Forca "pa dhunë" e Pashkëve në thirrjet e Papës Leoni XIV për paqe
R.SH. – Vatikan
“Vëllezër dhe motra, ky është Zoti ynë: Jezusi, Mbreti i Paqes. Një Zot, që e refuzon luftën, që askush nuk mund ta përdorë për ta justifikuar luftën, që nuk i dëgjon lutjet e atyre, që bëjnë luftë dhe e hedh poshtë atë, duke thënë: 'Edhe po t'i shumëfishonit lutjet, unë nuk do t'i dëgjoj: duart tuaja kullojnë gjak'".
Kështu foli Papa Leoni XIV të Dielën e Larit. Ndërkaq, duart e atij vetë mbajtën kryqin të Premten e Madhe të Pashkëve, "shenjë e rëndësishme", siç tha vetë, e një "udhëheqësi shpirtëror në botën e sotme", i cili idealisht përqafon "nënat", "të afërmit" dhe "miqtë e të dënuarve", të detyruar "të përulen para autoriteteve për të marrë trupat e martirizuar" të të afërmve të tyre. E së fundi, thirrja që duar të pushtetshme të hedhin poshtë armët, që e gjithë bota të shndritet nga drita e mëngjesit të Pashkëve, kur vetë Ati i Shenjtë i drejtoi botës mesazhin “Urbi et Orbi” nga Lozha qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit.
“Fute shpatën në mill”
Gjeste konkrete e ndjenja të fuqishme paqeje: këto karakterizuan thirrjet e Papës gjatë Javës së Madhe, kur ai e ngriti zërin edhe një herë për fundin e konflikteve, që përshkojnë botën. Në të Dielën e Larit, në Sheshin e Shën Pjetrit, para 40.000 besimtarëve dhe 120.000 degëve të ullirit të ngritura lart për të simbolizuar paqen e botën pa dhunë të Jezu Krishtit, atyre që mbajnë në duar "shpata e shkopinj", Papa iu drejtua me të njëjtat fjalë, që Krishti i tha dishepullit të vet, kur nxorri armën për ta mbrojtur, ndërsa po e arrestonin.
“Fute shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që marrin në dorë shpatën, prej shpatës do të vdesin”.
Zoti "nuk u armatos, nuk u mbrojt, nuk bëri asnjë luftë", pohoi Papa.
“Në vend që ta shpëtonte veten, lejoi të gozhdohej në kryq, për të përqafuar të gjitha kryqet e ngritura në çdo kohë dhe vend, gjatë historisë njerëzore”.
"E mira nuk mund të vijë nga abuzimi"
Paqja e dashur nga Papa në këtë "orë të errët" për një botë "të zënë në kurth ndërmjet fuqive, që e shkatërrojnë", preku gjithë ekzistencën e njeriut. Në Meshën e Bagmit të së Enjtes së Madhe, kryesuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, Leoni XIV kujtoi se "e mira nuk mund të vijë nga abuzimi" në asnjë fushë, sidomos në atë shoqërore dhe politike.
“Pushtimi imperialist i botës ndërpritet kështu nga brenda, dhuna që deri më sot ka qenë ligj demaskohet. Mesia, i varfër, i burgosur, i refuzuar, bie në errësirën e vdekjes, por duke vepruar kështu nxjerr në dritë një krijim të ri”.
"Krishti na jep shembullin e përkushtimit, të shërbimit dhe të dashurisë"
Imazhi i tretë na paraqet gjithnjë duart e Papës, të cilat, gjatë Meshës së Darkës së Mbrame në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, lanë këmbët e meshtarëve të rinj, që ai vetë i ka shuguruar. Një gjest që, sipas fjalëve të Leonit XIV, kujton pushtetin purifikues të Zotit. Ai lan jo vetëm gjakun e derdhur në konflikte, por edhe imazhin e shtrembëruar krijuar prej tyre: "idhujtaritë" dhe "blasfemitë". Ati i Shenjtë denoncoi…
“Ata, që e konsiderojnë veten të fuqishëm kur dominojnë, ata që duan të fitojnë duke vrarë të barabartët me ta, ata që e konsiderojnë veten të mëdhenj kur të tjerët kanë frikë prej tyre. Hyj i vërtetë dhe njeri i vërtetë, Krishti, përkundrazi, na jep një shembull përkushtimi, shërbimi dhe dashurie”.
