Papa Leoni XIV Papa Leoni XIV

Papa Leoni XIV denoncon "gjuhën e re orvelliane" që përjashton kumte

Duke iu drejtuar Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë janarin që kaloi, Papa Leoni XIV paralajmëroi kundër "dobësimit të fjalës", e cila mbrohet gjoja në emër të lirisë së shprehjes. Dekani i Fakultetit të Filozofisë në Universitetin Papnor Gregorian, Atë Gaetano Piccolo, e analizon këtë paralajmërim për mediat e Vatikanit në dritën e romanit "1984" të shkrimtarit britanik dhe reflektimeve të Shën Agustinit mbi "inopia loquendi".

R.SH. Vatikan

"Duhet gjithashtu të theksohet se paradoksi i këtij ligështimi të fjalës shpesh përmendet në emër të vetë lirisë së shprehjes. Megjithatë, pas një shqyrtimi më të përpiktë, del se është e vërtetë e kundërta: liria e fjalës dhe e shprehjes garantohet pikërisht nga siguria e gjuhës dhe nga fakti që çdo skaj/fjalë është e lidhur me të vërtetën. Megjithatë, është e trishtueshme të vëresh se si, veçanërisht në Perëndim, hapësira e lirisë së vërtetë të shprehjes po zvogëlohet gjithnjë e më shumë, ndërsa një gjuhë e re, me një shije orwelliane, po zhvillohet. Përpjekjet e saj për të qenë gjithnjë e më gjithëpërfshirëse, po e bëjnë atë të përjashtojë gjithçka që nuk përputhet me ideologjitë që e frymëzojnë."

Duke e lexuar rishtas këtë fragment nga fjalimi i Papa Leoni XIV drejtuar Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë më 9 janar 2026, nuk mund të mos mendosh për romanin e famshëm të George Orwell-it, «1984», i cili tregoi se si "kontrolli i gjuhës ndikon thellësisht në kontrollin e mendimit". Në të njëjtën kohë, ka një përputhje me Shën Agustinin këtu, një shenjt i dashur për Papën.

Augustini flet për «inopia loquendi» – që shqip do të thotë «varfëria e fjalës» – duke e lidhur atë me misterin e Mishërimit, në të cilin "Zoti erdhi ndër njerëzit duke i pranuar kufizimet e tyre". Këto janë vetëm disa nga interpretimet e propozuara nga Dekani i Fakultetit të Filozofisë në Universitetin Papnor Gregorian, Atë Gaetano Piccolo, në një bisedë me median e Vatikanit, të cilat u shtrinë pastaj drejt autorëve të tjerë si Montale, Heidegger dhe John Langshaw Austin. "Shija orwelliane" për të cilën flet Ati i Shenjtë Prevost "nuk është përgëzim për ata që e përdorin gjuhën në këtë mënyrë", shpjegon Atë Piccolo.

"Nëse nuk i ke fjalët, nuk mund të mendosh".

Sfondi në të cilin zhvillohen ngjarjet e romanit «1984» është fundi i viteve 1940, kur shkrimtari parashikonte një të ardhme distopike të karakterizuar nga tri blloqe kryesore në konflikt të vazhdueshëm. Partia që qeveriste pjesën më të madhe të Evropës, «Ingsoc», po përpiqej të ndërtonte një "gjuhë të re" artificiale brenda së cilës termat e disponueshëm ishin shumë të kufizuar. Atë Piccolo e përmbledh qëllimin përfundimtar me këto fjali: "Nëse nuk i ke fjalët, nuk mund të mendosh". Për më tepër, në gjuhën e re, mënyra e saktë për të folur quhej "ocospeak", që do të thotë "të flasësh si patë", duke përsëritur ideologjinë e partisë.

"Por ndoshta Papa Leoni XIV e ka fjalë këtu për faktin se shumë fjalë në shoqërinë e gjuhës së re ishin paradoksale, që do të thotë se ishin pikërisht e kundërta e tyre", shpjegon dekani. "Ministria e së vërtetës" në roman shtrembëron rrëfimin e ngjarjeve, ndërsa “Vëllai i Madh” spiunonte dhe i kontrollonte të gjithë.

