Papa në Monako, të mbrohet çdo jetë njerëzore në çdo moment dhe në çdo situatë
R.SH. / Vatikan
"Me pamje nga Mesdheu dhe e vendosur midis vendeve themeluese të bashkimit evropian, toka juaj ka në pavarësinë e vet një vokacion për takimin dhe kujdesin ndaj miqësisë shoqërore, të cilat sot kërcënohen nga një klimë e përhapur mbylljeje dhe vetëpjaftueshmërie. Dhurata e të qenit i vogël dhe një trashëgimi shpirtërore e gjallë, e detyrojnë pasurinë tuaj të jetë në shërbim të së drejtës dhe drejtësisë, veçanërisht në një moment historik ku shfaqja e forcës dhe logjika e epërsisë dëmtojnë botën dhe komprometojnë paqen. Në Bibël, siç e dini, të vegjlit bëjnë historinë!". Kështu u shpreh mes tjerash Papa Leoni në fjalimin e tij të parë në Principatën e Monakos.
Papa kërkon që pasuria të mos grumbullohet vetëm në duart e disave, por të qarkullojë për të mirën e përbashkët. Kritika ndaj fuqisë: Leoni XIV dënon përdorimin e forcës ushtarake dhe politike si mjet për të shtypur të tjerët. Mbrojtja e jetës: Një referencë e qartë për vlerat etike dhe mbrojtjen e jetës që nga ngjizja e deri në vdekjen natyrore, duke vlerësuar qëndrimet e fundit të Principatës.
“Feja katolike, që ju jeni ndër të paktat vende në botë që e keni si fe shtetërore, na vë përballë sovranitetit të Jezusit, i cili i angazhon të krishterët të bëhen në botë një mbretëri vëllezërish dhe motrash, një prani që nuk shtyp, por ngre lart, që nuk ndan, por lidh, e gatshme të mbrojë gjithmonë me dashuri çdo jetë njerëzore, në çdo moment dhe në çdo kusht, që askush të mos përjashtohet kurrë nga tryeza e vëllazërisë”. Kështu u shpreh Papa Leoni XIV në fjalimin e tij të parë gjatë udhëtimit në Principatën e Monakos.
“Është perspektiva e ekologjisë integrale – shtoi Papa – për të cilën e di se ju e keni shumë për zemër. Ia besoj Principatës së Monakos, për lidhjen kaq të thellë që e bashkon me Kishën e Romës, një angazhim krejt të veçantë në thellimin e Doktrinës Shoqërore të Kishës dhe në hartimin e praktikave të mira lokale dhe ndërkombëtare që shfaqin forcën e saj transformuese. Edhe në një kulturë pak fetare, shumë të shekularizuar, mënyra e trajtimit të problemeve tipike e Mësimit shoqëror të krishterimit mund të zbulojë dritën e madhe që vjen nga Ungjilli për kohën tonë, një kohë në të cilën për shumë njerëz është kaq e vështirë të shpresojnë”.
Në Librin e Nderit në Monako, paqe dhe mirëqenie të krishterë
“Falënderoj Zotin që më ka dhënë mundësinë të vizitoj Principatën e Monakos dhe lutem për Familjen mbretërore, autoritetet dhe qytetarët, që të marrin bekime të begatshme paqeje dhe mirëqenieje të krishterë”. Ky është mesazhi që Papa Leoni XIV la në Librin e Nderit në Pallatin e Princit në Monako.
