Papa Leoni XIV përshëndet Principatën e Monakos e kthehet në Romë
R.SH. – Vatikan
Përfundoi rreth orës 17.25, me nisjen e helikopterit me Papën Leoni XIV, udhëtimi apostolik në Principatën e Monakos, ku Ati i Shenjtë qëndroi për rreth 8 orë. Ishte vizita e tij e dytë jashtë Italisë dhe e para në Evropë.
Ceremonia e lamtumirës u zhvillua në Heliportin e Monakos, me detin në sfond. Pasi përshëndeti të pranishmit në sallën e pritjes, Papa kaloi në mes të Gardës së Nderit dhe i dha lamtumirën Princit Alberti II dhe Princeshës Charlene, të cilët i falënderoi për mikpritjen.
Falënderimi për mikpritjen
Në telegramin dërguar Princit Alberti II, Papa shpreh mirënjohjen e tij të thellë për familjen mbretërore, familjen princërore, qeverinë dhe popullin e Monakos "për pritjen e ngrohtë dhe për mikpritjen bujare" gjatë vizitës së tij apostolike. "Lutem", shkruan, "që Zoti i Gjithëpushtetshëm t'ju bekojë të gjithëve me paqe dhe forcë". Duke u dhënë bekimin të gjithëve, Papa përshëndet Principatën për t’u kthyer në Vatikan, ku do të mbërrijë rreth orës 19.45.
