Leoni XIV: Kisha e palëkundur kundër çdo forme të antisemitizmit

Me rastin e Ditës së Kujtimit, Papa ripohon në një postim në platformën sociale X besnikërinë ndaj qëndrimit të shprehur në deklaratën e Koncilit të Dytë të Vatikanit Nostra Aetate dhe dënimin e çdo diskriminimi ose ngacmimi për arsye gjuhe, kombësie ose feje. Një zë që bashkohet me ata të Papëve të kaluar, duke filluar nga Piu XII, i cili në mesazhin radiofonik të Krishtlindjes së vitit 1942 denoncoi: qindra mijëra njerëz “vetëm për arsye të kombësisë ose të racës, janë destinuar për vdekje”

R.SH. – Vatikan

Kujtesa nuk është një ushtrim i thjeshtë kognitiv. Ajo mund të jetë një mësim ndriçues që mund të shpëtojë njerëzimin nga ngjarje tragjike që tashmë janë përjetuar në histori. Në veçanti, Dita e Kujtimit, e cila kremtohet çdo vit më 27 janar për të nderuar viktimat e Holokaustit, nuk është thjesht një datë e dobishme për studentët, për t'iu mundësuar atyre "përsëritjen" e disa njohurive para një provimi ose një pyetjeje për faqe dramatike të lidhura me Luftën e Dytë Botërore.

Dita e Kujtimit është, para së gjithash, një thirrje për vetëdijen e brendshme të çdo burri dhe gruaje, në mënyrë që sistemi imunitar i familjes njerëzore të forcohet përballë tmerreve të mundshme dhe të reja si: humnerat e historisë kur mbizotërojnë mbi vëllazërinë një nacionalizëm ekstrem, mosbesimi dhe gjuha e urrejtjes. Fjalët e Papëve për Holokaustin shkojnë në këtë drejtim. Ato janë një paralajmërim që tmerri të mos harrohet dhe antisemitizmi të mos mbijë më.

Jo më pak të rëndësishme janë fjalët që Leoni XIV, shpreh mendimin e tij për këtë përvjetor në një postimi në platformën X @Pontifex: "Sot, Dita e Kujtimit dëshiroj të kujtoj se Kisha mbetet besnike ndaj qëndrimit të fortë të Deklaratës #NostraAetate kundër të gjitha formave të antisemitizmit dhe refuzon çdo diskriminim ose ngacmim për arsye etnike, gjuhe, kombësie ose feje".

Piu XII dhe shfarosja "vetëm për arsye prejardhjeje"

Zërat e Papëve gjatë gjithë historisë, ngrihen për të dhënë alarmin përballë katastrofave njerëzore kryer me brutalitet sistematik, në heshtje. Thirrja e sinqertë e ndonjëherë e vetmuar përhapet edhe kur pjesa më e madhe e botës është ende e pavetëdijshme për të vërtetat e tmerrshme. Më 24 dhjetor 1942, në mesazhin e tij radiofonik të Krishtlindjes, Papa Piu XII kujtoi qindra-mijëra njerëz që vuanin e vdisnin vetëm për arsye "prejardhjeje".

A dëshirojnë thua popujt të qëndrojnë duarkryq përballë një progresi kaq katastrofik? Apo nuk duhet që, mes rrënojave të një rendi shoqëror që  demonstroi në mënyrë kaq tragjike paaftësinë e tij për të mirën e popullit, të bashkojnë zemrat e të gjithë atyre që janë bujarë dhe të ndershëm në betimin solemn për të mos pushuar derisa, ndërmjet gjithë popujve dhe kombeve të tokës, të krijohet legjioni i atyre që, të vendosur ta kthejnë shoqërinë në qendrën e patundur të gravitetit të ligjit hyjnor, dëshirojnë shërbimin e personit dhe të përbashkësisë së tij të fisnikëruar në Zotin?

(...) Njerëzimi ua ka borxh këtë betim qindra mijëra njerëzve që, pa asnjë faj, ndonjëherë vetëm për shkak të kombësisë ose prejardhjes, u caktuan për vdekje ose prishje progresive.

