Papa: të kujdesemi për fëmijët e sëmurë me gjeste konkrete solidariteti
R.SH. - Vatikan
Çdo vit, rreth 400.000 fëmijë dhe adoleshentë nga zero deri në 19 vjeç marrin një diagnozë kanceri, një sëmundje që në shumë kontekste nuk ka një kurë të thjeshtë dhe është një nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë në fëmijëri dhe adoleshencë. Për më tepër, më shumë se 2,1 miliardë të rinj nën moshën 20 vjeç në botë preken nga sëmundje kronike, si diabeti i tipit 1, ose nga patologji kardiovaskulare dhe respiratore. Atërore dhe të gjithë “fëmijëve me sëmundje të pashërueshme” u kushtohet ndjeti i lutjes së Leonit XIV për muajin shkurt, i përhapur përmes Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës, në bashkëpunim me Dikasterin e Vatikanit për Komunikimin.
Dhembshuria e samaritanit të mirë
Zgjedhja nuk është e rastësishme: më datën 11 shkurt, në solemnitetin e Zojës së Bekuar të Lurdit, shënohet Dita Botërore e të Sëmurëve 2026. Edicioni i këtij viti, i 34-ti, ka si temë “Dhembshuria e samaritanit: të duash duke mbajtur dhimbjen e tjetrit”. Kremtimet kryesore do të mbahen në Chiclayo, në Peru, dioqeza ku Robert Francis Prevost ka qenë fillimisht administrator e më pas ipeshkëv.
Për të vegjlit që vuajnë, familjet dhe mjekët
Prandaj, në videomezahin — që vijon nismën “Lutu me Papën”, të nisur me Françeskun, në italisht, anglisht dhe spanjisht, me titra për gjuhë të tjera — Leoni XIV e fton mbarë Kishën dhe njerëzit vullnet të mirë të bashkohen në lutje për fëmijët që jetojnë situata vuajtjeje dhe brishtësie ekstreme, si edhe për familjet e tyre dhe për ata që kujdesen për ta.
Butësia e Krishtit
Leoni XIV e shqipton lutjen në Kishën e Shën Pelegrinit në Vatikan. Në duar mban disa vizatime të realizuara nga pacientët e vegjël të Spitalit Pediatrik romak “Bambino Gesù”. Në qendër të lutjes së Papës është butësia e Krishtit që i mirëpret fëmijët, duke njohur në trupat e tyre të brishtë një shenjë të pranisë së Tij dhe, në buzëqeshjet e tyre, një dëshmi të Mbretërisë Hyjnore.
Të lutemi, o Zot, që të mos u mungojë kurrë një asistencë mjekësore e përshtatshme,
një kujdes njerëzor dhe i afërt,
dhe mbështetja e një bashkësie që i shoqëron me dashuri.
Dinjiteti i çdo të sëmuri
Zotit Papa ia beson gjithashtu edhe familjet, që të mund të qëndrojnë të palëkundura “në shpresë, mes lodhjes dhe pasigurisë”, si edhe mjekët, infermierët dhe operatorët shëndetësorë:
Beko, o Zot, duart e mjekëve, infermierëve dhe operatorëve shëndetësorë,
që puna e tyre të jetë gjithmonë shprehje e dhembshurisë aktive.
Që Shpirti Yt t’i ndriçojë në çdo vendim të vështirë
dhe t’u dhurojë durim dhe butësi për të shërbyer me dinjitet.
“O Zot, na mëso ta njohim fytyrën Tënde në çdo fëmijë që vuan — vijon Papa në videomesazhin e ndjetit të lutjes për muajin shkurt —. Që cenueshmëria e tyre të zgjojë në ne dhembshurinë dhe të na shtyjë të kujdesemi, t’i shoqërojmë dhe t’i duam me gjeste konkrete solidariteti”.
Kisha qoftë farë shprese
Së fundi, Leoni XIV e fton mbarë Kishën të shndërrohet “nga të njëjtat ndjenja” të zemrës së Krishtit:
Na bëj një Kishë që,
e gjallëruar nga ndjenjat e Zemrës Sate, o Jezus,
dhe e shtyrë nga lutja dhe shërbimi,
të dijë të mbështesë brishtësinë
dhe, në mes të dhimbjes, të jetë burim ngushëllimi,
farë shprese dhe shpallje e jetës së re.
Rrjeti Botëror i Lutjes së Papës
Vepër papnore ‘Rrjeti Botëror i Lutjes së Papës’ besuar Jezuitëve, është e pranishme në mëse 90 vende të ndryshme dhe bashkon një komunitet shpirtëror prej më shumë se 22 milionë njerëzish, që bashkëpunojnë çdo ditë në misionin e Krishtit. “Të dish se miliona njerëz në kaq shumë vende bashkohen me këtë qëllim lutjeje na mbush me shpresë — pohon rregulltari jezuit Atë Cristóbal Fones, drejtori i Rrjetit —. Në këtë mënyrë zgjerojmë solidaritetin e përbërë nga njerëz konkretë që, edhe pse nuk e njohin njëri-tjetrin, i shoqërojnë fëmijët, i afrohen me respekt realitetit të tyre dhe ndihmojnë në mbështetjen e familjeve të tyre”.
