Në të majtë, Zëvendësi i ri i Sekretarisë së Shtetit, Paolo Rudelli. Në qendër, Prefekti i ri i Familjes Papnore, Kryeipeshkvi Petar Rajič; në të djathtë, Zëvendësi aktual, Edgar Peña Parra, i cili tani është Nunci i ri Apostolik në Itali. Në të majtë, Zëvendësi i ri i Sekretarisë së Shtetit, Paolo Rudelli. Në qendër, Prefekti i ri i Familjes Papnore, Kryeipeshkvi Petar Rajič; në të djathtë, Zëvendësi aktual, Edgar Peña Parra, i cili tani është Nunci i ri Apostolik në Itali.

Emërimet e Leonit: Zëvendësi, Prefekti i Shtëpisë Papnore dhe Nunci në Itali

Nunci Apostolik në Kolumbi, Paolo Rudelli, zë vendin e imzot Edgar Peña Parra-s, që emërohet nunc apostolik në Itali dhe në Republikën e San Marinos, duke zëvendësuar imzot Petar Rajič, i emëruar Prefekt i Shtëpisë Papnore.

R.SH. / Vatikan

Nga Kolumbia, në Sekretarinë e Shtetit të Selisë së Shenjtë; nga Sekretaria e Shtetit, në Nunciaturën Apostolike në Itali; nga Nunciatura Apostolike në Itali, në Prefekturën e Familjes Papnore. Qarkullim emërimesh brenda Selisë së Shenjtë sot, 30 mars.

Papa Leoni XIV zgjodhi zëvendësin e ri për Çështjet e përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, një nga detyrat më të rëndësishme dhe më delikate në të gjithë aparatin e Vatikanit, një lloj "Ministri i Brendshëm" i Shtet Qytetit të Vatikanit. Ky është Kryeipeshkvi Imzot Paolo Rudelli, 56 vjeç korrikun e ardhshëm, mehstar që nga viti 1995, i shuguruar në Bergamo e me diplomë në teologji morale. Deri tani ka shërbyer si nunc apostolik në Kolumbi. E mori këtë post në vitin 2023 pas emërimit nga Papa Françesku, i cili e shuguroi kryeipeshkëv në vitin 2019 dhe, më pas, e dërgoi, në janar 2020, si përfaqësuesin e tij diplomatik në Zimbabve, duke e transferuar nga Strasburgu, ku ishte vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Këshillin e Evropës (2014-2020). Përvoja e imzot Rudellit në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë zgjati mbi njëzet vjet, saktësisht nga viti 2001, me punë në përfaqësitë papnore në Ekuador dhe Poloni dhe në seksionin e Çështjeve të Përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit.

Tani e drejton këtë seksion me urdhër të Papës Leoni XIV, me emërimin e tij të dytë të rëndësishëm në Sekretarinë e Shtetit, pas emërimit, në nëntorin e kaluar, të teologut dhe kanonistit nigerian imzot Anthony Onyemuche Ekpo, më parë nënsekretar i Dikasterit të Vatikanit për Promovimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor.

Në selinë e Via Po

Imzot Rudelli pason kryeipeshkvin venezuelan Edgar Peña Parra, të cilin Papa Leoni e emëroi sot nunc apostolik në Itali dhe në Republikën e San Marinos. Ishte Papa Françesku ai që e pati emëruar Imzotin Peña Parra zëvendës  për Çështjet e përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit më 15 gusht 2018, duke e thirrur nga Mozambiku. Imzot  Peña Parra e kishte drejtuar Nunciaturën Apostolike të vendit të Afrikës Lindore që nga viti 2015, duke marrë pjesë edhe në grupin e ndërmjetësimit për të rivendosur paqen ndërmjet qeverisë kombëtare dhe partisë politike opozitare. I lindur në vitin 1960, diplomat veteran me përvojë në Kenia, Jugosllavi, Honduras dhe Meksikë, e më vonë përfaqësues papnor në Pakistan, imzot Peña Parra ishte latino-amerikani i dytë që kishte postin e zëvendësit në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, pas argjentinasit Leonardo Sandri.

Në krye të Prefekturës së  Shtëpisë Papnore

Që sot bëhet titullar iselisë diplomatike të Vatikanit pranë Republikës së Italisë, në Via Po, në Romë, e cila që nga viti 2024 drejtohej nga Kryeipeshkvi boshnjak Petar Rajič, i emëruar sot paradite Prefekt i ri i Familjes Papnore. Ky post ishte vakant që nga viti 2023, kur Kryeipeshkvi Georg Gänswein përfundoi mandatin e tij dhe më pas u emërua nunc apostolik në vendet baltike (Letoni, Estoni, Lituani). Vetë imzot Rajič kishte qenë nunc në të njëjtat vende që nga viti 2019, përpara se të mbërrinte në Itali, në vitin 2024.

Kryeipeshkvi do të administrojë punën e Prefekturës, organ i Kuries romake e përgjegjës për rendin e brendshëm dhe drejtimin e përditshëm të jetës së Papës - duke përfshirë edhe organizimin e audiencave të progrmuara - që deri tani drejtoheshin nga regjenti Atë Leonardo Sapienza, në shërbim që nga viti 2012 nën papninë e Benediktit XVI. Ipeshkvit, rregulltar rogazionist Atë Sapienza, Papa Leoni i vuri pranë nga nëntori 2025, në cilësinë e zëvendësregjentit, rregulltarin augustinian nga Nigeria, Atë Edward Daniang Daleng.

30 mars 2026, 13:23