Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026 fillojnë të premten e ardhshme, më 6 shkurt. (AFP ose licencuesit) Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026 fillojnë të premten e ardhshme, më 6 shkurt. (AFP ose licencuesit)

Leoni XIV: gjatë Lojërave Olimpike Dimërore të ndalen konfliktet në mbarë botën

Pas lutjes mariane të Engjëllit të Zotit, Ati i Shenjtë Leoni XIV nxit respektimin e “armëpushimit olimpik” për periudhën e Milano-Cortina 2026. Mendimi i Papës shkon për Mozambikun, Portugalinë dhe Italinë, ku përmbytjet dhe ciklonet kanë shkaktuar ditët e fundit viktima dhe dëme të mëdha materiale. Së fundi, ftesa për t’u lutur për mbi 200 të vdekurit nga rrëshqitja e fundit e dheut në Republikën Demokratike të Kongos.

R.SH. – Vatikan

Duke kujtuar fillimin e afërt të Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike Milano-Cortina 2026, Papa Leoni XIV, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, uroi që manifestimi, siç ndodhte në kohët e lashta, të sjellë armëpushimin në të gjitha konfliktet e armatosura, në mbarë botën.

Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina fillojnë të premten e ardhshme, të ndjekura nga Lojërat Paraolimpike. U shpreh urimet e mia më të mira organizatorëve dhe të gjithë atletëve. Këto ngjarje të mëdha sportive përcjellin një mesazh të fuqishëm vëllazërie dhe ringjallin shpresën për një botë me paqe. E ky është edhe kuptimi i Armëpushimit Olimpik, zakon i lashtë që shoqëron Lojërat.

Kështu shkruan Papa që, më pas, iu drejtua përgjegjësve për vendimet, duke kërkuar guxim, që të ecin drejt paqes dhe dialogut.

Shpresoj se ata, të cilët u kujdesen për paqen ndërmjet popujve dhe që kanë pozita autoriteti, me këtë rast do të bëjnë hapa konkrete drejt uljes së tensioneve dhe të dialogut.

Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Kortina 2026 do të zhvillohen nga 6 deri më 22 shkurt. Do të pasohen nga Lojërat Paraolimpike, të cilat do të paraqesin atletë me aftësi të kufizuara, planifikuar më 6 deri më 15 mars. "Armëpushimi Olimpik" është  traditë shekullore, e lindur në Greqinë e Lashtë, ku u shpikën Lojërat, që më pas u ringjallën nga ati i Lojërave Olimpike moderne, Pierre de Coubertin dhe, së fundmi, nga Kombet e Bashkuara.

Lutje për viktimat e rrëshqitjes së dheut në Kivu

Duke e drejtuar shikimin drejt vendeve më në vështirësi në këtë kohë, Papa shprehu ngushëllimet e tij për më shumë se 200 vdekjet e shkaktuara nga një rrëshqitje dheu në Republikën Demokratike të Kongos, Afrikë, pasojë e shirave të rrëmbyera në minierën për nxerrjen e koltanit të Rubayas.

Ju siguroj lutjet e mia për shumë viktima të rrëshqitjes së dheut në një minierë në Kivu-së Veriore, në Republikën Demokratike të Kongos. Zoti i ndihmoftë ata njerëz që vuajnë kaq shumë.

Mendime për Mozambikun, Portugalinë dhe Italinë

Papa kërkon rishtas inkurajim e lutjeve për njerëzit e Mozambikut, Portugalisë dhe Italisë, vende të sulmuara ditët e fundit nga ciklone të dhunshme dhe përmbytje të rënda. Përafërsisht 400,000 njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe mbi 130 njerëz vdiqën në kombin afrikan, ndërsa Italia jugore u godit nga Cikloni Harry, i cili shkaktoi dëme të mëdha materiale, e Portugalia, nga Stuhia Kristin, e cila mori të paktën pesë jetë.

Lutemi gjithashtu për të ndjerit dhe për ata që vuajnë nga stuhitë, të cilat ditët e fundit goditën Portugalinë dhe Italinë jugore. E, të mos e harrojmë as popullin e Mozambikut, të prekur rëndë nga përmbytjet.

Dita Kombëtare për viktimat e luftës

Së fundi, Leoni XIV kujtoi Ditën Kombëtare për Viktimat Civile të Luftërave dhe Konflikteve në Botë, themeluar nga Parlamenti në vitin 2017 për të ruajtur kujtimin e atyre që ranë në luftërat e kaluara dhe për të rritur ndërgjegjësimin për gjendjen e vështirë të atyre që ende vuajnë si pasojë e konflikteve të armatosura në të gjithë botën, kremtuar sot në Italinë jugore.

Kjo nismë, për fat të keq është tragjikisht në kohën e duhur. Çdo ditë regjistrohen viktima civile  të veprimeve të armatosura, që i shkelin hapur moralin dhe ligjin.

Vetëm paqja, përfundoi Papa, mund ta nderojë vërtet kujtimin e kaq shumë viktimave në mbarë botën.

Të vdekurit dhe të plagosurit e djeshëm e të sotëm do të nderohen vërtet kur të mbarojë kjo padrejtësi e patolerueshme.

01 shkurt 2026, 16:11