Papa Leoni XIV: Pashkët na hapin drejt shpresës që nuk shuhet kurrë
R.Sh. Vatikan
Duke kryesuar Meshën e së Dielës së Pashkëve në Sheshin e Shën Pjetrit me mbi 45 mijë besimtarë të mbledhur, Papa Leoni XIV shpjegoi se si i gjithë krijimi sot "shkëlqen me një dritë të re" dhe ne gëzohemi ndërsa "një himn lavdesh lartohet drejt Qiellit ... Krishti është ringjallur së vdekurish, dhe me Të, edhe ne nisim një jetë të re!"
Pashkët sjellin hare të plotë
Shpallja e Pashkëve "rrok misterin e jetës sonë dhe fatin e historisë", shpjegoi Papa, dhe madje deri edhe në humnerat e vdekjes kur ndodh të ndjehemi të ndrydhur, duke na hapur ndaj "një shprese që nuk venitet kurrë, ndaj një drite që nuk shuhet kurrë, ndaj një gëzimi të plotë që asgjë nuk mund ta dëbojë", pasi "Krishti ngadhnjeu mbi vdekjen përgjithmonë" dhe ajo nuk ka më pushtet mbi ne.
40-vjetori i tulipanëve holandezë
Kremtimi i Pashkëve u zhvillua në Sheshin e Shën Pjetrit të zbukuruar me mbi 65 mijë tulipanë, zambakë, zymbyla; 7,800 lule të llojeve të ndryshme, bashkë me mbi 1,200 gemla lulesh të tjera dhe prap degë shelgjesh me sythe që çelin.
Ky vit shënon 40-vjetorin që Hollanda i ka bën këtë dhuratë lulesh Papës për Pashkë. Nisma është promovuar nga lulishtarë dhe vullnetarë holandezë në bashkëpunim me Konferencën e Ipeshkvijve hollandezë dhe Fondacionin "Bloemenpracht Rome".
Të grishur për të përqafuar shpresën
Duke vazhduar predikimin e tij, Papa pranoi se mesazhi i Pashkëve i shpresës dhe dritës nuk është gjithmonë i lehtë për t’u pranuar, pasi fuqia e vdekjes na kërcënon vazhdimisht si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë.
Nga brenda, pesha e mëkateve tona mund të na pengojë “të ‘shpalosim flatrat’ dhe të fluturojmë” ose vuajtja mund të na bëjë të humbasim shpresën dhe “të ndihemi sikur kemi përfunduar në një tunel të cilit nuk i shihet fundi”.
Edhe nga jashtë, vdekjen e kemi çdo ditë para syve tanë – “është e pranishme te padrejtësia, tek egoizmi vetjak, te shtypja e të varfërve, te mungesa e vëmendjes ndaj më të ligshtëve”. Dhuna në botën tonë dhe plagët që ajo shkakton janë të dukshme për të gjithë, vazhdoi Ati i Shenjtë, “në britmën e dhimbjes që ngrihet nga çdo skaj i botës për shkak të shtypjes që dhunon më të ligështit në mesin tonë, për shkak të idhujtarisë së pasurimit që plaçkit burimet e tokës, për shkak të dhunës së luftës që vret dhe shkatërron”.
Ta lartojmë shikimin tonë nga Qielli, t’i çelim zemrat tona
Pashkët na bëjnë thirrje ta "ngrejmë shikimin tonë lart dhe t’i çelim zemrat tona", shpjegoi Papa, "sepse Zoti është gjallë dhe qëndron me ne".
"Nëpërmjet rrezeve të dritës që çajnë errësirën, Krishti ia beson zemrat tona shpresës që na mban: fuqia e vdekjes nuk është fati përfundimtar i jetës sonë. Ne, të gjithë, jemi të drejtuar, një herë e përgjithmonë, në rrugën drejt përmbushjes së jetës, sepse në Krishtin edhe ne jemi ringjallur".
Duke cituar disa rreshta nga Thirrja e parë Apostolike e Papë Françeskut, «Evangelii Gaudium», Papa Leoni përsëriti se ringjallja e Krishtit "nuk është një ngjarje e së kaluarës; ajo përmban në vete një fuqi jetësore që e ka përshkuar mbarë këtë botë. Atje ku gjithçka duket se ka vdekur, shenjat e ringjalljes shfaqen papritmas. Është një forcë e papërmbajtshme. Shpesh duket se Zoti nuk ekziston: përreth nesh shohim padrejtësi të vazhdueshme, të liga, mospërfillje dhe mizori. Por nga ana tjetër, është po ashtu e vërtetë se në mes të errësirës diçka e re gjithmonë lind dhe herët a vonë prodhon fryte" (nr. 276).
Një jetë e re agon për njerëzimin
Krishti i Ngjallur na jep shpresë të sigurt, përfundoi Papa, dhe të Ngjallurit e tij "na shpall se një jetë e re, më e fortë se vdekja, po agon tani për njerëzimin".
"Pashkët janë krijimi i ri që na sjell Zoti i Ngjallur; është një fillim i ri, është jeta e bërë më në fund e amëshuar nga ngadhnjimi i Zotit mbi armikun e lashtë. Ne kemi nevojë për këtë këngë shprese sot. Jemi ne vetë, të ringjallur me Krishtin, që duhet ta nxjerrim Atë nëpër rrugët e botës. Le të vrapojmë, pra si Maria Madalenë atëherë, duke ua shpallur këtë lajm të gjithëve, duke jetuar gëzimin e ringjalljes, në mënyrë që kudo që hija e vdekjes qëndron ende, të shkëlqejë drita e jetës ".
