Papa: 𝐭𝐞̈ 𝐬𝐡𝐩𝐚𝐥𝐥𝐢𝐦 𝐯𝐞̈𝐥𝐥𝐚𝐳𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐧𝐞̈ 𝐛𝐨𝐭𝐞̈𝐧 𝐪𝐞̈ 𝐞 𝐟𝐥𝐚𝐤 𝐩𝐚𝐪𝐞𝐧 𝐬𝐢 𝐧𝐣𝐞̈ ❞𝐮𝐭𝐨𝐩𝐢❞ 𝐭𝐞̈ 𝐭𝐞𝐣𝐤𝐚𝐥𝐮𝐚𝐫
R.SH. / Vatikan
"Fusha abstrakte e ideve", bashkimi i shpërfillur si "utopi e kohërave të kaluara": vizione të largëta, të cilat duhet të kundërshtohen nga "nevoja urgjente" për një vëllazëri më të fortë se konfliktet, dallimet dhe tensionet. Ky është kontrasti që Papa Leoni XIV e thekson në mesazhin e botuar sot, 4 shkurt, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vëllazërimit Njerëzor dhe dhënies së Çmimit Zayed, që i kushtohet.
Nevoja urgjente për vëllazëri
Papa Leoni XIV kujton përvjetorin e shtatë të nënshkrimit të Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor për Paqen Botërore dhe Bashkëjetesën nga Papa Françesku dhe Imami i Madh Ahmed Al-Tayeb, rast që na lejon ta festojmë "çka është më e çmuar dhe më universale në njerëzimin tonë": bashkimin, lidhje “e pazgjidhshme, që bashkon çdo qenie njerëzore".
Sot, nevoja për këtë vëllazëri nuk është ideal i largët, por domosdoshmëri urgjente.
Vëllazëria, viktima e parë e ndeshjeve
Papa përmend shumë - "tepër" - vëllezër dhe motra në botën e sotme, që vuajnë tmerret e dhunës e të luftës, duke kujtuar atë që shkroi Papa Françesku në enciklikën e tij Fratelli tutti: viktima e parë e çdo konflikti është "vetë projekti i vëllazërimit, i shkruar në thirrjen e familjes njerëzore".
Në një kohë kur ëndrra për ta ndërtuar paqen së bashku, shpesh shpërfillet si "utopi e kohëve të tjera", duhet të shpallim me bindje se vëllazërimi njerëzor është realitet i jetuar, më i fortë se të gjitha konfliktet, dallimet dhe tensionet. Potencial, që duhet të realizohet përmes angazhimit të përditshëm e konkret, për respekt, ndarje, dhembshuri e mëshirë.
Mos rrini në "botën e ideve"
"Fjalët nuk mjaftojnë", pati pohuar Papa dhjetorin e kaluar, duke iu drejtuar anëtarëve të Komitetit të Çmimit Zayed. Thirrje, që ripohohet edhe në këtë mesazh, duke kujtuar se si bindjet më të thella kërkojnë "kultivim të vazhdueshëm, përmes përpjekjeve të prekshme". Leoni XIV kujton, së pari, nxitjen e tij apostolike, Dilexi te, në të cilën shkruan: "Të rrish në botën e ideve e të diskutimeve, pa gjeste personale të shpeshta dhe të përzemërta, do të thotë t’i rrënosh ëndrrat tona më të çmuara". Pastaj kthehet te Fratelli tutti: si vëllezër e motra, të gjithë jemi të thirrur për të shkuar përtej periferive dhe që të "konvergojmë" në një "ndjesi të plotë përkatësie të ndërsjellë".
Fituesit e Çmimit, "mbjellës të Shpresës"
Çmimi Zayed, vazhdon Papa, u shpreh nderimin atyre që qenë në gjendje t'i përkthejnë këto vlera në "dëshminë e vërtetë të mirësisë e të bamirësisë njerëzore". Duke iu drejtuar drejtpërdrejt fituesve të çmimeve - Ilham Aliyev, President i Republikës së Azerbajxhanit; Nikol Pashinyan, Kryeministër i Republikës së Armenisë; zonja Zarqa Yaftali dhe organizatës palestineze Taawon - Leoni XIV i quan "mbjellës shprese", në një botë që është shumë e vështirë për t’u jetuar. Shpesh ndërton mure, në vend të urave. Duke zgjedhur rrugën e vështirë të solidaritetit mbi rrugën e lehtë të indiferencës, ata dëshmuan se edhe përçarjet më të thella mund të shërohen përmes veprimeve konkrete. Puna e tyre dëshmon besimin se drita e vëllazërisë mund të mbizotërojë mbi errësirën e vëllavrasjes.
I afërmi ynë të mos shikohet si i huaj, a si kërcënim.
Mesazhi përfundon me mirënjohjen ndaj Leonit XIV për Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, President i Emirateve të Bashkuara Arabe, për mbështetjen e tij të palëkundur të iniciativës, si dhe të vetë Komitetit Zayed për "vizionin dhe bindjen e tij morale". Të vazhdojmë të punojmë së bashku, në mënyrë që dinamika e dashurisë vëllazërore të bëhet rrugë e përbashkët për të gjithë, që "tjetri" të mos shikohet më si i huaj a si kërcënim, por të njihet si vëlla e si motër.
