2026.03.26 Partecipanti all'Incontro promosso dal Centro Nazionale per i Trapianti

Leoni XIV: dhurimi i organeve është i paçmuar, është shenjë vëllazërie

Në audiencën e tij me pjesëmarrësit në takimin e organizuar nga Qendra Italiane e Transplanteve, Papa inkurajoi punën kërkimore-shkencore në këtë fushë, duke respektuar dinjitetin e njeriut: dhurimi duhet të jetë "gjithnjë e më i vetëdijshëm e falas", ky gjest është "shenjë solidariteti dhe shprese"

R.SH. – Vatikan

         Një shërbim ndaj jetës "në çastet e brishtësisë më të madhe": kështu e përcakton Papa dhurimin e organeve, "një gjest", pohon ai, "që kombinon bujarinë e dhuratës me përgjegjësinë morale, që e shoqëron atë". Sot paradite, 26 mars, në Sallën Klementine në Vatikan, Papa priti pjesëmarrësit në Asamblenë e Përgjithshme të Rrjetit Italian të Transplanteve, iniciativë e organizuar nga Qendra Kombëtare e Transplanteve. Takimi dy-ditor përfundoi dje në Romë.

Ndërsa inkurajon ndërgjegjësimin për dhurimin e organeve dhe punë kërkimore-shkencore të shoqëruar nga një "reflektim i përgjegjshëm", Papa fton të tregohet kujdes në këtë kohë "kur gjithçka ka rrezik të vlerësohet sipas logjikës së çmimit, efikasitetit, ose interesit".

“Duhet të jemi gjithmonë vigjilentë për të shmangur çdo formë të kthimit të trupit të njeriut në mall dhe për të siguruar që transplantet të kryhen sipas kritereve të drejta dhe transparente”.

Shembulli i Don Gnocchi-t

Duke falënderuar Akademinë Papnore për Jetën, e cila merret edhe me sektorin e transplantimit të organeve, Papa Leoni XIV kujtoi se 70 vjet më parë, i Lumi Don Carlo Gnocchi kërkoi të transplantohej kornea e tij te dy pacientë shumë të rinj të institucionit të tij, të cilët kështu rifituan shikimin. Ky gjest e preku opinionin publik dhe nxiti fillimin e një procesi legjislativ në këtë drejtim. Menjëherë pas vdekjes së don Gnocchi-t, Papa Piu XII njohu "legjitimitetin e transplantit për qëllime terapeutike", shpjegoi Leoni XIV, "në respekt të dinjitetit të trupit të njeriut dhe të të drejtave të personave të përfshirë". Që atëherë, Kisha e "ka mbështetur zhvillimin e mjekësisë së transplantimeve, duke njohur vlerën e saj dhe, në të njëjtën kohë, duke vendosur kriteret e nevojshme etike".

26 mars 2026, 13:49