Papa në audiencë me lëvizjen apostolike «Regnum Christi» Papa në audiencë me lëvizjen apostolike «Regnum Christi»

Papa u drejtohet të kushtruarve: Mos druani të provoni forma të reja të qeverisjes

Papa Leoni XIV priti në audiencë pjesëmarrësit në Asambletë e Përgjithshme të lëvizjes apostolike «Regnum Christi» në Vatikan. Ai i inkurajoi ata t’i qëndrojnë besnikë ndaj karizmës së tyre, duke e përshtatur atë me sfidat e reja shoqërore dhe kulturore. Në fund, Ati i Shenjtë i nxiti ata të ushqejnë frymën e bashkësisë brenda Shoqërisë së Jetës së Shuguruar – prej nga buron autoriteti i prirur drejt shërbimit për të tjerët.

R.Sh. Vatikan

Mbarështoni karizmën e besnikërisë ndaj gurrës fillestare të Shoqërisë së Jetës Apostolike, administroni "qeverisjen" përmes "shqyrtimit të përbashkët" dhe gjithmonë promovoni "bashkësinë". Këto janë "tri pikat" për reflektim që Leoni XIV propozoi, në fjalimin e tij të mbajtur në spanjisht, drejtuar të shuguruarve, anëtarë të lëvizjes apostolike «Regnum Christi», të cilët aktualisht po marrin pjesë në Asambletë e tyre të Përgjithshme. Papa i priti ata në audiencë këtë mëngjes, më 29 janar, në Sallën e Koncistorit të Pallatit Apostolik të Vatikanit.

Zbatimi i karizmës në situata të reja shoqërore

Karizma, tha Papa, është pikërisht "një dhuratë e Shpirtit Shenjt", mënyra se si Shpirti "e ringjall" jetën e Kishës dhe "i jep energji misionit të saj". Është kjo që i jep Institutit ose Shoqërisë së Jetës Apostolike "identitetin" e saj specifik", shtoi Ipeshkvi i Romës. Pikërisht kjo është ajo "që e bën cilësore dhe të dallueshme praninë tuaj në Kishë dhe në botë".

Sot, më shumë se kurrë, është e nevojshme të dimë se kush jemi nëse duam të dialogojmë në mënyrë autentike me shoqërinë pa u zhytur ose konformuar me të.

Leoni XIV citoi paraardhësin e tij, Papa Françeskun, i cili, në një fjalim drejtuar pjesëmarrësve në Asamblenë e Përgjithshme të Lëvizjes Fokolare më 6 shkurt 2021, i inkurajoi të pranishmit "t’u rrinë besnikë gurrës së karizmës së hershme, duke u përpjekur ta formulojnë atë rishtas dhe ta shprehin në dialog me situata të reja shoqërore dhe kulturore". Është pikërisht "energjia karizmatike" që duhet të "gjallërojë misionin që kryeni dhe të ndriçojë rrugën që duhet ndjekur".

Vendimet merren pasi janë shqyrtuar bashkarisht

"Për këtë qëllim," vazhdoi Papa, është e rëndësishme që "qeverisja" e Shoqërisë, e thirrur për të "nisur procese të pjekura vendimmarrjeje", të zhvillohet në një "klimë shqyrtimi të vërtetë": për ta bërë këtë, ajo kërkon "bashkësi". Shqyrtimi i çështjeve në bashkësi është mjedisi ideal në të cilin vendimet piqen, të cilat, nga ana tjetër, forcojnë bashkimin.

Një qeveri plotësisht ungjillore, për më tepër, është gjithmonë e orientuar drejt shërbimit: ajo mbështet, shoqëron dhe ndihmon çdo anëtar të përputhet gjithnjë e më shumë me personin e Shpëtimtarit. Në këtë kuptim, shqyrtimi i përbashkët është çasti i privilegjuar ku vendimet mund të piqen, dhe këto sjellin bashkim dhe bashkëpërgjegjësi.

Ne duhet të gjejmë "stilin tonë në ushtrimin e autoritetit", në mënyrë që të hapim "shtigje" të reja që "forcojnë ndjenjën e përkatësisë", shtoi Leoni XIV. Për këtë arsye, inkurajoi Papa, "nuk duhet të keni frikë të provoni modele të reja qeverisjeje".

Promovimi i "Bashkësisë së ngushtë"

Nëse vendimet e qeverisjes piqen në "bashkësi", vazhdoi Papa, çdo anëtar i Shoqërisë ka detyrën të kontribuojë në kultivimin e saj.

Ju jeni të thirrur të nxisni një bashkim gjithnjë e më të thellë brenda të gjithë familjes, duke e ndarë përshpirtërinë dhe veprimtarinë apostullore me të tjerë, duke e jetuar plotësisht thirrjen e posaçme në të cilën Zoti ju ka thirrur si anëtarë të Shoqërisë së cilës i përkisni.

Papa Leoni XIV, duke cituar grishjen apostolike të vitit 1996 të Shën Gjon Palit II, me titull «Vita Consacrata», kujtoi se "të gjithë janë të thirrur për shenjtëri; të gjithë bashkëpunojnë në ndërtimin e të vetmit Trup të Krishtit, secili sipas thirrjes së tij ose të saj dhe dhuratës që i ka dhënë Shpirti i Shenjtë". "Bashkësia organike, sadoqë ka dallime", theksoi Ati i Shenjtë Prevost, është "vepër e Shpirtit të Shenjtë". Ajo është një forcë "besnike" dhe e pashtershme që "transformon çdo thirrje në shërbim të të tjerëve" dhe e bën "Trupin e Krishtit" të rritet gjatë gjithë historisë në mënyrë që "të mund të përmbushë misionin e tij në botë".

Ne të gjithë jemi në udhëtim, në të cilin Zoti vazhdon të frymëzojë ëndrrat e tij përmes profetëve të djeshëm dhe të sotëm, për të çliruar njerëzimin nga format e vjetra dhe të reja të skllavërisë, duke përfshirë të rinj dhe të moshuar, të varfër dhe të pasur, burra dhe gra, shenjtorë dhe mëkatnorë në veprat e mëshirës së Tij dhe mrekullitë e drejtësisë së Tij.

Në fund të fjalimit, Leoni XIV i ftoi të gjithë personat e shuguruar të lëvizjes apostolike «Regnum Christi» t'ia besojnë Marisë, Yllit të Mëngjesit, "përgjigjen tonë" për dhuratat e çuditshme që Hyji na ka falur, e cila "ende na befason dhe shfaqet pranë nesh, përmes mënyrave që për ne janë të pamendueshme".

Asambletë e përgjithshme të «Regnum Christi»

Seanca plenare e burrave të shuguruar filloi më 25 janar, ndërsa seanca plenare e grave të shuguruara, që ka nisur më 12 janar, do të vijojë deri më 14 shkurt. Kapitulli dhe asambletë e «Regnum Christi» janë organe drejtuese, të thirrura çdo gjashtë vjet. Secilës i paraprin një reflektim.

29 janar 2026, 11:52