Papa me meshtarët e Dioqezës së Romës në Sallën Pali VI, në Vatikan Papa me meshtarët e Dioqezës së Romës në Sallën Pali VI, në Vatikan

Papa meshtarëve: jini miq ndëmjet jush, kujdes nga zilia dhe mashtrimet e internetit

Pyetje e përgjigje dje mes Leonit dhe meshtarëve të Dioqezës së tij në Vatikan. Papa u përgjigjet katër meshtarëve të grupmoshave të ndryshme dhe ofron udhëzime praktike mbi shoqërimin e të rinjve, vëllazërinë dhe rrezikun e izolimit, eutanazinë dhe vlerën e të moshuarve. Një paralajmërim për të mos i përgatitur predikimet me Inteligjencë Artificiale si dhe mbi mashtrimet e internetit e përdorimin e rrjeteve sociale: "Nëse nuk përcjellim mesazhin e Jezu Krishtit, ndoshta jemi duke gabuar

R.SH. / Vatikan

Pati katër pyetje dhe përgjigje Papa, por temat e trajtuara ishin të larmishme, duke përfshirë udhëtimet shpirtërore (jeta e lutjes, inkurajimi për të jetuar në miqësi, paralajmërimi për të mos u izoluar dhe për t'u kujdesur nga "pandemia" e zilisë); udhëzime konkrete për shërbesën dhe kujdesin baritor (siç është të qëndrosh pranë të rinjve, të vizitosh të moshuarit) dhe disa rekomandime shumë të veçanta (mos e braktis studimin, mos humb pas një ekrani, mos i përgatit predikimet me inteligjencën artificiale). Dje paradite, në Sallën Pali VI, në Vatikan, Papa Leoni XIV dhe kleri i Dioqezës së Romës, takuar për herë të parë në tërësi, shijuan një dialog të lirë dhe të hapur. Pas fjalimit të tij, Papa u angazhua në një seancë pyetje-përgjigje me meshtarët, përmbajtja e së cilës u publikua sot.

Të jesh model për të rinjtë

Dialogun me dyer të mbyllura e hapi kardinali-vikar i dioqezës së Romës Baldo Reina, i cili për të bërë pyetje paraqiti katër meshtarë të zgjedhur, që përfaqësonin katër grupmosha. Ndërmjet tyre ishte edhe një meshtar i ri, i shuguruar nga vetë Papa Leoni majin e kaluar. Ai pyeti se si ata, meshtarët e rinj, mund të pozicionohen përkrah bashkëmoshatarëve të tyre në mbarë botën. Papa, para së gjithash, na nxit të mbajmë sytë hapur ndaj realitetit të familjeve nga të cilat vijnë të rinjtë: familje me "kriza shumë serioze", prindër që mungojnë, ose "të divorcuar a të rimartuar".

Shumë të rinj "kanë përjetuar braktisje", kështu që meshtari duhet "ta njohë realitetin e tyre": "Të jini afër në këtë kuptim, shoqërojini ata, por mos jini vetëm një ndërmjet të rinjve", kujtoi Papa. Në këtë kuptim, "dëshmia e meshtarit" është e rëndësishme, pasi ai mund të ofrojë "një model për jetën".

Izolim e jetë të tmerrshme

Papa kërkoi më pas të mos kënaqemi me të rinjtë që ndoshta vazhdojnë të vijnë në famulli ose të marrin pjesë në orator: "Ne duhet të organizohemi, të mendojmë dhe të kërkojmë iniciativa që mund të jenë rrugëdalje", u tha Ati i Shenjtë meshtarëve romakë. "E duhet të shkojmë vetë, duhet të ftojmë të rinj të tjerë, të shkojmë me ta në rrugë; ndoshta të ofrojmë mënyra e aktivitete të ndryshme", duke përfshirë sportin, artin, kulturën. "Të dish" është fjala kyçe, sipas Leonit, e të dish vjen përmes "një përvoje njerëzore miqësie" me të rinjtë që "jetojnë në izolim, në vetmi të pabesueshme". Sidomos pas pandemisë, por edhe për shkak të telefonave inteligjentë: "Ata jetojnë vetëm edhe nëse thonë: 'Jo, shoku im është këtu', por nuk ka kontakt njerëzor. Jetojnë në një lloj distance nga të tjerët, në ftohtësi, pa e njohur pasurinë, vlerën e marrëdhënieve vërtet njerëzore". Prandaj, duhet të kuptojmë se si t'u ofrojmë të rinjve "një lloj tjetër përvoje miqësie, ndarjeje dhe, pak nga pak, bashkimi", e nga ajo përvojë, "t'i ftojmë edhe ta njohin Jezusin". Sigurisht duhen "kohë" e "flijime", nënvizoi Papa Leoni XIV, duke pasur parasysh edhe se shumë nga këta të rinj sot janë të bllokuar në "një jetë të tmerrshme" droge, krimi dhe dhune. Prandaj është themelore që meshtarët "më afër në moshë, në kulturë e në arsim" të mund të kryejnë "një shërbim të madh" dhe të shpallin mesazhin e Ungjillit.

