2026.05.16 Dirigenti e Dipendenti di diversi Istituti Bancari Italiani

Papa, bankave: pas numrave janë njerëzit. Mos i braktisni në dorë të algoritmeve

Duke pritur punonjësit e bankave të ndryshme italiane, Papa theksoi funksionin e tyre shoqëror. Gjatë gjithë historisë, favorizuan "ndarjen dhe rishpërndarjen e pasurisë ndërmjet individëve, bizneseve e institucioneve", por përqendrimi i kapitalit mund të çojë në "akumulim egoist, burim pabarazie e varfërie", paralajmëroi. Prandaj u bëri thirrje bankave të miratojnë "etikën e solidariteti" dhe gatishmërinë për të dëgjuar

R.SH. - Vatikan

Të vihet në qendër njeriu, gjithmonë. Leoni XIV ua rekomandoi punonjësve të disa bankave italiane, të pritur sot, 16 maj, në audiencë në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik. Papa ofroi një reflektim mbi "rolin e Bankave dhe të Shtëpive të Kreditit" në shoqëri.

Pas numrave janë njerëzit

Të themeluara për të "mbështetur sipërmarrjen dhe financat publike e private në kohë dhe kontekste të ndryshme", institucionet bankare, kanë qenë "gjatë shekujve", "në qendër të proceseve të mëdha të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror" dhe janë bërë "realitet gjithnjë e më kompleks e shumëplanësh, i aftë të ndikojë në jetën e njerëzve", vërejti Papa. Në të vërtetë, "përqendrimi i kapitalit dhe disponueshmëria e aftësive të kualifikuara" i siguruan sistemit bankar "burime të mëdha ekonomike", duke e mundësuar, pozitivisht, "të nxisë ndarjen e barabartë për mirëqenien e përgjithshme" e, negativisht, të jetë "nxitës i akumulimit egoist, burim pabarazie e varfërie". Kujtojmë se bankat "nuk analizohen kryesisht nga kapitali, por nga njerëzit", theksoi Papa, duke kujtuar se "pas numrave janë gratë dhe burrat, familjet që kanë nevojë për ndihmë". Prandaj, në botën bashkëkohore, "në të cilën niveli i lartë i kompjuterizimit të mjeteve imponon ndërmjetësime gjithnjë e më të përpunuara dhe artificiale në marrëdhëniet ndërpersonale", ndër banka është e rëndësishme "vëmendja njerëzore".

Ju jeni të thirrur të bëni në mënyrë që ata të cilët përdorin shërbimet tuaja, të mos e ndjejnë veten të braktisur nga ftohtësia e sistemeve algoritmike - sado efikase dhe matematikisht të sakta qofshin - por që pas mjeteve teknike ata perceptojnë sot, si në të kaluarën, praninë e njerëzve të gatshëm për  dëgjim dhe të dëshiruar për të mirë.

  (@Vatican Media)

Përkushtim ndaj etikës së solidariteti

Një aspekt tjetër themelor i operacioneve të bankave, është ndikimi i tyre i fortë në "evolucionin strukturor të një shoqërie" dhe në "zhvillimin e saj kulturor". Sasi të mëdha kapitali, investimesh dhe zgjedhjesh ekonomike duhet të konsiderohen instrumente për të mirën e njerëzimit.

Prania juaj është e çmuar: për t'u kujtuar atyre që shumë lehtë mbështeten në vlera thjesht materiale, duke ngatërruar në jetë qëllimet dhe mjetet, se edhe në nivelin financiar personi duhet të jetë gjithmonë në qendër dhe se "mbi atë shtyllë duhet të ndërtohen strukturat alternative shoqërore për të cilat kemi nevojë".

Angazhimi i bankave është "i gjallë dhe aktual", vëren Papa, duke dëshmuar disa nga "projektet e tyre të shumta humanitare dhe kulturore". Prej këndej, inkurajimi "për të vazhduar punën", duke ruajtur "thirrjen e organizatave të mbështetjes së ndërsjelltë dhe duke drejtuar gjithmonë" "angazhimin drejt etikës së solidariteti".

  (@Vatican Media)

Roli i operatorëve financiarë

Duke e përshkuar historinë e bankave dhe të shtëpive të kreditit, Ipeshkvi i Romës kujtoi, më pas, "fillimet", të cilat "të karakterizuara nga guximi dhe fryma krijuese, dëshmojnë për plotësueshmërinë ndërmjet kursimeve dhe investimeve, private dhe publike, për realizimin e së mirës së përbashkët e  edhe për zhvillim të fortë ekonomik". Theksoi edhe rolin e operatorëve financiarë.

Kush merret me tregun financiar jo vetëm që mund të bëjë mirë duke vepruar drejt, por edhe duke i informuar e duke i formuar njerëzit dhe mjediset në të cilat veprojnë për të përdorur burimet me mençuri dhe moralisht në mënyrë të përshtatshme, duke kombinuar ndjeshmërinë, inteligjencën dhe bamirësinë dhe duke nxitur "parametrat humanizues [...] në të cilët fitimi dhe solidariteti nuk janë më antagonistë".

  (@Vatican Media)

Një funksion shoqëror

Leoni XIV vëren edhe se institucionet financiare, në mënyra të ndryshme, favorizuan "ndarjen dhe rishpërndarjen e drejtë të pasurisë ndërmjet individëve, bizneseve dhe institucioneve, duke e bërë përdorimin e saj më të arritshëm për të gjithë dhe duke vlerësuar kontributin e secilit". Ky është "funksion shoqëror, i cili përshtatet mirë me misionin që Zoti ia besoi njeriut, për të qenë mbrojtës i krijimit" - vërejti Papa - i cili duhet ta drejtojë "çdo aktivitet njerëzor" të japë fryte, duke përdorur "me bujari dhe drejtësi" "dhuratat që Zoti fillimisht i vë në dispozicion të të gjithëve dhe duke zhvilluar me besim të zjarrtë ato farë të mirësisë të shkruara, si premtim frytdhënës, në të gjithë Krijimin".

Mbi këtë bazë, Leoni XIV i nxiti më tej institucionet bankare të qëndrojnë "besnike" ndaj "origjinave" të tyre, duke theksuar edhe një porosi përfundimtare:

Mos harroni kurrë bamirësinë; përkundrazi, bëjeni atë gjithnjë e më shumë parimin udhëheqës të zgjedhjeve tuaja programatike.

  (@Vatican Media)
16 maj 2026, 14:51