Amoris Laetitia, Papa thërret ipeshkvijtë e botës për një samit mbi familjen
R.SH. - Vatikan
Duhet të rinisemi prej aty, prej Amoris Laetitia, prej nxitjes apostolike të Papës Françesku, për të shqyrtuar "ndryshimet" e sotme në familje, për të parë "atë që po arrihet në Kishat lokale" gjatë dhjetë viteve të fundit” dhe për të kuptuar "hapat që duhen ndërmarrë" për tua "shpallur sot Ungjillin familjeve", duke pasur parasysh edhe format e varfërisë e të dhunës, që i jetojnë shumë prej tyre. Me këto objektiva të shumëfishta, Papa Leoni XIV po mbledh kryetarët e Konferencave Ipeshkvnore të botës tetorin e ardhshëm, në Vatikan, për një samit kushtuar familjes. Njoftimi vjen në një mesazh nënshkruar nga Papa sot, 19 mars, Solemniteti i Shën Jozefit, me rastin e dhjetëvjetorit të dokumentit të Françeskut (ishte 19 marsi 2016), "fryt i tre viteve të gjykimit sinodal, të mbështetur nga Viti Shenjt i Mëshirës".
Mesazh i shndritshëm shprese
Një thirrje në qendër të reflektimeve dhe diskutimeve - shpesh e kufizuar vetëm në tematikën e sakramenteve për njerëzit e divorcuar dhe të rimartuar - që Leoni e quan "mesazh rrezatues shprese në lidhje me dashurinë bashkëshortore dhe familjare". Në këtë dhjetëvjetor, Papa dëshiron të "falënderojë Zotin për shtysën e dhënë studimit dhe konvertimit baritor të Kishës dhe t'i kërkojë guximin për të vazhduar në këtë udhëtim, duke e mirëpritur gjithmonë Ungjillin nga e para, me gëzimin për të qenë në gjendje t’ua shpallë të gjithëve".
Papa mbështetet në Koncilin II të Vatikanit për të kujtuar se familja është "themeli i shoqërisë", "dhuratë nga Zoti" dhe "shkollë e pasurimit njerëzor".
Përmes sakramentit të martesës, bashkëshortët e krishterë përbëjnë një lloj Kishe shtëpiake, roli i së cilës është themelor për edukimin dhe transmetimin e besimit.
Nga Familiaris Consortio - tek Amoris Laetitia
Impulsi konciliar u mblodh nga Papët: Gjon Pali II me Familiaris Consortio në vitin 1981 dhe Françesku, pikërisht me Amoris Laetitia. Të dyja nxitjet "stimuluan angazhimin doktrinor dhe baritor të Kishës në shërbim të të rinjve, çifteve të martuara dhe familjeve".
Në tridhjetë e pesë vitet ndërmjet dy dokumenteve magjisteriale, shumë "ndryshime antropologjike dhe kulturore" u bënë më të theksuara, vëren Leoni XIV. Për këtë arsye, "Papa Françesku dëshironte ta angazhonte më tej Kishën në rrugën e dallimit sinodal". Papa kujton fjalimin e paraardhësit të tij më 17 tetor 2015, gjatë Asamblesë së 14-të të Përgjithshme të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve mbi Familjen, në të cilën Jorge Mario Bergoglio deklaroi se "nuk është e mundur të flasësh për familjen, pa i angazhuar familjet, pa i dëgjuar gëzimet dhe shpresat e tyre, hidhërimet dhe ankthet e tyre".
Amoris laetitia ofron një mësim të çmuar, që duhet të vazhdojmë ta thellojmë sot: shpresën biblike të pranisë së dashur dhe të mëshirshme të Zotit, e cila na lejon të jetojmë histori dashurie, edhe kur kalojmë kriza familjare.
Udhë të reja baritore
Nga nxitja, Papa Leoni thekson fuqinë e "ftesës për të përqafuar shikimin e Jezusit dhe për të inkurajuar pa u lodhur rritjen, konsolidimin dhe thellimin e dashurisë bashkëshortore e familjare", si dhe "thirrjen për të zbuluar se dashuria në martesë jep gjithmonë jetë dhe se është reale pikërisht në mënyrën e saj të kufizuar dhe tokësore".
"Papa Françesku pohon nevojën për të hapur udhë të reja baritore dhe për të forcuar edukimin e fëmijëve, ndërsa e fton Kishën ta shoqërojë, ta dallojë dhe ta integrojë brishtësinë, duke kapërcyer një koncept reduktiv të normës dhe për të nxitur përshpirtërinë, që buron nga jeta familjare", shpjegon Papa në mesazhin e tij.
E shton: "Për t'ua shërbyer misionin e shpalljes së Ungjillit të familjes brezave të rinj, duhet të mësohemi të evokojmë bukurinë e thirrjes për martesë pikërisht duke pranuar brishtësinë, në mënyrë që të rizgjojmë besimin në hirin dhe dëshirën e krishterë të shenjtërisë".
Duhet edhe t’i mbështesim familjet, veçanërisht ato që vuajnë nga format e shumta të varfërisë dhe të dhunës, të pranishme në shoqërinë bashkëkohore.
Angazhimi baritor duhet të përtërihet e të thellohet
Që këndej, një falënderim i veçantë për të gjitha ato familje të cilat, "pavarësisht vështirësive dhe sfidave", e jetojnë "përshpirtërinë e dashurisë familjare, të përbërë nga mijëra gjeste të vërteta dhe konkrete".
Një falënderim nga Papa edhe barinjve, punonjësve baritorë dhe shoqatave të besimtarëve.
