"Jemi njerëz të pranverës": thirrja e Papëve për shpresë përtej luftës e krizës
R.SH. / Vatikan
Kjo është ende kohë e prekur nga tmerret e luftës e nga pasiguritë e thella, që shkatërrojnë rajone të ndryshme të botës, përfshirë Lindjen e Mesme dhe Evropën Lindore. Edhe në këtë çast dramatik historik, familja njerëzore vijon të shpresojë në të ardhmen, duke pritur me padurim lindjen e një dite të re. Pas dimrit, me ritmin e tij shpesh të ftohtë e të errët, shikimi i burrave dhe grave me vullnet të mirë, beson në një stinë të re e të ndritshme të historisë. Pavarësisht ngricës që thau dhe vrau shumë filiza jete, kjo është kohë kur natyra përgatitet të lulëzojë përsëri: më 20 mars 2026 fillon pranvera, e para nga të katër stinët e vitit. E ne shpresojmë se pas dimrit do të lulëzojë paqja, duke çarmatosur gjuhët e pushtuara nga urrejtja.
Papët, krishterimi e pranvera
Papët e kanë kujtuar vazhdimisht pranverën, duke e pikturuar këtë stinë "me ngjyra" e duke mbledhur veçanërisht farat e besimit dhe të pajtimit. "Krishterimi," deklaron Papa Gjoni XXIII në mesazhin e tij radiofonik të 28 marsit 1959, "nuk është ai kompleks faktorësh shtypës për të cilët fantazojnë ata që nuk kanë besim: por është paqe, është gëzim, është dashuri, është jetë që ripërtërihet gjithmonë, si pulsi sekret i natyrës në fillim të pranverës." "Krishterimi - theksoi më tej Pali VI gjatë audiencës së përgjithshme të 2 korrikut 1969, "është si pemë gjithnjë në pranverë, me lule të reja, fruta të reja; është koncept dinamik, vitalitet i pashterrshëm, është bukuri".
Piu XII: pranvera është një kohë ripërtëritjeje
"Kohë përtëritjeje, pritjeje dhe shprese të sigurt." Ky është pulsi i trefishtë i lidhur me pranverën nga Papa Piu XII. Në fjalimin e tij drejtuar të rinjve të Aksionit Katolik më 19 mars 1958, Papa i nxit brezat e rinj të shohin, pas errësirës së Luftës II Botërore, shkëndija shprese "edhe pse në mes gjithë këtij trishtimi e mjerimi".
Piu XII: në pranverë gjithçka në botë zgjohet
Në pranverë, toka zgjohet, lëngu i saj gufon, sythat çelin, gjethet kthehen tek pemët; gardhinjtë gjallërohen, livadhet mbulohen me gjelbërim dhe fushat gëzohen nga pemët që lulëzojnë. Qielli qartësohet; ditët bëhen më të gjata, netët më të shkurtra; ka më shumë dritë, se errësirë. Pa dyshim, shpesh ka re në qiell dhe toka është përplot me stuhi; por njerëzit ripopullojnë fushat dhe qëndrojnë më lehtë në rrugë: festimi i natyrës bëhet festë e zemrës, sepse pranvera është kohë ripërtëritjeje, kohë pritjeje të sigurt, kohë shprese. Shikoni, bij të dashur: gjithçka në botë po zgjohet. Jeta materiale, edhe në mes gjithë këtij trishtimi e mjerimi, lëvizë gjithmonë drejt mirëqenies më të madhe dhe më të përhapur.
Gjon Pali II: pranvera e jetës është rinia
Rinia është stina e jetës, që mund të shoqërohet me pranverën. Papa Gjon Pali II e kujtoi këtë gjatë vizitës së tij në famullinë e Shën Judës Tadeu më 6 prill 1997. Me atë rast, Papa polak i falënderoi të rinjtë "lidhur me premtimin për lutje gjatë udhëtimit në Sarajevë", qytet i prekur nga "shumë vuajtje e tragjedi". Një vend, që Papa Wojtila e kishte vizituar gjatë pranverës së atij viti.
Gjon Pali II: Pashkët përkojnë me pranverën
Kur mendojmë për rininë, na vjen ndërmend pranvera. Pranvera është koha kur natyra rishfaqet pas "vdekjes" së dimrit. Solemniteti i Pashkëve, i cili na kujton ringjalljen e Krishtit, përkon çdo vit me pranverën. Me ringjalljen e Tij, dëshmoi se vdekja nuk ka fuqi absolute ose përfundimtare. Ai e mposhti vdekjen dhe e zbuloi jetën. Pranvera e jetës njerëzore përkon me rininë. Shoh edhe të rinj këtu, disa më të vjetër se ata, madje disa në të 70-at dhe 80-at e tyre. Ju përgëzoj për dëshirën që të jeni gjithmonë të rinj e që të ktheheni në pranverën e jetës, në rini.
