Shelling of a residential area in Kramatorsk

Papa: e ardhmja e njerëzimit është në vëllazëri, jo në strategjitë ushtarake

Leoni XIV në përfundim të lutjes mariane të Engjëllit të Zotit, na ftoi të lutemi për paqen, kujtoi dhunën në Nigeri që shpërtheu rishtas këto ditë. E pasi kujtoi Ditën botërore të trafikimit, shprehu afërsinë me popujt e Portugalisë, Marokut, Spanjës dhe Italisë, të prekur nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës.

R.SH. / Vatikan

Të vazhdojmë të lutemi për paqen. Strategjitë e fuqisë ekonomike e ushtarake - na mëson historia - nuk i japin të ardhme njerëzimit. E ardhmja është në respekt e në vëllazëri ndërmjet popujve.

Është thirrje e fuqishme kjo e Papës Leoni që, nga dritarja e Pallatit Apostolik, në përfundim të lutjes së Engjëllit të Zotit, ua drejtoi besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit. Foli për lutjen si antidot kundër luftës, për historinë si mësuese e së ardhmes, për të nesërmën e brezave të rinj, të rrezikuar nga konfliktet vdekjeprurëse.

Afërsia me Nigerinë

Në mendimet e Papës është dhuna në Nigerinë e tronditur nga ndeshjet ndërkomunitare. Në pak ditë, dy sulme në shtetin Benue shkaktuan vdekjen e 30 personave; mbi 50 vetë u rrëmbyen në bastisjet ndër katër fshatra të ndryshme, në shtetin Kaduna. "Me hidhërim dhe shqetësim - deklaroi Leoni XIV - mësova për sulmet e fundit kundër komuniteteve të ndryshme në Nigeri, të cilat shkaktuan humbje të mëdha jetësh njerëzore".

Shpreh afërsinë time lutëse për të gjitha viktimat e dhunës e të terrorizmit. Shpresoj se autoritetet kompetente do të vazhdojnë të punojnë me vendosmëri për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e çdo qytetari.

Solidaritet për popullatat e prekura nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës

Papa shpreh afërsinë e tij edhe me popullatat e Portugalisë, Marokut, Spanjës, veçanërisht Grazalemës në Andaluzi e Italisë jugore, të prekura nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës. Që nga 25 janari, Niscemi, në provincën e Caltanissetta, po përballohet me një rrëshqitje të madhe toke, shkaktuar nga shirat e vazhdueshme dhe toka argjilore pranë qytetit. Sipas autoriteteve, u zhvendosën më se 1,500 vetë.

I inkurajoj komunitetet të qëndrojnë të bashkuara dhe në solidaritet, me mbrojtjen amtare të Virgjërës Mari.

Dita botërore e trafikimit: paqja fillon me dinjitet

Papa Leoni kujtoi edhe Ditën e sotme botërore të lutjes dhe të reflektimit kundër trafikimit të qenieve njerëzore, me temë: "Paqja fillon me dinjitet. Thirrje për t'i dhënë fund trafikimit". Është ditë në kujtim të Shën Jozefina Bakhitës, grua e re sudaneze, simbol i çlirimit nga skllavëria. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, fenomeni prek afërsisht 27 milionë njerëz, kryesisht gra, të mitur, migrantë dhe ata që janë detyruar të largohen për shkak të konfliktit dhe ndryshimeve klimatike.

Falënderoj murgeshat dhe të gjitha ata që u angazhuan për të luftuar dhe për të zhdukur format aktuale të skllavërisë. Së bashku me ta, them: paqja fillon me dinjitet!

Shembulli i At Salvatore Valera Parra

Nga trafikimi - te lumnimi i Atë Salvatore Valera Parra, kremtuar dje, më 7 shkurt, në Juércal-Overa, pranë Almerias, Spanjë, kryesuar nga Kardinali Marcello Semeraro, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve. "Famullitar i përkushtuar plotësisht ndaj popullit të tij", e quajti Papa, "i përulur dhe i vëmendshëm në bamirësinë baritore".

Shembulli i tij si meshtar i përqendruar në gjërat themelore, qoftë nxitje për priftërinjtë e sotëm, që të jenë besnikë në jetën e tyre të përditshme, të jetuar me thjeshtësi dhe përpikmëri.

Së fundi, një përshëndetje për shtegtarët e pranishëm nga vende të ndryshme të botës, si dhe për të rinjtë e lidhur me tre oratorë në Dioqezën e Brescias.

08 shkurt 2026, 14:30