Papa u kërkon meshtarëve një përtëritje shpirtërore të përqendruar te Krishti

Letra e Leonit XIV drejtuar afërsisht 1.500 meshtarëve pjesëmarrës në Asamblenë presbiterale, që po zhvillohet në Madrid. Papa reflekton mbi figurën dhe rolin e meshtarit në një epokë, në të cilën "feja shfrytëzohet dhe banalizohet", ndërsa vijon të jetë e dukshme një ndjenjë e ripërtërirë "shqetësimi". Ati i Shenjtë i nxit të mos dorëzohen, por të ushtrojnë shërbesën e tyre në vëllazëri, në intimitet me Zotin dhe në shërbim të të tjerëve, pa protagonizma.

R.SH. / Vatikan

Letër mbi vlerën e meshtarisë. Kështu mund të përmblidhet letra, që Papa Leoni XIV ia dërgoi Presbiterit të Kryedioqezës së Madridit, me rastin e Asamblesë Presbiterale "Convivium", që vijon sot dhe nesër. Meshtari, që Papa Leoni XIV e quan jo gjithnjë të lehtë, që shpesh jetohet "mes lodhjes dhe situatave të ndërlikuara", shkruan Papa.

Një reflektim mbi kohën e tashme, ky që Kisha po jeton pikërisht në këtë kohë: "Kohët që po jeton Kisha na ftojnë të ndalemi së bashku për reflektim të qetë dhe të ndershëm", saktëson Papa. Një kohë që përballet gjithnjë e më shumë me "shekullarizimin, polarizim në rritje e diskursit publik dhe tendencë për ta zvogëluar kompleksitetin e personit njerëzor, duke e interpretuar atë përmes ideologjive ose kategorive të pjesshme dhe të pamjaftueshme", denoncon Letra. E në këtë skenar, "feja rrezikon të shfrytëzohet, të trivializohet ose të degradohet në sferën e parëndësishme, ndërsa format e bashkëjetesës që injorojnë çdo referencë transcendente, të konsolidohen". E përtej kësaj, është e nevojshme të shtohet "një ndryshim i thellë kulturor, që nuk mund të injorohet: zhdukja progresive e pikave të përbashkëta të referencës".

Papa, më pas, e përqëndron vëmendjen tek të rinjtë, ndër të cilët "po përhapet gjithnjë e më shumë një shqetësim i ri. Vëmendja absolute tek mirëqenia nuk e solli lumturinë e pritur; liria e shkëputur nga e vërteta, nuk e realizoi çka kishte premtuar; e edhe progresi material, në vetvete, nuk arriti të plotësojë dëshirën më të thellë të zemrës njerëzore". Në këtë kontekst, pra, figura e meshtarit mund të sjellë shpresë. Meshtarë që duhet të jenë "të aftë ta mbajnë shërbesën e tyre përmes një marrëdhënieje të gjallë" me Zotin.

E më pas, në fund, Papa Leoni XIV e lidh figurën emeshtarit, me atë të një Katedraleje: "paraqet" me fjalë një metaforë ndërmjet të dyjave: mehstarisë dhe katedrales. Me fjalët e tij, zhytet në metafora gjithnjë e më të thella: fasada e një Katedraleje, kapelat, bëhen pika fillestare për të treguar vlerën e meshtarisë. Të dyja - katedralja dhe meshtaria - çojnë "drejt takimit me Zotin dhe drejt pajtimit me vëllezërit tanë, e elementët e tyre përmbajnë një mësim për jetën dhe shërbesën tonë"- thekson Papa Leoni XIV në Lerën e tij duke e përfunduar me fjalët e Shën Gjonit të Avilës: "Jini të gjithë të tijtë". E shton: "Jini të shenjtë!".

Letër e Atit të Shenjtë Leonit XIV drejtuar Meshtarëve të Kryedioqezës së Madridit me rastin e Asamblesë Presbiterale “Conviviium”

 

Përshëndetje të dashur bijë:

Më shumë kënaqësi t’ju drejtohem me këtë letër në rastin e Asamblesë suaj Presbiterale dhe këtë e bëj nga një dëshirë e sinqertë për vëllazëri dhe bashkim. Falënderoj arqipeshkvin tuaj dhe, nga zemra, secilin prej jush për gatishmërinë për t'u mbledhur si presbiteri, jo vetëm për të trajtuar çështje të përbashkëta, por për të mbështetur njëri-tjetrin në misionin që ndani.

Vlerësoj angazhimin me të cilin jetoni dhe ushtroni meshtarinë tuaj në Kishat, shërbimet dhe realitetet shumë të ndryshme; e di që shpesh kjo shërbesë zhvillohet mes lodhjes, situatave komplekse dhe një përkushtimi të heshtur, të cilin vetëm Zoti e sheh. Pikërisht për këtë arsye dëshiroj që këto fjalë të arrijnë te ju si një shenjë ngushëllimi dhe inkurajimi, dhe që ky takim të favorizojë një atmosferë të vëmendjes së sinqertë, të bashkimit të vërtetë dhe të hapjes besimtare ndaj veprës së Shpirtit Shenjt, i cili vazhdon të punojë në jetën tuaj dhe në misionin tuaj.

Koha që po jeton Kisha na fton të ndalemi së bashku dhe të reflektojmë qetësisht dhe sinqerisht. Jo vetëm për të bërë diagnostikime të menjëhershme ose për të menaxhuar urgjencat, por për të mësuar të lexojmë me thellësi momentin që po jetojmë, duke njohur, në dritën e fesë, sfidat dhe mundësitë që Zoti na hap para nesh. Në këtë rrugë bëhet gjithnjë e më e nevojshme të edukojmë shikimin dhe të ushqejmë ndjeshmërinë për dallimin, në mënyrë që të perceptojmë me qartësi se çfarë Zoti është tashmë duke bërë, shpesh në mënyrë të heshtur dhe diskrete, në mesin tonë dhe të komunitetit tonë.

