Një statut për Misionin e Fondacionit Sahel në këtë kohë të re
Në pritjen e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin më 29 janar, Leoni XIV urdhëroi miratimin e Statutit të ndryshuar të Fondacionit ‘Gjon Pali II për Sahelin’. Kështu, statusi kanonik i këtij fondacioni përshtatet me rregullat e personave juridikë të Kuries Romake dhe legjislacionin mbi trashëgiminë e Selisë Apostolike. Kjo u njoftua në një përgjigje me shkrim të botuar të enjtent, më 5 shkurt, nga Zyra e Shtypit e Vatikanit.
Si lindi ky fondacion
Ishin fjalët e Gjon Palit II, më 10 maj 1980, në Ouagadougou, kryeqytetin e Voltës së Sipërme – që tashtu quhet Burkina Faso – të cilat ndezën shkëndijën që çoi në krijimin e Fondacionit për Sahelin, i cili mban emrin e tij edhe sot e kësaj dite. Përballë mungesës së ujit dhe ushqimit, si edhe rritjes së sipërfaqes së shkretërirës, papa polak pati dhënë kushtrimin që e gjithë bota të veprojë, duke u shndërruar në "zërin e atyre që nuk kanë zë: në zërin e të pafajshmëve që vdiqën sepse u mungonte uji dhe buka; zëri i baballarëve dhe nënave që panë fëmijët e tyre të vdisnin pa e kuptuar se po vdisnin".
Fondacioni ‘Gjon Pali II për Sahelin’ u krijua, me miratimin e Papës për statutet e tij, më 22 shkurt 1984, në mënyrë që thirrja e tij solemne të zbatohej dhe të mbetej një shenjë e dukshme e dashurisë së tij për vëllezërit dhe motrat e tij afrikane. Statuti e përcakton fondacionin si person juridik të Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit të Plotë Njerëzor, i cili mbarështohet nga ligjet e Vatikanit dhe ligji civil i zbatueshëm për entitetet juridike me seli në Qytetin e Vatikanit. Selia ligjore e regjistruar e fondacionit është Vatikani, ndërsa selia e operative është në Ouagadougou.
Statuti i ri është rezultati i një procesi të gjatë dhe të përbashkët reformash
Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Promovimin e Zhvillimit Njerëzor, në një deklaratë, shprehu kënaqësinë për publikimin e Statutit të ri, "rezultat i një procesi të gjatë dhe të përbashkët të reformës institucionale të Fondacionit". "Emërimi i delegatit papnor imzot Florent Hassa Koné, ipeshkëv i San-it, në Mali, dhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të Fondacionit, u bë në dhjetor 2024", thuhet në deklaratë, "me qëllim shoqërimin e hapave të fundit të këtij procesi në dialog të vazhdueshëm me Selinë e Shenjtë". Ky udhëtim, theksohet, është ndjekur nga Dikasteri Selisë së Shenjtë për Promovimin e Zhvillimit Njerëzor në bashkëpunim me sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, sekretarinë për Ekonominë dhe Guvernatoratin. Me statutin e ri, thuhet në deklaratë, "Fondacioni bëhet edhe më afër kishës lokale, duke shoqëruar në proceset drejt një progresi më të shpejtë dhe të qëndrueshëm dhe duke iu përgjigjur posaçërisht sfidave të shumta me të cilat përballet rajoni".
Veprimtari sipas parimeve të zhvillimit të plotë njerëzor dhe në mbështetje të tij
Fondacioni përfshin nëntë vende në rajonin e Sahelit: Burkina Faso, Kepi i Gjelbër, Gambia, Guinea-Bissau, Mali, Mauritania, Nigeria, Senegali dhe Çadi. "Objektivi kryesor i Fondacionit" – lexohet në Statut, "është nxitja e formimit të njerëzve që i përkushtohen shërbimit ndaj vendit të tyre dhe bashkëqytetarëve të tyre, pa diskriminim, në frymën e zhvillimit njerëzor integral dhe mbështetës, për të luftuar rritjen e sipërfaqes së shkretëtirës dhe shkaqet e saj, dhe për t’u dhënë ndihmë viktimave të thatësirës në vendet e Sahelit". Prandaj, fondacioni i jep përparësi trajnimit të lehtësuesve dhe ekspertëve vendas, si dhe financimit të projekteve në fushat e mëposhtme: zhvillim teknik, kujdes social dhe shëndetësor, zhvillim shoqëror-bujqësor, zhvillim shoqëror-ekonomik, zhvillim integral dhe politika të mjedisit.
Papa i dhuroi fondacionit të ardhurat nga mbledhjet e lëmoshës organizuara në të gjithë botën katolike në dobi të Sahelit. Organet drejtuese të fondacionit janë bordi i drejtorëve, kryetari, zëvendëskryetari, sekretari i përgjithshëm, auditori dhe arkëtari. Mbledhja e bordit të drejtorëve do të mbahet në Dakar, Senegal, në mesin e shkurtit.