Në "gjurmët" e Krishtit
Thirrjet e Papës për paqe tingëlluan në të njëjtën valë me meditimet e shkruara nga atë Francesco Patton, ish-Kujdestar i Tokës Shenjte, në Udhën e Kryqit të kryesuar nga vetë Papa. Françeskani përshkoi rrugën e Jezu Krishtit, duke vënë ballë për ballë ata, që e besonin e ata, që e tallnin dhe e fyenin. Ashtu ndodh edhe sot me besimtarët, që ndjekin gjurmët e Krishtit, shkruan frati e kështu pohoi edhe Papa, ndërsa tha Lutjen Omnipotens të Shën Françeskut të Asizit, së bashku me rreth 30.000 besimtarët e pranishëm në Koloseum, natën e së Premtes së Madhe.
"Zoti nuk e do vdekjen tonë"
Është ende terr, por pritet agimi i Pashkëve, në vigjiljen e kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, mbushur me 6.000 vetë. Zoti "nuk e do vdekjen tonë", pohoi Papa, duke iu referuar numrit të ftohtë të të rënëve në konflikte.
“Njeriu mund ta vrasë trupin, por jeta e Zotit të dashurisë është jeta e amshuar, e cila shkon përtej vdekjes dhe të cilën asnjë varr nuk mund ta burgosë”.
Leoni XIV nxiti të krijojmë një "botë të re paqeje, uniteti", duke filluar nga dështimet e njerëzimit. Ai përmendi detin, përmes të cilit Zoti i çliroi izraelitët nga skllavëria në Egjipt. Një element, që Papa e quajti "portë" për fillimin e një jete "të lirë", por edhe "vend vdekjeje", ashtu siç ndodhi ditët e fundit në Mesdhe, ku fundosja e një barke nisur nga Libia, shkaktoi mbi 70 të zhdukur, sipas rrëfimeve të të mbijetuarve të tronditur në Lampedusa, ku Leoni XIV do të shkojë më 4 korrik.
"Zoti është gjallë dhe mbetet me ne"
Nata, agimi dhe pastaj mesha e së Dielës së Pashkëve, me 60.000 besimtarë të pranishëm. Sigurisht, e keqja nuk mund të fshihet brenda një dite: ajo "vret dhe shkatërron" e kërcënon gjithë njerëzimin:
“E shohim të pranishme në padrejtësi, në egoizmin e interesave, në shtypjen e të varfërve, në mungesën e vëmendjes ndaj më të prekshmëve. E shohim në dhunën, në plagët e botës, në britmën e dhimbjes, që ngrihet nga çdo anë për abuzimet, të cilat i shtypin më të dobëtit, ngrihet për idhujtarinë e fitimit që plaçkit burimet e tokës, ngrihet për dhunën e luftës që vret dhe shkatërron”.
Por ne mund dhe duhet t'i kushtojmë vëmendje ftesës së Pashkëve për ta "lartuar shikimin", duke gjetur një "hapësirë për jetën e re që lind" përtej varreve dhe dhimbjes.
“Zoti është gjallë dhe mbetet me ne. Përmes rrezeve të ringjalljes, që e çajnë rrugën në errësirë, Ai ia dorëzon zemrat tona shpresës, që na mbështet: pushteti i vdekjes nuk është fati përfundimtar i jetës sonë”.
"Forca me të cilën u ringjall Krishti është krejtësisht e padhunshme"
Ftesa e fundit e Papës për këto Pashkë, pasqyrohet në mesazhin e tij tradicional Urbi et Orbi.
“Po mësohemi me dhunën, dorëzohemi para saj dhe bëhemi indiferentë. Indiferentë para vdekjes së mijëra njerëzve. Indiferentë para pasojave të urrejtjes dhe përçarjes, që mbjellin konfliktet. Indiferentë para pasojave ekonomike dhe sociale, që ato prodhojnë e të cilat i ndiejmë të gjithë”.
Sepse nëse ka beteja në botë, shembulli për t'i fituar ato vjen nga Pashkët. Duar, që përqafojnë dhe që nuk mbajnë armë.
"Forca me të cilën u ringjall Krishti është krejtësisht e padhunshme".
