2026.03.30 Membri della "Illinois Municipal League"

Papa, kryebashkiakëve të Illinois: "Të njihet e të mbrohet dinjiteti i çdo individi"

Audiencë me anëtarët e Illinois Municipal League, një organizatë shtetërore, që përfaqëson rreth 1300 komuna të këtij shteti në SHBA. Duke kujtuar fjalët e La Pira-s, Leoni XIV i nxiti të "lehtësojnë me çdo mënyrë vuajtjet e vështirësitë e qytetarëve të tyre", të dëgjojnë zërat e të varfërve e të emigrantëve, si edhe "të mishërojnë shërbimin", duke i kushtuar vëmendje nevojave të më të brishtëve dhe më të prekshmëve

R.SH. – Vatikan

"Kryetarët e bashkive janë të thirrur t’i reduktojnë dhe t’i lehtësojnë me çdo mënyrë vuajtjet dhe vështirësitë e qytetarëve të tyre, me të gjitha masat, që sugjeron dashuria dhe parashikon ligji". Papa Leoni XIV kujtoi mandatin e kryebashkiakut të Firences, Giorgio La Pira, për të cilin vijon çështja e lumnimit, duke ua besuar atë anëtarëve të Illinois Municipal League (Lidhjes Komunale të Illinois), një organizatë shtetërore jofitimprurëse, që përfaqëson afërsisht 1300 komuna të këtij shteti amerikan, vendlindja e vetë Robert Francis Prevost. Zë kolektiv i bashkive në qeverinë shtetërore të Illinois (në Springfield, kryeqendra ku e ka selinë organizata) dhe në nivel federal (në Uashington), këshilli i drejtuesve të Lidhjes Komunale të Illinois përbëhet kryesisht nga kryebashkiakë.

  (@Vatican Media)

Rrethanat më të vështira transformohen nga forza e dashurisë

Papa përdori pikërisht fjalët e La Pira-s për t’iu drejtuar amerikanëve, gjatë audiencës së sotme, 30 mars, në Pallatin Apostolik, me rastin e shtegtimit të tyre në Vatikan për Javën e Madhe. Kohë, theksoi Ati i Shenjtë, në të cilën "katolikët në mbarë botën, së bashku me shumë të krishterë të tjerë, përkujtojnë mundimin, vdekjen dhe ringjalljen e Jezu Krishtit, bindja plot dashuri e të cilit ndaj Atit, deri në vdekje, siguroi dhuratën e shëlbimit për gjithë njerëzimin".

“Nëpërmjet Misterit të Pashkëve, Zoti na tregon se edhe rrethanat më të vështira dhe sfiduese mund të transformohen nga brenda, nga forca e dashurisë”.

Paqe afatgjatë për njerëzimin

Vuajtja mund të mos shmanget gjithmonë, vërejti Papa, por gjen kuptimin e saj shëlbues në ringjalljen e Jezu Krishtit, që i kthen dinjitetin e humbur dhe hap dyert për një jetë të re plot shpresë. Bindja e tij ndaj vullnetit të Atit tregon se autoriteti i vërtetë vjen nga shërbimi, i vetmi që çon në paqe të qëndrueshme për gjithë njerëzimin.

“Si burra dhe gra të ngarkuar me role qeverisëse, edhe ju jeni të thirrur të zbuloni dhe të mishëroni dhuratën e shërbimit. Në veçanti, jeni të thirrur t'i kushtoni vëmendje nevojave të më të brishtëve dhe më të prekshmëve, t'i shoqëroni ata drejt zhvillimit të plotë njerëzor”.

  (@Vatican Media)

Njohja e dinjitetit të çdo individi

Për ta bërë këtë, së pari, duhen kuptuar aspiratat dhe vështirësitë e njerëzve: "dëgjojini të varfrit, emigrantët dhe gjithë më të fundmit ndërmjet jush, duke u përpjekur t'i shoqëroni me punën tuaj për të mirën e përbashkët, për të mirën e të gjithëve". Së fundi, Papa ua besoi kryebashkiakët ndërmjetësimit të Shën Françeska Saverio Kabrini, e cila pati punuar me të varfrit pikërisht në Chicago, qyteti i origjinës së Papës, më i populluari i Illinois-it. Pastaj, përfundoi:

“Të dashur miq, ju siguroj për lutjet e mia dhe shpreh mirënjohjen për shërbimin e përkushtuar, që u ofroni çdo ditë atyre që qeverisni. Uroj që ta vazhdoni këtë punë të rëndësishme çdo ditë me gëzim, dashuri dhe zell, duke kujtuar gjithmonë se edhe ata që kanë autoritet, janë shërbëtorë të Zotit”.

30 mars 2026, 12:32