2026.05.11 Cappella Università La Sapienza

Në Universitetin La Sapienza, të rinjtë presin Papën: kapela është shtëpi për ne

Më 14 maj, Leoni XIV do të vizitojë universitetin romak. Studentët, që përgatiten ta presin, vënë në dukje vlerën e përvojës në Kapelën universitare, vend që është bërë një familje, veçanërisht për shumë prej atyre, që jetojnë larg shtëpisë. Don Vecchione: "Shpesh kam dëgjuar rrëfime nga të rinj, që nuk donin më të jetonin. Kisha ka një rezervë të madhe përshpirtërie. Në fund të fundit, të gjithë kërkojnë që dikush të ketë besim tek ata"

R.SH. – Vatikan

         "Jam vërtet “hype” (i emocionuar)". Zhargoni rinor vë në dukje emocionin me të cilin studentët, që frekuentojnë Kapelën e Universitetit romak La Sapienza, presin vizitën e Papës Leoni XIV paraditen e së enjtes, më 14 maj. Pikërisht këtu do të mbërrijë Ipeshkvi i Romës, në orën 10.20, për një moment lutjeje dhe përshëndetjeje për bashkësinë universitare, përpara se të shkojë në zyrën e Rektores dhe në Aula Magna, ku do të mbajë një fjalim. Kampusi kryesor i universitetit më të madh të Evropës, në sheshin me emrin e Aldo Moros, politikanit italian vrarë nga Brigadat e Kuqe, pasqyron arkitekturën tipike racionaliste të një shekulli më parë. Këtu, të rinjtë studiojnë, kryejnë kërkime, organizojnë konferenca, ekspozita dhe koncerte, admirojnë fituesit e shumtë të Çmimit Nobel, që kanë dalë nga ky universitet, bien në dashuri e, edhe luten. «Ky është një laborator zemrash njerëzore», thotë kapelani, don Gabriele Vecchione, «me 125.000 studentë nga e gjithë bota, të cilët do t’i japin formë botës së nesërme. Këtu, përpiqemi ta jetojmë fenë në një mënyrë racionale të denjë për shekullin XXI».

Kapela universitare, një shtëpi

"Ky vend po bëhet gjithnjë e më shumë shtëpi", thonë të rinjtë dhe të rejat, që frekuentojnë Kapelën. Njëra prej tyre shpjegon se gjatë programit të diplomës trivjeçare, gjeti studentë të tjerë në Kapelë, me të cilët përjetoi dëshirën për unitet të brendshëm. "Një vit më parë, - shpjegon - isha në Sheshin e Shën Pjetrit kur doli tymi i bardhë, kështu që ky Papë është i veçantë për mua, sepse e përjetova zgjedhjen e tij. Mirëpritja e tij në La Sapienza më jep vërtet shpresë, shumë shpresë për ne të rinjtë". Dikush tjetër tregon se Kapela është vendi ku vjen, kur e ndien veten keq, kur ka frikë, por edhe kur është i lumtur e kur dëshiron të gjejë shokë. Është një mënyrë për t’u ndierë në familje. Një tjetër akoma, nënvizon se “feja është porta, që të hap shumë dyer të tjera në jetë”. Studimi e feja nuk janë botë të ndara, vëren.

Një laborator zemrash njerëzore

Edukim do të thotë të nxjerrësh më të mirën nga vetja dhe të tjerët, të dalësh me mendje dhe zemër, për t'u sintonizuar me nevojat e të tjerëve. Kjo u bë, për shembull, më 4 maj, në Auditoriumin e Kapelës, si pjesë e nismave, që mbështesin 16 studentët e Gazës, të cilët marrin bursa nga Universiteti: një mbrëmje kujtimi dhe reflektimi që dhimbja e Gazës të mos harrohet kurrë. E pastaj, të martat e majit në festivalin e letërsisë bashkëkohore "Giardini d'inchiostro" (Kopshte me bojra), që promovohet nga vetë kapelani, don Gabriele Vecchione, i cili është edhe zëvendësdrejtor i Zyrës Dioqezane për Kujdesin Baritor Universitar. Gjithnjë mes të rinjve, flet me thumba, por edhe butësisht, me një stil plot dashuri, por kërkues. Shkurt, me një stil ungjillor. "Këtu, Papa do t'ia heqë përfundimisht Zotit atë shtresë luciferiane, që e bën Zotin, në një farë mënyre, garantin e luftës", deklaron ai. E vë në dukje tragjeditë e sotme: "Të gjitha luftërat për të cilat lexojmë në gazeta këto ditë janë të mbrujtura edhe me retorikë fetare. Kjo është blasfemi e papranueshme".

Në Kapelën universitare, meshtarët bëjnë gjithçka për të krijuar marrëdhënie të shëndosha ndërmjet studentëve. Kur dikush troket në derë, kërkon një bisedë pesëminutëshe, një rrëfim, një shoqërim. "Por thellë-thellë, të gjithë kërkojnë që dikush të besojë tek ata". E pikërisht këta të rinj shkon të inkurajojë Papa Leoni XIV të enjten.

12 maj 2026, 16:55