Papa kujton Javën Laudato Si' që zhvillohet nga data 17 deri më 24 maj Papa kujton Javën Laudato Si' që zhvillohet nga data 17 deri më 24 maj

Papa bën thirrje për mbrojtjen e tokës: kujdesi për paqen është kujdes për jetën.

Papa Leoni XIV kujtoi sot, 17 maj 2026, fillimin e Javës Laudato Si', sivjet me temë "Nga shpresa, në veprim"; e "në këtë Vit jubilar të Shën Françeskut të Asizit", kujtoi edhe "mesazhin e paqes me Zotin, me vëllezërit dhe motrat tona si dhe me të gjitha krijesat" e varfanjakut të Asizit.

R.SH. / Vatikan

“Duhet të kujdesemi për krijimin, për Planetin, sepse kjo sjell harmoni”. E kjo ishte ftesa e Papës Leoni XIV sot, 17 maj, në fund të lutjes së Mbretëreshës Qiellore në Sheshin e Shën Pjetrit, para 20,000 vetëve. Frymëzimi për Javën Laudato Si', e cila filloi sot, me temën e këtij viti "Nga Shpresa në Veprim", i nxit besimtarët dhe bashkësitë të kalojnë nga fjalët - në veprime konkrete për të mbrojtur mjedisin. "Në këtë Vit Jubilar të Shën Françeskut të Asizit", duke përmendur iniciativën, Papa Leoni XIV kujtoi "mesazhin e tij të paqes me Zotin, me vëllezërit, me motrat e me të gjitha krijesat".

Fatkeqësisht, vitet e fundit, për shkak të luftërave, progresi në këtë fushë u ngadalësua shumë. Prandaj, i inkurajoj anëtarët e Lëvizjes Laudato Si' dhe të gjithë ata që punojnë për një ekologji integrale, ta ripërtërijnë angazhimin e tyre.

E frymëzuar nga Enciklika Laudato Si' e Papës Françesku, Java me të njëjtin emër lindi gjashtë vjet më parë për të festuar përvjetorin e pestë të dokumentit "Mbi kujdesin për shtëpinë tonë të përbashkët". Propozohet çdo maj në pesë kontinente, ku organizohen nisma të ndryshme për të prekur ndërgjegjësimin e për të sensibilizuar respektin për Tokën, që Leoni XIV e inkurajoi duke zgjeruar mendimin për të përfshirë mbarë njerëzimin.

Kujdesi për paqen, është kujdes për jetën!

E nxitur nga Dikasteri i Vatikanit për Shërbimin e Zhvillimit Integral Njerëzor, Java Laudato Si' e këtij viti synon të kujtojë se ndryshimet ekologjike rriten hap pas hapi, përmes rivendosjes së marrëdhënieve, mbrojtjes së krijimit dhe forcimit të bashkësive.

17 maj 2026, 15:01