vuajnë. Fatkeqësisht, ato familje, ende në zi, tani duhet të kërkojnë si ta kapërcejnë atë dhimbje. Kjo është edhe arsyeja pse lutjet tona, uniteti ynë, kanë rëndësi: që të mbetemi gjithmonë të bashkuar, si miq, si vëllezër.

Më pas Leoni kujtoi poetët, për t’i folur auditorit në festë. Disa ditë para përfundimit të Jubileut, e prisnin padurim Pasardhësin e Pjetrit për një takim gëzimi, inkurajimi, ndarjeje dhe fillimi të ri. Shumë prej tyre i jetuan ato “ditë të paharrueshme”, siç i quan Papa, gjatë Vitit  Shenjt, me mijëra bashkëmoshatarë të tyre nga e gjithë bota, në Romë për të jetuar një përvojë të jashtëzakonshme njerëzore dhe shpirtërore. Të shoqëruar nga edukatorë, priftërinj dhe rregulltarë që merren me shërbesën rinore, dje, më 10 janar, ata ishin para Papës për t'i hapur zemrat, që ai të përgjigjej me një fjalim të mençur dhe atëror.

Një jetë me lidhje pa marrëdhënie ose me dëshira pa dashuri, na zhgënjen

Papa citoi vargjet e famshme të Salvatore Quasimodos në "E shpejt u bë mbrëmje" për t'i bërë të rinjtë të zgjohen, të përshkuar nga një dritë që nuk shuhet kurrë, ajo e Krishtit. Është Ai që "i ngroh zemrat tona dhe i ndez  me dashurinë e Tij". E është te Zoti, ai që duhet t'ia besojë veten, veçanërisht në dëshpërim dhe errësirë: "Kur ndiheni vetëm", këshillon Papa, "atëherë mbajeni mend se Zoti nuk ju braktis kurrë". Gjëja e rëndësishme është të shohim përtej vetes, "duke kërkuar bashkim dhe vëllazëri". Atje është i gjithë krijimi.

E kështu Leoni tregon rrugën për të kapërcyer izolimin, madje edhe mes zhurmës së shoqërisë dhe opinioneve bashkëkohore, në shkëlqimin e "imazheve të fragmentuara".

Një jetë me lidhje pa relacione ose me lidhje pa dashuri na zhgënjen, sepse jemi krijuar për të vërtetën: kur ajo mungon, vuajmë. Jemi krijuar për të mirën, por maskat e kënaqësisë përdor-e- flak e tradhtojnë dëshirën tonë.

Një botë gri bëhet mikpritëse sepse e banuar nga Zoti

Takimi autentik me Jezusin ka fuqi shndërruese për individët e për bashkësitë. Me këtë bindje, Papa gëzohet për ata, të cilët besuan se i përkasin mjediseve famullitare që gjallërojnë dhe rigjallërojnë, megjithëse për këta të rinj përpjekja për të kundërshtuar botëkuptimet dhe modelet që shkojnë në një drejtim krejtësisht të ndryshëm, është ndonjëherë shumë e madhe. Oratoria dhe realiteti i shoqatave mund të ndihmojnë, nëse janë të qarta për disa dinamika themelore:

Mos prisni që bota t'ju mirëpresë me krahë hapur: reklama, e cila duhet të shesë diçka për të konsumuar, ka një audiencë më të madhe sesa dëshmia, e cila kërkon të ndërtojë miqësi të sinqerta. Prandaj, veproni me gëzim dhe këmbëngulje, duke e ditur se për të ndryshuar shoqërinë, së pari duhet të ndryshojmë veten. Dhe ju tashmë më keni treguar se jeni të aftë të ndryshoni veten dhe të ndërtoni këto miqësi. Në këtë mënyrë, ne mund ta ndryshojmë botën, në këtë mënyrë,mund të ndërtojmë një botë paqeje.

Një jetë e shenjtë është një jetë e shëndetshme

Këtu Papa hapi një parantezë, menjëherë, duke bërë një analogji interesante gjuhësore: fjala "i shenjtë" ka të njëjtën rrënjë si fjala "i shëndetshëm". Lind një reflektim, që përkthehet në një injeksion të mëtejshëm guximi:

Nëse duam vërtet të jemi shenjtorë, duhet të fillojmë me një jetë të shëndetshme dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin për të gjetur mënyra e për të shmangur ato gjëra që, për fat të keq,... varësitë, kaq shumë situata që përjetojnë të rinjtë. Ne jemi dëshmitarë, miqtë e vërtetë janë ata që shoqërojnë, ata që mund të ofrojnë vërtet një jetë të shëndetshme, sepse të gjithë jemi shenjtorë. Dhe kjo varet edhe nga ju. Mos kini frikë ta pranoni këtë përgjegjësi.