Ky leximi i së tashmes nuk mund të kalojë pa marrë parasysh kornizën kulturore dhe shoqërore në të cilën sot jetojmë dhe e shprehim fenë. Në shumë mjedise vërehen procese të avancuara të shekullarizimit, një polarizim në rritje në diskursin publik dhe tendenca për të reduktuar kompleksitetin e individit njerëzor, duke e interpretuar atë nga ideologji ose kategori të pjesshme dhe të pamjaftueshme. Në këtë kornizë, feja rrezikon të instrumentalizohet, banalizohet ose të mbyllet në fushën e të pamjaftueshmes, ndërsa forcohen forma të bashkëjetesës që shuhen nga çdo referencë e shenjtë.

Kësaj i shtohet një ndryshim kulturor i thellë që nuk mund të injorohet: zhdukja progresive e referencave të përbashkëta. Për një kohë të gjatë, fara e krishterë gjeti një tokë të përgatitur mjaft mirë, sepse gjuha morale, pyetjet e mëdha për kuptimin e jetës dhe disa nocione themelore ishin, të paktën pjesërisht, të përbashkëta. Sot ky substrat i përbashkët është dobësuar ndjeshëm. Shumë nga parakushtet konceptuale që gjatë shekujve ndihmuan në përcjelljen e mesazhit të krishterë kanë pushuar së qeni të dukshme dhe, në jo pak raste, madje edhe të kuptueshme. Ungjilli nuk ndeshet vetëm me indiferencë, por me një horizont kulturor të ndryshëm, në të cilin fjalët nuk kanë më të njëjtin kuptim dhe ku shpallja e parë e Lajmit të Mirë nuk mund të merret si e sigurt.

Megjithatë, ky përshkrim nuk shteron gjithçka që po ndodh në realitet. Jam i bindur – dhe e di që shumë nga ju e përjetoni këtë në ushtrimin e përditshëm të shërbesës tuaj – se në zemrën e shumë njerëzve, veçanërisht të të rinjve, hapet një shqetësim i ri. Absolutizimi i mirëqenies nuk ka sjellë lumturinë e pritur; një liri e shkëputur nga e vërteta nuk ka sjellë plotësinë e premtuar; dhe progresi material, vetëm për vete, nuk ka arritur të mbushë dëshirën e thellë të zemrës njerëzore.

Pikërisht për këtë arsye, vërejmë se shumë njerëz po hapen për një kërkim më të sinqertë dhe autentik, një kërkim që, nëse udhëhiqet me durim dhe respekt, njerëzit i çon përsëri në takimin me Krishtin. Kjo na kujton se për meshtarët nuk është koha për t'u tërhequr ose për t'u dorëzuar, por për të qenë besnikërisht të pranishëm dhe të gatshëm për të shërbyer me bujari. Kjo vjen nga njohja se nisma është gjithmonë e Zotit, që është tashmë duke punuar dhe që na paraprin me hirin e tij hyjnor.

Kështu po shfaqet se për çfarë lloj meshtarësh ka nevojë Madridi – dhe e gjithë Kisha – në këtë kohë. Sigurisht, jo burra të cilët përcaktohen nga shtimi i detyrave ose nga presioni i rezultateve, por burra të formuar me Krishtin, të aftë të ushqejnë shërbesën e tyre nga një marrëdhënie e gjallë me Të, të ushqyer nga Eukaristia dhe të shprehur në një dashuri baritore të shënuar nga dhurimi i sinqertë i vetvetes. Nuk bëhet fjalë për të shpikur modele të reja ose për të ribërë identitetin që kemi marrë, por për të propozuar sërish, me intensitet të rinovuar, meshtarin në esencën e tij më autentike – të jesh alter Christus – duke lejuar që Ai të formësojë jetën tonë, të bashkojë zemrën tonë dhe t’i japë formë një shërbese të jetuar nga intimiteti me Zotin, nga besnikëria ndaj Kishës dhe nga shërbimi konkret ndaj njerëzve që na janë besuar.

Të dashur bijë, më lejoni që sot t'ju flas për meshtarin duke përdorur një imazh që e njihni mirë: Katedralen tuaj. Jo për të përshkruar një ndërtesë, por për të mësuar prej saj. Sepse Katedralet – si çdo vend i shenjtë – ekzistojnë, ashtu si edhe meshtari, për të udhëhequr në takim me Zotin dhe në pajtim me vëllezërit tanë, dhe elementët e saj përmbajnë një mësim për jetën dhe shërbesën tonë.

Duke vështruar fasadën e Katedrales, mësojmë diçka thelbësore. Ajo është e para që shihet, dhe megjithatë, nuk thotë gjithçka: ajo tregon, sugjeron, fton. Po ashtu edhe meshtari nuk jeton për të u shfaqur, për t’u dukur, por as për t'u fshehur. Jeta e tij është e thirrur të jetë e dukshme, koherente dhe e njohur, edhe kur nuk kuptohet gjithmonë. Fasada nuk ekziston për veten e saj: ajo udhëheq në brendësi. Po ashtu, meshtari nuk është kurrë për veten e tij. I gjithë jeta e tij është thirrur të tërheqë drejt Zotit dhe të shoqërojë kalimin drejt Misterit, pa e zënë vendin e Tij.

Papa e mbyll letrën me këshillën e Shën Gjonit të Avilës: "Bëhuni të gjithë të Tijët". Ai i fton meshtarët të jenë të shenjtë dhe i beson ata në mbrojtjen e Shën Marisë së Almudenës.

09 shkurt 2026, 14:30