Papa Leoni XIV Papa Leoni XIV

Papa do të marrë Medaljen amerikane të Lirisë

Çmimi do të jepet më 3 korrik nga Qendra Amerikane e Kushtetutës, në prag të 250-vjetorit të themelimit të SHBA-së, gjatë një ceremonie publike në Filadelfia. Papa do të mbajë një fjalim drejtpërdrejt nga Vatikani, duke pranuar kështu Medaljen. Drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, deklaroi se Leoni XIV është thellësisht mirënjohës për çmimin

R.SH. – Vatikan

National Constitution Center  (Qendra Amerikane e Kushtetutës) i jep Papës Leoni XIV Medaljen e 38-të të Lirisë gjatë një ceremonie publike, më 3 korrik, në Filadelfia, në prag të 250-vjetorit të themelimit të Shteteve të Bashkuara. Çmimi njeh meritat e Atit të Shenjtë në nxitjen e lirisë së fesë, të ndërgjegjes e të shprehjes në mbarë botën, ashtu siç janë sanksionuar nga Etërit Themelues Amerikanë në Amendamentin e parë të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Leoni XIV ka ndërmend ta pranojë Medaljen në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Vatikani, që do të transmetohet në internet.

Mirënjohja e Papës

Drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, njoftoi se Papa është thellësisht mirënjohës "për këtë çmim prestigjioz, në një përvjetor kaq të rëndësishëm për popullin amerikan, i thirrur për të reflektuar mbi 250 vjet të historisë së tij, në mbrojtje të Deklaratës së Pavarësisë, Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara dhe lirisë si shenja dalluese të trashëgimisë për brezat e ardhshëm".

Impenjimi i Leonit XIV për dialogun

Njoftimi për shtyp nga Qendra Kombëtare e Kushtetutës thekson impenjimin e Papës për dialogun ndërfetar dhe ekumenik. "Veprimtaria e tij", nënvizohet në të, "pasqyron një vizion më të gjerë moral, që e konsideron lirinë fetare jo si të drejtë abstrakte, por si shprehje konkrete të dinjitetit njerëzor, veçanërisht për bashkësitë e mënjanuara, ndër të cilat pakicat fetare dhe të prekurit nga konfliktet".

Natyra e çmimit

Qendra Kombëtare e Kushtetutës në Filadelfia bashkon njerëz të të gjitha moshave dhe perspektivave nga e gjithë bota për të njohur, për të diskutuar dhe për të kremtuar vizionin e lirisë njerëzore, shpallur nga Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Medalja e Lirisë u krijua si çmim në vitin 1988 për të përkujtuar 200-vjetorin e Kushtetutës. Çdo vit, me këtë medalje nderohen individë dhe organizata të guximshme dhe të vendosura, që impenjohen për lirinë e njerëzve në mbarë botën.

17 mars 2026, 11:26