Lutja thyen zinxhirët e mërzisë, të krenarisë e të indiferencës.

Leoni XIV vazhdon të shprehë gjithë dashurinë e tij dhe niset në një "Të dua" të fuqishme e të butë. Duke interpretuar krizat e të rinjve, i kërkon Zotit "një jetë të mirë dhe të vërtetë" për secilin prej tyre. Një "jetë të shenjtë", të vërtetë. E kujton gjithë konkretësinë që thotë në dritën e Ungjillit, në dritën e besimit në një Zot që "dha jetën e tij për ne". Pa abstraksione, shkurt. E ja ku vjen citimi nga një poet tjetër, Clemente Rebora, që shkroi për një Dashuri të lindur nga gjaku, nga Kryqi. Kjo është dashuri e vërtetë, vëren Papa, "sepse është besnike, pa interes vetjak", që na çliron nga frika. Dashuri, që mund të japë vetëm frytet e paqes.

Të dashur të rinj, angazhimi juaj në shoqëri e në politikë, në familje, në shkollë dhe në Kishë, niset nga zemra dhe do të jetë i frytshëm. Fillon nga Zoti, e do të jetë i shenjtë.

Duke kujtuar fjalët e shqiptuara me rastin e Natës pa gjumë të Jubileut të Rinisë në Tor Vergata, Papa foli përsëri për miqësinë e cila, nëse themelohet mbi Krishtin, është "ylli ynë udhërrëfyes". Në këtë drejtim, rishfaqen edhe fjalët e Papës Françeskut, duke nxjerrë në pah një nga paradokset e mëdha të të rinjve të sotëm, shpesh të ngarkuar me shumë gjëra materiale, por të zbrazur nga kuptimi, të humbur.

[...] një zemër e mbushur me shpërqendrime nuk mund ta gjejë rrugën e saj, por ata që e dëshirojnë, tashmë fillojnë të çlirohen nga ajo që i bllokon. Pakënaqësia është jehonë e së vërtetës: nuk duhet t'ju frikësojë, sepse tregon qartë boshllëkun që e bën rrëmujë jetën, duke e reduktuar në një mjet në lëvizje për diçka tjetër.

E mira e vërtetë nuk mund të blihet, as të pushtohet me armë.

Për të folur konkretisht, Papa përfundon duke theksuar se akti më konkret që e bën i krishteri për të mirën e tij, për të mirën e atyre që e rrethojnë dhe për botën, është lutja. Shembulli i lutjes së Marisë, e quajtur "Poetja më e madhe" në këngën Magnificat, është më i përshtatshmi: ajo shpreh butësi dhe zell në të njëjtën kohë. "Nuk është çështje të bësh përpjekje mbinjerëzore", saktësoi Leoni, "as të kryesh herë pas here ndonjë vepër bamirësie: është çështje të jetosh si burra dhe gra që kanë Krishtin në zemrat e tyre, që e dëgjojnë atë si Mësues dhe e ndjekin si Bari". Nga kjo perspektivë, bëhet e qartë se lutja është “akt lirie, që i copton zinxhirët e mërzisë, të krenarisë e të indiferencës”, thekson Pasardhësi i Pjetrit. Mjafton, edhe një herë, t’i shikojmë shenjtorët:

Sa të lirë janë! Së bashku me ta, të ecim përpara në udhëtim, duke e ditur  se e mira e vërtetë në jetë nuk mund të blihet me para ose të pushtohet me armë, por mund të dhurohet, thjesht sepse Zoti ua jep të gjithëve me dashuri.

“Kisha e Romës është gjallë!”

Mbështetja e ndërsjelltë konfirmohet, shkëlqen, është e dukshme. Atyna dhe bekimi papnor përfundojnë një ngjarje me peshë të jashtëzakonshme, që vazhdoi për një kohë të gjatë me përqafime, buzëqeshje e, mbi të gjitha, me një përshëndetje të veçantë: “Mirupafshim dhe udhë të mbarë!”.

11 janar 2026, 12:50