Leoni XIV: « sporti është profeci e paqes, po Armëpushimit Olimpik»
R.SH. Vatikan
Këto faqe janë frymëzuar nga një reflektim i thellë mbi sportin si mjet për të ndërtuar paqen, për të edukuar, për të qenë shkollë jete, në të cilën dikush përjeton kufizime. Janë për një "disfatë pa dëshpërim" dhe "fitore pa arrogancë", në të cilën dikush prek "jetën me shumicë" që buron "nga ndarja, respekti dhe gëzimi i ecjes së bashku".
«Jeta me shumicë» është letra e Papa Leonit XIV, e botuar sot, më 6 shkurt, mbi vlerën e sportit dhe me rastin e hapjes së Lojërave të XXV Olimpike Dimërore, të cilat fillojnë sot dhe zgjasin deri më 22 shkurt në Milano dhe Cortina d'Ampezzo, dhe Lojërave të XIV Paraolimpike, të cilat do të zhvillohen nga 6 deri më 15 mars, po këtu. Me këtë rast, Papa bën thirrje për respektimin e armëpushimit olimpik në këtë botë në luftë.
«I inkurajoj me zemër të gjitha kombet, me rastin e Lojërave të ardhshme Olimpike dhe Paralimpike Dimërore, të rizbulojnë dhe respektojnë këtë instrument shprese që është armëpushimi olimpik, simbol dhe profeci e një bote të pajtuar.» – ushtoi thirrja e Papës për paqen në prag të lojrave olimpike, ashtu siç ishte dikur zakon në Greqinë e lashtë.
Letra e Papës Leonit XIV për jetën me shumicë dhe vlerën e sportit
Armëpushimi olimpik, si mjet shprese
Papa kujton paraardhësit e tij, të cilët gjithmonë i kanë caktuar sportit "një rol të rëndësishëm për të mirën e njerëzimit, veçanërisht në promovimin e paqes". Ai më pas kujton se armëpushimi olimpik lindi nga marrëveshja për të pezulluar të gjitha armiqësitë dhe është një mjet që duhet kthyer prap, veçanërisht në këtë kohë konflikti, ku sundon "kultura e vdekjes", sepse është i dobishëm për t'i dhënë fund "abuzimit, shfaqjeve të forcës dhe mospërfilljes të së drejtave".
Kur sporti bëhet «game»
Vlerat, por edhe rreziqet që rrjedhin nga vizioni i shtrembëruar i sportit, u përmendën më pas nga Papa në dokumentin e tij. Veçanërisht dopingu, kulti i fitimit, korrupsioni kur sporti bëhet biznes, tifozllëku që shndërrohet në fanatizëm, shfrytëzimi politik i garave sportive dhe përdorimi i teknologjisë për ta shndërruar sportin në "një laborator eksperimentimi" ose lojë video.
Konceptimi si «game» i sporteve, i cili të gjithë përvojën e redukton thjesht në rezultate, nivele dhe interpretime të përsëritshme, rrezikon ta ndajë sportin nga kuptimi i tij i vërtetë dhe marrëdhëniet konkrete. Loja, gjithmonë e rrezikshme, e papritur dhe e pranishme, zëvendësohet nga një simulim që premton kontroll të plotë dhe kënaqësi të menjëhershme.
Hapësirë për dialog
Duke vështruar si përdoren fjalët që lidhen me sportin në shkrimet e autorëve të krishterë, Papa synon të nxjerrë në pah unitetin e thellë midis dimensioneve të ndryshme të qenies njerëzore: trupit dhe shpirtit. Ai gjithashtu citon përvoja të frytshme, të tilla si ato të Shën Filip Nerit dhe Shën Gjon Boskos, për të cilët sporti përfaqësonte një mundësi për ungjillëzim. Duke reflektuar mbi Koncilin e Dytë të Vatikanit dhe Jubiletë e Sportit, Papa Leoni thekson në letrën e tij se përvoja sportive është "hapësirë e privilegjuar për marrëdhënie dhe dialog me vëllezërit dhe motrat tona që i përkasin traditave të tjera fetare, si dhe me ata që nuk identifikohen me asnjërën prej tyre".
Papa Leoni XIV: Gjatë olimpiadave dimërore të ndalen konfliktet në të gjithë botën
Leo XIV: Le të ndalen konfliktet në të gjithë botën gjatë Lojërave Olimpike Dimërore. Pas lutjes së Engjëllit të Tenzot, më datë 1 shkurt të këtij viti, Papa nxiti respektim të traditës së "armëpushimit olimpik" për Lojërat Olimpike Milano-Cortina 2026.