Benedikti XVI dhe pranvera e njerëzimit
Duke përdorur një metaforë të gërshetuar me dinamikën e pranverës, Papa Benedikti XVI, në mesazhin e tij Urbi et Orbi për Pashkët 2011, kujton se "një dritë tjetër" e ka zhdukur "errësirën e vdekjes dhe ka sjellë shkëlqimin e Zotit në botë".
Benedikti XVI dhe rrezet e diellit në pranverë
Ashtu si rrezet e diellit, në pranverë, i bëjnë sythat të mbijnë dhe të shpalosen në degët e pemëve, ashtu edhe shkëlqimi që buron nga Ngjallja e Krishtit i jep forcë dhe kuptim çdo shprese njerëzore, çdo pritjeje, dëshire e çdo plani. Për këtë arsye, i gjithë kozmosi gëzohet sot, i tërhequr nga pranvera e njerëzimit, e cila interpreton himnin e heshtur të lavdërimit të krijimit. Aleluja e Pashkëve, që jehon në Kishën shtegtare në të gjithë botën, shpreh ngazëllimin e heshtur të universit e, mbi të gjitha, dëshirën e çdo shpirti njerëzor të hapur sinqerisht ndaj Zotit, në të vërtetë, mirënjohës për mirësinë, bukurinë dhe të vërtetën e Tij të pafundme.
Françesku: jemi njerëz që presim diellin
Për të krishterët, në horizontin e njeriut, "është një diell që shkëlqen përgjithmonë". Papa Françesku, në audiencën e përgjithshme të 23 gushtit 2017, e lidhi këtë perspektivë të pakufizuar me një pyetje.
Françesku: jemi njerëz më shumë të pranverës sesa të vjeshtës
Ne besojmë se në horizontin e njerëzimit ka një diell që shkëlqen përgjithmonë. Besojmë se ditët tona më të bukura ende nuk kanë ardhur. Ne jemi njerëz më shumë të pranverës, sesa të vjeshtës. Do të doja të pyesja, tani - secili prej jush të përgjigjet në zemrën e vet, në heshtje, por të përgjigjet - "A jam burrë, grua, djalë a vajzë e pranverës, apo e vjeshtës? A është shpirti im në pranverë, apo në vjeshtë?". Secili prej jush të përgjigjet. Të shohim sythat e një bote të re, në vend të gjetheve të verdha në degë. Të mos kënaqemi me nostalgji, keqardhje e vajtim: ne e dimë se Zoti dëshiron që ne të jemi trashëgimtarë të një premtimi dhe kultivues të palodhur të ëndrrave. Mos e harroni pyetjen: "A jam njeri i pranverës, apo i vjeshtës?". I pranverës, duke pritur lulen, duke pritur frutin, duke pritur diellin që është Jezusi, ose të vjeshtës, gjithmonë me fytyrën që shikon poshtë, të hidhëruar e, siç kam thënë ndonjëherë, me fytyrën e specave djegës në uthull.
Leoni XIV dhe ngjyrat e pranverës
Të kthehemi te këto ditë të brishta që, mes ankthit dhe dhimbjes, shënojnë tabelën komplekse gjeopolitike të shahut të botës. Janë aq delikate, sa një fije bari, por ato prapë, edhe kur gjithçka duket e heshtur, mund të mbulojnë fusha - madje edhe ato të veprimit njerëzor - të afta për ripërtëritje. Dobësitë, madje edhe ato që pengojnë rrugën e njeriut nëpër histori, nuk mund ta errësojnë bukurinë, çudi. Papa Leoni XIV, gjatë Meshës së Shenjtë në Tor Vergata, më 3 gusht 2025, theksoi se edhe gjatë muajve të ngricës, ekziston një energji që "gufon nën tokë".
Leoni XIV: fusha jeton duke ripërtërirë vetveten
Të mendojmë për simbolin e barit: a nuk është i bukur një livadh në lulëzim? Sigurisht, është delikat, i përbërë nga kërcej të hollë dhe të prekshëm, të caktuar për t’u tharë, për t’u përkulur e për t’u thyer, por në të njëjtën kohë, ato zëvendësohen menjëherë nga të tjerë që mbijnë pas tyre, ndërsa të parët bëhen bujarisht ushqim e pleh duke u konsumuar në tokë. Kështu jeton fusha, duke u ripërtërirë vazhdimisht, madje edhe gjatë muajve të ngrirë të dimrit, kur gjithçka duket e heshtur, energjia e saj dridhet nën tokë dhe përgatitet të shpërthejë në pranverë në një mijë ngjyra.
Kjo energji, thekson Papa Leoni, përgatitet të duket rishtas në pranverë. Kjo forcë ripërtëritëse dhe rigjeneruese duhet të jetë koha e atyre që duan të jetojnë në paqe: një tablo polikromatike dhe korale, në të cilën shkëlqen gjuha "e paarmatosur dhe çarmatosëse" e vëllazërisë. Një "pranverë", përmes dialogut, për të bërë që njerëzimi, krijimi dhe paqja të lulëzojnë.