Njohja e bashkësisë ku shkon të shërbesh

Afërsia dhe njohuria janë dy rrugët që Papa i këshillon për shërbesën baritore, në përgjigje të një meshtari famullitar që pyet si mund të jesh "i mprehtë" në këtë kulturë postmoderne, pa u rikthyer në modele "anakronike". Sipas Leonit XIV, hapi i parë është "të njohësh vërtet bashkësinë ku jam thirrur të shërbej". Ai kujton përvojën e tij personale: "Jetova në Romë për katër vjet, në vitet 1980, pastaj për dymbëdhjetë vjet, nga viti 2000 deri në vitin 2012-13, tani për tre vjet, dhe sa herë që kthehem në Romë, në një farë mënyre, gjej një Romë të ndryshme. Ka shumë gjëra... Është 'qytet i amshuar', të themi, rrugët janë të njëjta, gropat të njëjta, por jeta ka ndryshuar. Pra, për të shërbyer edhe si Ipeshkëv i Romës kisha menduar shumë, kur shkuam në Ostia të dielën e kaluar... Për të folur me këta njerëz, me këta individë, duhet të fillojmë duke e kuptuar realitetin e tyre sa më thellë të jetë e mundur".

Jo, predikimeve të përgatitura me Inteligjencë Artificiale

Ftesa, pra, është të hyjmë në realitet. Atë të vërtetin, shumë të ndryshëm nga realiteti tjetër, që "na vjen, edhe nëse nuk e duam", domethënë nga "inteligjenca artificiale, nga përdorimi i internetit". E këtu Leoni XIV kërkoi ruajtje nga "tundimi për të përgatitur predikime me Inteligjencën Artificiale": "Si të gjithë muskujt në trup, nëse nuk i përdorim, nëse nuk i lëvizim, vdesin. Truri duhet të përdoret, kështu që edhe inteligjenca jonë duhet të ushtrohet sadopak, në mënyrë që të mos e humbasim këtë aftësi". Për më tepër, "të bësh një predikim të vërtetë, do të thotë ta bashkëndash fenë" me të tjerët, dhe IA (Inteligjenca artificiale) "nuk do të jetë kurrë në gjendje ta bëjë këtë ndarje të fesë". Kjo është pika: "Nëse mund të ofrojmë një shërbim, të pakulturuar, në vendin, në famullinë ku po punojmë, njerëzit duan të shohin fenë tuaj, përvojën tuaj të njohjes dhe të dashurisë së Jezu Krishtit".

Mashtrimet e Internetit

Në këtë kuptim, është themelore "jeta e lutjes", një jetë që nuk është vetëm "rutina e leximit të lutjes së ditës sa më shpejt të jetë e mundur, të cilën e kam edhe në telefonin tim", por "kohë e kaluar me Zotin". Me këtë "jetë të rrënjosur autentikisht në Zotin", dikush mund të ofrojë diçka të ndryshme: "Nuk është sepse jam unë ai që jam; ky është  mashtrim që gjendet tepër shpesh në internet, në TikTok, dhe ne duam të jemi vetvetja: 'Kam kaq shumë ndjekës, kaq shumë pëlqime, sepse ata shohin se po them...' Nuk jeni ju: nëse nuk po e transmetojmë mesazhin e Jezu Krishtit, ndoshta gabohemi dhe duhet të reflektojmë me shumë kujdes dhe përvujtëri se kush jemi dhe çfarë po bëjmë", theksoi Papa Leoni XIV.

Zili klerikale

Një këshillë tjetër, që Papa u dha priftërinjve, është të jetojnë në vëllazëri, në miqësi, duke zhvilluar marrëdhënie ndërpersonale ndërmjet tyre. Prandaj, kini kujdes nga "një prej pandemive universale" të klerit, "invidia clericalis": "Një meshtar që sheh se një tjetër është thirrur të jetë bari i një famullie më të madhe, më të bukur, i thirrur të jetë vikar". Kështu "marrëdhëniet prishen vërtet", lindin "thashetheme" dhe gjithçka shkatërrohet, në vend që të ndërtohen "ura miqësie". "Ne jemi të gjithë njerëz, kemi ndjenja, emocione, shumë gjëra, por si meshtarë - dhe shpresoj që në seminar - mund të ofrojmë modele jete, ku priftërinjtë mund të jenë vërtet miq, vëllezër dhe jo armiq ose indiferentë ndaj njëri-tjetrit", pohoi Papa Leoni XIV.

