Papa Leoni XIV në audiencë me murgeshat dhe murgjit benediktinë. Papa Leoni XIV në audiencë me murgeshat dhe murgjit benediktinë.

Leoni XIV: në një botë individualiste, çdo kuvend duhet të jetë "shkollë shërbimi"

Papa Leoni XIV pret tri bashkësi murgeshash benediktine dhe kujton se jeta vetmitare nuk është "mbyllje ndaj botës së jashtme", por një model dashurie dhe ndihme: "Ndërmjetësimi është përparësi e zemrave që rrahin në harmoni me mëshirën e Zotit", gati për t'i paraqitur Zotit gëzimet dhe hidhërimet, shpresat dhe ankthet "e njerëzve të sotëm dhe të të gjitha kohërave".

R.Sh. Vatikan

Në një botë e cila shpesh vuan nga "përqendrimi tek vetvetja" dhe "individualizmi", jeta murgare duhet të jetë "një model për të gjithë popullin e Zotit, duke na kujtuar se të qenit misionarë, para se të bësh gjëra të ndryshme, kërkon një mënyrë se si të jetojmë dhe t’i përjetojmë marrëdhëniet". Këto fjalë tha Papa Leoni XIV sot, më 30 mars, ndërsa priti në audiencë tri bashkësi murgeshash benediktine në Pallatin Apostolik të Vatikanit: bashkësinë murgare të abacisë së Shën Skolastikës në Subiaco; bashkësinë murgare të abacisë së Santa Maria del Monte në Cesena; dhe e treta, murgeshat benediktine të abacisë së Santa Scolastikës në Bari. Papa u kujton murgeshave të shuguruara se jeta e izoluar nuk është "mbyllje ndaj botës së jashtme", por një model dashurie, ndarjeje dhe shërbimi.

Shërbimi dhe sinodaliteti

Në veçanti, duke cituar Rregullin e Shën Benediktit, Leoni XIV na nxit të "të kemi vazhdimisht kujdes për veprimet e jetës sonë" dhe të gjejmë te Shkrimi i Shenjtë "ushqim" për jetën kundrimtare dhe atë të përditshme, "në mënyrë që të jemi në gjendje të ndajmë me të tjerët këtë përvojë shndërruese". "Rrugëtimi drejt shenjtërimit që bën një murgeshe, sado i pasur me zell dhe frymëzim, nuk mund të tkurret thjesht në një rrugëtim vetjak", nënvizoi Papa.

Ai ka një përmasë të domosdoshme që përfshin bashkësinë, në të cilën shpallja e lajmit të mirë të Pashkëve shprehet te shërbimi vëllazëror.

Në këtë kuptim, "sinodaliteti" i nxitur nga Papa Françesku, është "themelor për jetën e krishterë". Në kuvendin e murgeshave, kjo përkthehet te “praktika e përditshme e ecjes së bashku, te dëgjimi i ndërsjellë, te kundrimi shques që bëhet nën udhëheqjen e Shpirtit të Shenjtë, në bashkim me Kishën vendase dhe me të gjithë rregullin benediktin”.

Ndërmjetësimi

Papa përqendrohet më pas te një aspekt tjetër i "punës misionare vetmitare", që është ai i "ndërmjetësimit".

Ndërmjetësimi është përparësi e zemrave që rrahin në harmoni me mëshirën e Zotit, të gatshme për të mbledhur dhe për t'i paraqitur Zotit gëzimet dhe hidhërimet, shpresat dhe ankthet e njerëzve sot dhe të të gjitha kohërave.

Edukim i vazhdueshëm

"Formimi i vazhdueshëm", veçanërisht "i nevojshëm" në një epokë si e tashmja, është një temë tjetër mbi të cilën Papa fton bashkësitë benediktine të reflektojnë. Kjo, shpjegon ai, shprehet para së gjithash te "pranimi i dashurisë së Krishtit që ia kalon çdo njohurie" dhe është thelbësore që jeta e shuguruar "të kryej shërbimin e vet ndaj kuvendit, Kishës dhe botës në një mënyrë gjithnjë e më të përshtatshme".

E gjithë bashkësia është pjesëmarrëse e pareshtur në këtë shërbim përmes lutjes, Fjalës së Hyjit, çasteve të festimit dhe të vendimmarrjes, të diskutimit dhe të përtëritjes shpirtërore, të përjetuara dhe të ndara me të tjerët, ku vendin e parë e zë dashuria.

Kjo gjë nënkupton "një angazhim, për të gjitha ju, me mençuri dhe maturi, për të nxitur çdo qëllim të mirë dhe për të drejtuar çdo përpjekje drejt rritjes së përbashkët në dhurimin e vetes", në mënyrë që "çdo kuvend benediktin" të bëhet gjithnjë e më shumë "një shkollë shërbimi ndaj Zotit", ashtu siç dëshironte vetë Shën Benedikti.

30 mars 2026, 14:27