Papa Leoni XIV me Shenjtërinë e Tij Aramin I, Katolik i Kishës Apostolike Armene - Selia e Kilikisë (@Vatican Media) Papa Leoni XIV me Shenjtërinë e Tij Aramin I, Katolik i Kishës Apostolike Armene - Selia e Kilikisë (@Vatican Media)

Leoni XIV: në Libanin e kërcënuar, të krishterët t’i forcojnë lidhjet e vëllazërisë

Në audiencën me Shenjtërinë e Tij Aramin I, Catholicos i Kishës Armene të Kilikisë, Papa kujtoi historinë e gjatë të marrëdhënieve ekumenike me Selinë e Romës dhe uroi të forcohet udha drejt unitetit: shpresoj që "dialogu do të vazhdojë me vrull të ripërtërirë" dhe se "nuk mund të ketë rivendosje të bashkimit ndërmjet Kishave tona, pa unitet në fe".

R.SH. / Vatikan

"Lidhja shpirtërore" ndërmjet Kishës së Romës dhe Kishës Armene të Kilikisë i ka rrënjët në agimin e krishterimit. Papa Leoni XIV e kujtoi këtë që në fillim të fjalimit të tij drejtuar delegacionit, udhëhequr nga Catholicos Aram I, pritur në audiencë gjatë mëngjesit të 18 majit.

Pali i Tarsit, Apostulli i Johebrenjve, ishte nga Kilikia, dhe shumë faqe të lashta historie janë shkruar nga ata, që në atë Kishë të Lindjes së Mesme punuan për unitetin e krishterë, siç është Shën Nersesi i Mëshirshëm, Katolikosi i Kilikisë, i cili - kujtoi Leoni XIV - mund të konsiderohet pionieri i ekumenizmit, ndërsa përfshirja e tij e fundit në Martirologjinë Romake është shembull i mëtejshëm i atij 'ekumenizmi të shenjtorëve' që i bashkon tashmë Kishat tona".

Uniteti me gjithë të krishterët

Një histori e një "marrëdhënie e veçantë" që niset nga Mesjeta e që njeh - kujtoi Leoni XIV - “zhvillime të reja” në kohët më të fundit, ato të Vatikanit II, i cili pa Katolikosin Khoren I, primatin e parë të një Kishe Ortodokse Lindore, duke vizituar Romën pas Koncilit, në maj 1967. Por Kilikia kujton edhe Libanin, vizituar nga Papa dhjetorin e kaluar. E kjo të sjell ndërmend një tokë "që i tregoi prej kohësh mbarë botës se është e mundur që njerëz me kultura dhe me fe të ndryshme të jetojnë së bashku, si një komb" ashtu edhe një zonë, që sot është përsëri e përfshirë nga kriza e nga dhuna.

Në një çast kur uniteti dhe integriteti i Vendit tuaj kërcënohen përsëri, Kishat tona janë të thirrura të forcojnë lidhjet vëllazërore, që i bashkojnë të krishterët jo vetëm ndërmjet tyre, por edhe me vëllezërit e motrat e  komuniteteve të tjera në atdheun e tyre të përbashkët.

Forcë e re për dialog

Pak më parë Leoni XIV i shprehu mirënjohje të veçantë Katolikos Aramit I për "zellin e palodhur" që tregoi në nivel lokal, si një nga themeluesit e Këshillit të Kishave të Lindjes së Mesme e edhe në nivelin ndërkombëtar, në Këshillin Botëror të Kishave. Por, në veçanti, kujtoi Papa, sidomos në "angazhimin personal" që tregoi për impenjimin e dialogut teologjik ndërmjet Kishës së Romës dhe Kishës Armene të Kilikisë, zhvilluar në vitin 2003 në kuadrin e Komisionit të Përbashkët Ndërkombëtar për Dialogun Teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishave Ortodokse Orientale, prej nga dolën tre  dokumente: mbi natyrën dhe misionin e Kishës, mbi kungimin në Kishën e hershme dhe mbi sakramentet.

Shpresoj sinqerisht që, pavarësisht vështirësive të fundit, ky dialog të vazhdojë me vrull të ri, mbasi nuk mund të ketë rivendosje të bashkimit ndërmjet Kishave tona pa unitet në fe.

Audienca u zhvillua në një çast bisedimesh private ndërmjet Papës dhe Shenjtërisë së Tij Aramit I, e ndjekur nga paraqitja e delegacionit armen të Kilikisë, shkëmbimi i fjalimeve dhe dhuratave, dhe së fundi, një çast i përbashkët lutjeje në Kapelën Urbani VIII.

18 maj 2026, 14:02