Papa kundër trafikimit të qenieve njerëzore Papa kundër trafikimit të qenieve njerëzore

Papa: paqja fillon me dinjitetin e çdo njeriu

Mesazh për Ditën e XII Botërore të Lutjes dhe Reflektimit kundër Trafikimit të Njerëzve, që bie më 8 shkurt. Leoni rinovon thirrjen për t’u bashkuar në “udhëtimin drejt një bote ku paqja të mos jetë vetëm mungesë lufte”, por të jetë “e çarmatosur dhe çarmatosëse”, e rrënjosur në “respektin për dinjitetin e të gjithëve”. Nga Ati i Shenjtë vjen edhe një paralajmërim kundër “skllavërisë informatike”, në të cilën njerëzit bien pre e “aktiviteteve kriminale, si mashtrimet online dhe trafiku i drogës”

R.SH. / Vatikan

Leoni XIV ka dënuar ashpër trafikun e qenieve njerëzore, duke e cilësuar atë si një “krim të rëndë”, një “plagë” dhe një “tregti të tmerrshme”, që buron nga logjika e dominimit dhe përçmimit të jetës njerëzore. Mesazhi i Papës u publikua me rastin e Ditës së XII Botërore të Lutjes dhe Reflektimit kundër Trafikut të Personave, që shënohet më 8 shkurt, me temën: “Paqja fillon me dinjitetin”.

Papa thekson se paqja e vërtetë nuk është thjesht mungesë lufte, por një paqe “e çarmatosur dhe çarmatosëse”, e rrënjosur në respektin e plotë të dinjitetit të çdo personi. Ai paralajmëron se në një botë të shënuar nga dhuna dhe konfliktet, jeta njerëzore shpesh trajtohet si “dëm anësor”, e sakrifikuar për interesa politike ose ekonomike.

Sipas Papës, luftërat, paqëndrueshmëria gjeopolitike dhe pabarazia në rritje mes të pasurve dhe të varfërve krijojnë terren të favorshëm për trafikantët, të cilët shfrytëzojnë veçanërisht më të pambrojturit: migrantët, refugjatët, gratë dhe fëmijët. Ky realitet ushqen një sistem shfrytëzimi që ai e quan “paradigmë e dështuar”.

Papa Leoni XIV ndalet edhe te një fenomen i ri alarmues, ai i “skllavërisë informatike”, ku njerëzit tërhiqen ose detyrohen të përfshihen në aktivitete kriminale si mashtrimet online apo trafiku i drogës, duke u shndërruar nga viktima në autorë të krimit dhe duke thelluar plagët e tyre shpirtërore.

Përballë këtyre sfidave, Papa fton në lutje dhe reflektim, duke i konsideruar ato mjete thelbësore për të luftuar indiferencën ndaj padrejtësisë dhe për të zbuluar format e fshehta të shfrytëzimit, si në shoqëri ashtu edhe në hapësirat digjitale. Sipas tij, trafikimi i njerëzve mund të mposhtet vetëm përmes një vizioni të ri që e sheh çdo person si një fëmijë të dashur të Zotit.

Lulëzimi alarmues i tregtimit të njerëzve është një nga problemet më të ngutshme ekonomike, shoqërore e politike, që shoqërojnë procesin e globalizimit. Njëkohësisht, edhe kërcënim për sigurinë e kombeve të veçanta dhe çështje e ngushtme e drejtësisë ndërkombëtare

Në përfundim, PapaLeoni XIV shpreh mirënjohje për të gjitha organizatat dhe rrjetet që ndihmojnë viktimat e trafikut dhe nderon veçanërisht të mbijetuarit që janë kthyer në mbështetës të viktimave të tjera. Mesazhin e tij ai e beson ndërmjetësimit të Shën Jozefina Bakhitës, vetë viktimë e trafikut njerëzor, duke e paraqitur jetën e saj si një dëshmi të fuqishme shprese.

06 shkurt 2026, 16:10