Shembuj të vëllazërisë meshtarake

Në këtë drejtim, Papa kujtoi një shembull "të bukur" të vëllazërisë meshtarake në Çikago, qytet i lindjes së tij, me një grup priftërinjsh që, gjatë ditëve të tyre në seminar, kishin rënë dakord të takoheshin një herë në muaj. Disa vazhduan ta bënin këtë derisa mbushën 90 vjeç: ata takoheshin, luteshin, studionin. E studimi është një pikë tjetër që e theksoi Papa: "Studimi në jetën tonë duhet të jetë i vazhdueshëm, i vazhdueshëm. Kur dëgjoj nga ndokush të më thotë - kjo është historike, ma tha një prift - 'Unë nuk kam hapur asnjë libër që kur kam lënë seminarin'... O Zot i madh, mendoj, 'Sa e trishtueshme!”.

Leoni XIV na fton, më pas, të lëvizim dhe të mos rrimë ulur duke menduar: 'Askush nuk do të vijë të më shohë'. "Nuk duhet të kemi frikë të trokasim në derën e dikujt, të marrim iniciativën, t'u themi shokëve të klasës ose një grupi miqsh, disave: pse të mos takohemi herë pas here, të studiojmë së bashku, të reflektojmë së bashku, të kemi një çast lutjeje e pastaj të hamë një drekë të mirë? Meshtari i famullisë me kuzhinierin më të mirë mund të ftojë edhe të tjerë, në mënyrë që të mund të hamë një drekë të këndshme së bashku". Në të njëjtën kohë, duhet të identifikojmë njerëz me të cilët mund të kemi "marrëdhënie vëllazërore me pak më shumë thellësi". Domethënë, duhet të "krijojmë situata për të thyer këtë prirje, që na çon në vetmi, në izolim njëri prej tjetrit".

Koha e plakjes

Të ndash gëzimet, vështirësitë dhe përvojat ndihmon në kapërcimin e krizave, e na përgatit për të pranuar ardhjen e "pleqërisë, të sëmundjes e të vetmisë". Por "nëse dikush e jeton tërë jetën e tij si shtegtim që na çon përpara, madje edhe me barrën e viteve, shpesh madje - qoftë i ri apo i vjetër - me sëmundje, me këto vështirësi, ai do të ketë aftësinë, me hirin e Zotit, ta pranojë kryqin, vuajtjet që vijnë", siguron Ipeshkvi i Romës.

Në këtë frymë, Papa Leoni e trajton çështjen e eutanazisë, temë e diskutuar në shumë vende e tashmë e ligjshme në të tjera, si Kanadaja. “Çështja e fundit të jetës, njerëzit që nuk kanë më një kuptim për jetën dhe janë me kryqin e një sëmundjeje e thonë: ‘Këtë nuk dua ta mbaj më, preferoj t'i jap fund jetës’. Nëse ne jemi aq negativë për jetën tonë, dhe ndonjëherë me më pak vuajtje se sa shumë njerëz tjerë, si mund t'u themi atyre: ‘Jo, ti nuk mund t'i japësh fund jetës, duhet ta pranosh’”, u tha Papa meshtarëve.

Dëshmitarë të vlerës së jetës

Ne, shton Papa Leoni XIV, "duhet të jemi dëshmitarët e parë të faktit se jeta ka një vlerë tejet të madhe". Prandaj është e rëndësishme të kemi mirënjohje, përvujtëri dhe të tregojmë edhe afërsi. "Sigurisht që të gjithë e njohim ndonjë të moshuar, ndonjë të sëmurë, prift, laik, rregulltar... që po jetojnë çaste tejet të vështira. T'i thërrasim, të shkojmë t'i vizitojmë. Të bëjmë edhe një përpjekje për t'i ndihmuar këta njerëz që vuajnë". Kjo do të thotë ta ringjallim zakonin e mirë të sjelljes së kungimit dhe të vajit të të sëmurëve tek të sëmurët e famullisë. "Sot, me më pak meshtarë dhe më të vjetër, është bërë zakon të thuhet: 'Epo, le të dërgojmë laikët, ata do ta bëjnë'. Është shërbim i bukur që ofrojnë laikët... Por kjo nuk do të thotë që meshtari mund të qëndrojë në shtëpi duke shfletuar internetin, ndërsa të tjerët janë duke vizituar".

Së fundi, një fjalë Papa ua drejton edhe vetë meshtarve të moshuar: “Edhe nëse janë të sëmurë në shtrat, nëse kanë jetuar një jetë vërtet me shërbim dhe sakrificë, ata e dinë shumë mirë se lutja e tyre mund të jetë gjithashtu edhe një shërbim i madh, një dhuratë e madhe. Jeta e tyre ka ende një kuptim të madh”.

20 shkurt 2026, 16:21