Fjalët e Benediktit XVI për ato të Papës Pacelli

Fjalët e Piut XII gjatë mesazhit radiofonik në Krishtlindjen e vitit 1942 janë referencë e qartë për shfarosjen e hebrenjve. Këtë theksoi Papa Benedikti XVI në vitin 2008, gjatë Meshës Shenjte në kujtim të 50-vjetorit të vdekjes së Papës Pacelli.

E si mund ta harrojmë mesazhin e tij radiofonik të Krishtlindjes të dhjetorit 1942? Me një zë që dridhej nga emocionet, shprehu keqardhjen për gjendjen e vështirë të "qindra mijëra njerëzve që, pa asnjë faj, ndonjëherë thjesht për shkak të kombësisë a racës së tyre, u dënuan për vdekje ose për rënie progresive", refrencë e qartë për dëbimin dhe shfarosjen kryer kundër hebrenjve. Shpesh vepronte fshehurazi e në heshtje pikërisht sepse, në dritën e situatave konkrete të atij çasti kompleks historik, ndjeu se vetëm në këtë mënyrë mund të shmangej më e keqja dhe të shpëtohej numri më i madh i mundshëm i hebrenjve. Për këto ndërhyrje, shprehje të shumta dhe unanime mirënjohjeje iu drejtuan në fund të luftës, si dhe në çastin e vdekjes, nga autoritetet më të larta të botës hebraike, siç ishte Ministrja e Jashtme Izraelite Golda Meir, e cila shkroi: ‘Kur martirizimi më i tmerrshëm goditi popullin tonë, gjatë dhjetë vjetëve të terrorit nazist, zëri i Papës u lartua në emër të viktimave".

Kujtimet e dhimbshme të Gjon Palit II

Fjalët e Papës gjerman, shqiptuar në vitin 2008, gërshetohen me "kujtimet e tmerrshme e të dhimbshme" të Ipeshkvit të parë polak të Romës. Në audiencën e përgjithshme të 26 qershorit 1996, Papa Gjon Pali II kujtoi udhëtimin e tij të tretë apostolik në Gjermani, duke e përqendruar reflektimin në një qytet.

Emri "Berlin", në shpirtrat e njerëzve të brezit tim, vazhdon të ngjallë kujtime të tmerrshme e të dhimbshme. Ky qytet, si kryeqytet i Rajhut të Tretë, ishte qendra e iniciativave katastrofike politike dhe ushtarake, që peshuan rëndë mbi fatin e Evropës, veçanërisht të kombeve fqinje. Nga Berlini, në vitin 1939, erdhi vendimi i tmerrshëm për të filluar Luftën II Botërore. Atje u zbatuan projektet çnjerëzore të kampeve të përqendrimit e, në veçanti, e ashtuquajtura "Zgjidhja Përfundimtare", e vendosur në Konferencën e Wannsee, e cila bëri thirrje për shfarosjen e hebrenjve që jetonin në Gjermani dhe në kombe të tjera evropiane: Shoah-u famëkeq. Mjerisht, në Berlin u mblodh, për fat të keq, një sasi e madhe dhimbjesh dhe vuajtjesh njerëzore: plagët nuk janë shëruar ende plotësisht.

Pali VI dhe një akt heroik ndodhur në Auschwitz

Kampet e shfarosjes janë vende dhimbjeje të thellë dhe të papërmbajtshme. Në Auschwitz, njerëzimi u zhyt në barbari të papërshkrueshme, në një zinxhir vdekjesh. Por edhe në këtë varg ngjarjesh dramatike, ka shkëndija shprese, sfida dhe njerëz shprese. Gjatë Engjëllit të Tënzot, më 17 tetor 1971, Papa Pali VI reflektoi mbi dëshminë e jashtëzakonshme dhe të shenjtë ofruar nga një prift polak,  tejet i devoçëm i Zojës së Papërlyer.

