TOPSHOT-PALESTINIAN-ISRAEL-CONFLICT

Papa: sytë e hutuar të fëmijëve përballë luftës mund të na shndërrojnë

Letër nga Leoni XIV drejtuar Marco Girardo-s, redaktor i gazetës "Avvenire" dhe lexuesve të "Popotus", shtojcë javore kushtuar më të vegjëlve, që kremton 30-vjetorin. Papa fton të mos lejohet që fëmijët të besojnë se mund t’i gjejnë në chatbot-et e inteligjencës artificiale "miqtë më të mirë" ose "orakullin e gjithë dijeve", duke dobësuar kështu "intelektin dhe aftësitë e tyre relacionale". "Për të mbetur njerëzorë, pohon, duhet të ruajmë shikimin fëmijnor mbi realitetin"

R.SH. - Vatikan

"Në këto ditë shqetësimi të madh për luftërat që kërcënojnë të ardhmen e njerëzimit", duhet t'i shikojmë fëmijët, që sytë e tyre "të përhumbur" të na çojnë në kthesën e vërtetë. E duhet të bëhemi pak më fëmijë, domethënë me "sy të pastër" për të parë realitetin në mënyrë që të "mbetemi njerëzorë". Kështu shkroi Papa Leoni XIV në një letër drejtuar lexuesve të Popotus, shtojcë javore e Avvenire-s kushtuar fëmijëve, që feston tridhjetëvjetorin e numrit të parë të 23 marsit 1996.

Rreziqet e epokës dixhitale dhe IA (Inteligjencës Artificiale)

Në letrën, drejtuar drejtorit Marco Girardo, Papa falënderon për punën e bërë në përhapjen e ngjarjeve aktuale tek fëmijët: "Ato të  mirat, që na inkurajojnë dhe ato të këqijat, që mund të na mësojnë të mos i përsërisim të njëjtat gabime". Me shikimin drejt kësaj epoke, Papa i nxit prindërit dhe mësuesit t’i mbrojnë fëmijët "nga një ide çnjerëzore e informacionit dhe edukimit".

Të gjithë, veçanërisht sot, në epokën dixhitale dhe inteligjencën artificiale, kanë nevojë për edukim gjatë gjithë jetës. Dhe për të mbetur njerëz, duhet të ruajmë një perspektivë fëmijërore mbi realitetin.

Papa bën një paralajmërim të qartë për të mos lejuar që "fëmijët të përfundojnë duke besuar se mund të gjejnë miqtë e tyre më të mirë ose orakullin e të gjithë njohurive në chatbot-et e Inteligjencës Artificiale, duke zbehur kështu intelektin dhe aftësitë e tyre relacionale, duke mpirë aftësinë krijuese dhe mendimet e tyre". “Duhet ta çmojmë fëmijërinë e tyre - nxit Papa Leoni - dhe t’i prijmë rritjes së tyre, në mënyrë që të jenë protagonistë të një bote të ripërtërirë".

Të rikthehet bukuria në botë

Në të vërtetë, "rikthimi i bukurisë në botë është i mundur", i siguron Leoni XIV lexuesit më të rinj. "Ju mund t'i ndihmoni më të moshuarit ta shohin atë - pikërisht përmes kësaj gazete të hartuar për ju – e me një habi të ripërtërirë për hirin e saj, ta mendojnë me besim dhe ta ndërtojnë pa paragjykime".

"Ndërsa rriteni - shkruan përsëri Papa, duke iu drejtuar lexuesve të sotëm dhe duke kujtuar të djeshmit, tashmë në të tridhjetat e tyre - gjithmonë do të zbuloni gjëra të reja, do të ndërtoni vetë gjëra të reja; por ka gjëra që duhet t'i çmoni gjithmonë që nga këto vite të hershme të jetës suaj: besimi tek ata që ju duan, gjuha universale e dashurisë, fuqia çarmatosëse e një buzëqeshjeje, guximi për të kërkuar falje, bukuria e bërjes së paqes.

Një shikim me sy të pastër

Papa kujton fjalët e Jezusit drejtuar dishepujve të tij: "Nëse nuk shndërroheni dhe nuk bëheni si fëmijë, nuk do të hyni në mbretërinë e qiellit". Një mesazh ende i vlefshëm sot: "Të jesh si fëmijë - thekson ai - nuk është kthim prapa, por mbajtje e një çelësi për të parë thelbin e gjithçkaje e për të gjetur përgjigje të habitshme edhe për pyetjet më të vështira".

Ndoshta vetëm duke parë në sytë e hutuar të fëmijëve përballë barbarisë së luftës, mund të bëjmë kthesë. Do të mësohemi përsëri të shikojmë njëri-tjetrin në sy e ta shikojmë edhe botën me sy të pastër.

Prej këndej, një falënderim prindërve dhe mësuesve për "kujdesin" dhe "dashurinë" në edukimin "e shokëve të vegjël të rrugës", e edhe një ftesë për t'i ndihmuar “ta nxjerrin jashtë bukurinë që e kanë përbrenda e ta shprehin në mënyra gjithnjë e më të reja, në lidhje me historinë, kujtesën, jetën. Secili sipas veçantisë së tij, që është  dhuratë nga Zoti".

22 mars 2026, 09:06