Të mësosh të falësh
Ati i Shenjtë Prevost nuk harroi të përmend tenisin, sportin që ai praktikon, por edhe theksoi përvojën emocionuese të dy lojtarëve që e shtyjnë veten deri në zgrip: një përvojë "që e këput prirjen drejt egoizmit", nxit punën në grup, e cila, nëse nuk është e njollosur nga "kulti i fitimit", e rrit ndjenjën e vëllazërisë.
Loja me të tjerët ndonjëherë nënkupton edhe konfliktet, si të veprosh me frustrimet dhe dështimet. Është madje e nevojshme të mësosh të falësh. Kështu, marrin trajtë virtytet themelore personale, të krishtera dhe civile. – thotë Papa Leoni XIV
Të përfshihen të gjithë dhe të ketë më shumë solidaritet
Figurat edukative si trajnerët janë thelbësore në këtë proces. Nëse frymëzohen nga vlerat shpirtërore, ato mund të përcjellin "një kulturë ekipi", shkruan Papa, "të bazuar te dashuria, e cila respekton dhe mbështet çdo person, duke i inkurajuar ata të shprehin anën më të mirë të tyre".
Mundësia për të bërë sport është, sipas Papës, një parim që duhet ndjekur me vendosmëri sepse shumë fëmijë, duke u munguar burimet financiare, ndjehen të përjashtuar. Po kështu, vajzat dhe gratë në shoqëri të ndryshme. Ndërkohë, "ndonjëherë, në formimin fetar, veçanërisht në botën femërore, ka mosbesim dhe frikë në lidhje me veprimtaritë sportive". "Vlerat e njëmendta të sportit", thekson Leoni XIV, nxisin përfshirjen e të gjithëve dhe solidaritetin".
Diktatura e performancës sportive
Një nga rreziqet e theksuara në letrën e Papës Prevost është ai i shikimit të sportit si biznes ku "vetëm ajo që mund të numërohet ka rëndësi", gjë që pjell një obsesion për rezultatet dhe paratë që fitohen. Njeriu zbehet si figurë, shfaqet korrupsioni dhe kumari, duke zhgënjyer kështu publikun e gjerë.
Diktatura e performancës mund të çojë në përdorimin e barnave që rrisin performancën dhe formave të tjera të mashtrimit, dhe mund t'i bëjë lojtarët të përqendrohen te llogaritë e tyre bankare në vend të besnikërisë kundrejt sportit.
Leoni XIV: Olimpiadat dimërore të nxisin vlerat e vërteta të sportit
Leo XIV: Lojërat Olimpike Dimërore të Promovojnë Vlerat Autentike të Sportit.
Në një telegram të datës 30 janar, drejtuar kardinal Cantonit, ipeshkvit të Komos, dhe të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit Parolin, Leoni XIV shprehu shpresën e tij që Lojërat Olimpike Milano-Kortina mund të nxisin vlerat e vërteta të sportit
Të refuzohet dopingu
Konkurrenca sportive, kur është e vërtetë —shkruan në telegramin e tij Leoni XIV—nënkupton një pakt të përbashkët etik: pranimin me besë të rregullave!
Refuzimi i dopingut dhe i të gjitha formave të korrupsionit nuk është vetëm një çështje disiplinore, por një çështje që prek vetë zemrën e sportit. Ndryshimi artificial i performancës ose blerja e rezultatit do të thotë prishja e kuptimit të vetë garës
Kujdesi i plotë për personin
Ekziston edhe një rrezik tjetër që Leoni XIV thekson: shndërrimi i stadiumeve në "katedrale laike", ndeshjet si "liturgji kolektive", atletët si "figura shpëtimi". Ky sakralizim thekson nevojën për kuptim dhe bashkim, "por rrezikon të zbrazë si sportin ashtu edhe dimensionin shpirtëror të ekzistencës". Një rrezik që Papa e quan rreziku i narcizizmit kur atleti mbetet "i fiksuar në pasqyrën e trupit të tij, të suksesit të tij që matet sipas dukjes dhe pëlqimit të tifozave".
Trans-humanizmi dhe inteligjenca artificiale
Duke kundruar sa bukuri ka sporti, Papa kujton se një shtrembërim tjetër ka të bëjë me shfrytëzimin politik të garave, të cilat nga vende takimi bëhen "skena për afirmimin e interesave politike ose ideologjike".
Gjithashtu duhet të jemi të kujdesshëm, bën thirrje Leoni XIV, kundër ndikimit të trans-humanizmit dhe inteligjencës artificiale në botën e sportit, të cilat "rrezikojnë të fusin një ndarje artificiale midis trupit dhe mendjes, duke e transformuar atletin në një produkt të përsosur, të kontrolluar dhe të përmirësuar përtej kufijve që ka vendosur vetë natyra".
Kur teknologjia nuk është më në shërbim të individit, por pretendon ta përkufizojë atë rishtas, sporti humbet përmasën e vet njerëzore dhe simbolike, duke u bërë laborator eksperimentimesh.