A e dini çfarë bëmë këtë mëngjes në Shën Pjetër: kryem ritin solemn të lumnimit të një rregulltari të Fretërve të Vegjël Konventualë, Atë Maksimilian Maria Kolbe... Lufta, si do ta kujtoni, pushtoi Poloninë nga Perëndimi dhe Lindja... Këtu u dukën "Lagers" famëkëqinj, kampet e përqendrimit, brenda të cilave u rraskapitën dhe u shfarosën qenie të panumërta njerëzore, veçanërisht hebrenj e polakë,. (...) Në një nga këto kampe, quajtur Auschwitz (Oswiecim), u mbyll edhe Kolbe. Këtu ndodhi akti heroik i bamirësisë, që e bëri të famshëm... Atë Kolbe dhuroi veten, duke zëvendësuar një atë të pafat, të panjohur e të pafajshëm, e duke pranuar dënimin me vdekjen e tmerrshme të urisë!

Leoni XIV, britma e dhimbjes drejtuar Zotit

Edhe kur forca e së keqes duket se mbizotëron, do të triumfojë dashuria. E shpëtimi do të vijë! Papa Leoni XIV e kujtoi këtë gjatë Meshës, më 5 tetor 2025, me rastin e Jubileut të Botës Misionare dhe të Migrantëve.

Përballë këtyre skenarëve të errët, ridëgjohet britma lartuar Zotit kaq shumë herë gjatë historisë: Pse, o Zot, nuk ndërhyn? Pse dukesh se mungon? Kjo britmë dhimbjeje është formë lutjeje, që përshkon gjithë Shkrimin Shenjt, e, këtë mëngjes, e dëgjuam nga profeti Habakuk: "Deri kur, o Zot, do të bërtas për ndihmë, e ti nuk më dëgjon [...]. Pse më bën të shoh paudhësi e rri si spektator i shtypjes?" (Hab 1:2-3). Papa Benedikti XVI, që i kishte trajtuar këto pyetje gjatë vizitës së tij historike në Auschwitz, e kujtoi rishtas temën në një katekizëm, duke deklaruar: "Zoti hesht, e kjo heshtje e copton shpirtin e njeriut që lutet, që thërret pa pushim, por nuk merr përgjigje. [...] Zoti duket kaq i largët, kaq harrimtar, kaq mangut" (Kat. 14 shtator 2011). Përgjigja e Zotit, megjithatë, na sjell shpresën. Nëse profeti padit forcën e pashmangshme të së keqes që duket se mbizotëron, Zoti, nga ana e tij, njofton se e gjithë kjo do të ketë një fund, një afat kohor, sepse shpëtimi do të vijë e nuk do të vonojë: "Ja, ai që nuk është i drejtë në shpirtin e tij do të bjerë, por i drejti do të jetojë përmes fesë së tij" (Hab 2:4).

Françesku dhe mësimi i Shoah

Përballë Holokaustit, në veçanti mbetet një pyetje, që nuk mund të lihet kurrë mënjanë. Çfarë na mëson Shoah? Fjalët e thëna nga Papa Françesku gjatë vizitës së tij në sinagogën e Romës më 17 janar 2016, janë thirrje për t'i pasur gjithnjë të hapur sytë e zemrat tona.

Popullit hebre, gjatë gjithë historisë së tij, iu desh të jetojë dhunë e persekutim, deri në shfarosjen e hebrenjve evropianë gjatë Shoah. Gjashtë milionë njerëz, thjesht sepse i përkisnin popullit hebre, qenë viktima të barbarisë më çnjerëzore kryer në emër të një ideologjie që kërkonte të zëvendësonte njeriun me Zotin. Më 16 tetor 1943, mbi një mijë burra, gra dhe fëmijë nga komuniteti hebre i Romës u deportuan në Aushvic. Sot, dëshiroj t'i kujtoj ata me gjithë zemër, veçanërisht... Dhe e kaluara duhet të shërbejë si mësim për të tashmen e të ardhmen. Holokausti na mëson se duhet të jemi gjithmonë tejet vigjilentë, në mënyrë që të mund të ndërhyjmë menjëherë në mbrojtje të dinjitetit njerëzor dhe të paqes.

Këtë na mëson Holokausti: t’i kemi gjithnjë hapur sytë dhe zemrat, sepse tmerre të reja mund të fshihen edhe në çarjet e ndërgjegjes sonë.

nga Amedeo Lomonaco 

27 janar 2026, 12:49