Heidegger dhe gjuha përtej "Tregtisë së të Folurit"

Duke iu referuar asaj që Papa Leoni XIV e quajti "dobësimi i fjalës", prof. Piccolo pikasi këtu një shprehje te mendimi filozofik të Heideggerit, i cili shkroi te «Hyrje në metafizikë» të vitit 1935: "Fjalët dhe gjuha nuk janë si qese letre që shërbejnë vetëm për të mbështjellë gjërat për tregtinë e të folurit dhe të shkruarit". Dhe më tej: "Gjuha është bërë një mjet i domosdoshëm për të kuptuar, por një mjet pa udhëzim, dhe për këtë arsye i përdorshëm rastësisht, po aq i papërfillëshëm sa një mjet transporti publik". Fjalët humbasin vlerën e tyre kur bjerrin "lidhjen e ngushtë" me kuptimin e tyre: çdo fjalë ka histori dhe fuqi, por edhe brishtësi të brendshme.

Austin dhe fjalët si "Mjete"

Për më tepër, në kohën tonë, termave të posaçme u ka rënë pesha: "Meqenëse askush nuk u kushton më vëmendje fjalëve, duket sikur mund të thuhet çdo gjë", nënvizon Atë Gaetano Piccolo. Liria e shprehjes nuk duhet të ngatërrohet me "lirinë për të thënë çdo gjë". Abuzimi me fjalët është shpesh shprehje e "dobësisë së mendimit". Në mënyrë të pabeseshme, një fjalë së cilës i është dobësuar fuqia mund të shndërrohet në një levë ndikimi për ata që mëtojnë se kanë "privilegjin" për të manipuluar realitetin, duke etiketuar dhe duke mistifikuar kuptimet. Siç pohonte filozofi anglez John Langshaw Austin: "Fjalët janë mjetet tona, dhe ne duhet të përdorim, të paktën, mjete të pastra ".

Shkrimtari George Orwell dhe parashikimet e "Fermës së Kafshëve" sot

Reflektimi mbi Orwell mund të shtrihet në romanin e tij tjetër të famshëm, «Ferma e Kafshëve», në të cilin derrat mësojnë fshehurazi të lexojnë dhe të shkruajnë, duke miratuar përfundimisht ligje në favor të tyre, duke sjellë ndërmend shprehjen e famshme: "Ne të gjithë jemi të barabartë, por disa janë më të barabartë se të tjerët". Kështu derrat, fillimisht revolucionarë kundër shtypësit njerëzor, në fund bashkohen me shtypësin e të tjerëve. "Edhe në këtë pikë, mund të themi se Orwelli ishte largpamës", pranon dekani i Fakultetit të Filozofisë në Universitetin Gregorian.

Montale dhe Shën Augustini shqyrtojnë fjalën e dobësuar

Thirrja e Papës Leoni XIV kundër dobësimit të fjalës mbërriti në kohën e duhur, por gjithashtu sjell me vete jehonën e filozofisë dhe letërsisë së shekullit të njëzetë mbi gjuhën. Poeti Eugenio Montale, me shprehjen "mos na pyet për fjalën që përfshin të gjitha anët", shprehte zhgënjim kur flitej për sigurinë e gjuhës. Edhe shumë shekuj para tij, Shën Augustini, në «De magistro» dhe «De doctrina Christiana», theksonte se fjalët nuk janë "kopje të përsosura të mendimit", por "përpjekje për ta shprehur atë". «Inopia loquendi», shpjegon Ati Piccolo, na kujton kufijtë e gjuhës, dhe kështu përgjegjësinë që kemi për t'i mbarështuar fjalët me kujdes.

Në epokën e mjeteve shoqërore të komunikimit, shpejtësia dhe përhapja e fjalëve rrezikojnë ta zvogëlojnë këtë maturi: "Nëse do të kishit një copë lëkure të regjur kafshe për të shkruar, do të ishit shumë të kujdesshëm për atë që shkruani. Nëse, nga ana tjetër, mund të shkruani dhe fshini çdo gjë falas, nuk do t'i kushtoni shumë vëmendje asaj që thoni". Edukimi i të rinjve rreth vlerës dhe pasojave të fjalëve, duke u treguar këtyre ndikimin emocional të shprehjeve tona, bëhet thelbësor. Po kështu, profesionistët e komunikimit duhet ta lidhin përmbajtjen e tyre me të vërtetën dhe ndershmërinë, dhe jo vetëm sa për t’u dukur dhe për sukses.

 

07 shkurt 2026, 13:25