Papa Leoni XIV bekon Pishtarin e faljes e të paqes
R.SH. / Vatikan
Në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa i drejtoi një përshëndetje të veçantë grupit nga Bazilika e Shën Ritës së Cascias dhe shprehu kënaqësinë për bekimin e Pishtarit të faljes e të paqes, simbol i binjakëzimit me qytetin e Çikagos.
Ndalesa e parë e Pishtarit ishte në Unionin Teologjik Katolik në Çikago, ku Papa Prevost përfundoi studimet. Më pas, Pishtari arriti në Dolton, pranë Çikagos, vendlindja e Leonit XIV. Atje Pishtari u ndez përpara shtëpisë ku Papa lindi e kaloi fëmijërinë, në një çast me intensitet të madh simbolik. Delegacioni nga Cascia pati edhe nderin të ishte grupi i parë që vizitoi vendlindjen e Papës. Që tani Ati i Shenjtë Prevost do ta bekojë.
Pastaj, përsëri në përshëndetjet e tij në italisht, Papa i mirëpriti me dashuri pjesëmarrësit në ngjarjen e përgatitur nga Lëvizja për Etikë e Sport dhe falënderoi atletët e rinj, që shkruan një ese të frymëzuar nga aktivitetet e tyre sportive.
"Të dashur miq, ju keni një mision fisnik: të ruani shpirtin e sportit. Mos harroni se qëllimi i vërtetë nuk është fitorja materiale, por respekti për kundërshtarin tuaj, loja e ndershme dhe përfshirja e të gjithëve", përfundoi Papa.
Në përshëndetjet në gjuhën polake, Ati i Shenjtë Leoni XIV kujtoi se dyzet vjet më parë, Shën Gjon Pali II botoi Enciklikën Dominum et Vivificantem, në të cilën kujtoi se Shpirti Shenjt është “Drita e zemrave”, që na lejon ‘ta thërrasim të mirën dhe të keqen me emër'". "Ndërsa presim Rrëshajët, t'i kërkojmë Shpirtit të Zotit t’i rizgjojë ndërgjegjet njerëzore me dhuratat e tij, t'i largojë nga padrejtësia, dhuna dhe lufta dhe ta ripërtërijë faqen e tokës!".
