Në kthetrat e ngricës ukrainase, ngrohtësia e solidaritetit të Papës

Leoni XIV, përmes Lëmoshtarisë apostolike, ka dërguar në Ukrainë 80 gjeneratorë të energjisë për popullatën e munduar nga lufta dhe të ftohti. Po ashtu, janë dërguar edhe barna si antibiotikë, antiinflamatorë, por dhe ushqime.

R.SH. / Vatikan

Lutja për Ukrainën, e kërkuar nga Papa gjatë audiencës së përgjithshme të mërkurën më 4 shkurt, u shndërrua në bamirësi përpara "pasojave të bombardimeve që – siç tha Leoni XIV – kanë vazhduar të godasin edhe infrastrukturat energjetike". Nga salla Pali VI, ajo kërkesë e Papës, e shoqëruar me fjalë mirënjohjeje për nismat e solidaritetit që janë shfaqur në shumë dioqeza, kryesisht në Poloni, u bë konkrete falë Lëmoshtarisë apostolike, e cila, me urdhër të Papës, dërgoi në Ukrainë tre kamionë me 80 gjeneratorë.

Papa pranoi kështu kërkesën e shumë ipeshkvijve, të cilët ishin të vetëdijshëm për vuajtjet e popullatës për shkak të luftës dhe vështirësive që shkakton të ftohtit dhe akulli që përfshin vendin. Temperaturat gjatë natës në Ukrainë arrijnë deri në -15 gradë, ndërsa gjatë ditës luhaten nga -10 deri në -12 gradë. Shumë njerëz janë të detyruar të braktisin shtëpitë e tyre për të kërkuar ngrohtësi në strehimet e ngrohura, ku, falë gjeneratorëve, mund të marrin edhe një vakt të ngrohtë.

Gjeneratorë dhe medikamente

Mjetet që nisën nga Bazilika e Shën Sofisë, në Romë, kisha e ukrainasve në Itali, kanë mbërritur tashmë në Fastiv dhe Kiev, qytete janë goditur rëndë nga sulmet e fundit. Po ashtu, edhe këtë natë ka pasur sulme ushtarake në Odesë dhe Harkiv, ku një fëmijë 10-vjeçar humbi jetën. Lufta nuk ka mëshirë as për më të vegjlit. Në këtë atmosferë frike dhe dhune, çdo gjest solidariteti është një frymëzim lehtësimi për ata që po përjetojnë traumën e konfliktit tash katër vjet. Përveç gjeneratorëve, në Ukrainë janë dërguar mijëra kuti me barna, shtesa ushqimore dhe melatoninë që kërkohet shumë, pasi ndihmon për të fjetur gjatë këtyre kohëve frike dhe stresi të vazhdueshëm.

Falënderimi për ata që nuk lodhen duke ndihmuar

Dikasteri i Vatikanit për Shërbimin e Bamirësisë njofton gjithashtu se po përfundon ngarkimi i një kamioni me mijëra antibiotikë, antiinflamatorë, antihipertensivë dhe ushqime të ndryshme. Pasi të mbërrijnë ndihmat në vend, shpërndarja do të bëhet përmes rrjetit famullitar të dioqezave të ndryshme. Kjo valë ndihme është e mundur falë Bankës Farmaceutike dhe rrjetit të kompanive farmaceutike të ndryshme, grupit Procter&Gamble dhe, siç thekson kardinali Konrad Krajewski, i cili falënderon në emër të Papës, të gjithë njerëzve të mirë që nuk lodhen kurrë së ndihmuari ata që vuajnë.

09 shkurt 2026, 14:49