Papa dhe Ignacio përqafohen në Castel Gandolfo: "I thashë se jam shëruar”
R.SH. – Vatikan
Atë përqafim, që i mungoi në mbrëmjen e 4 gushtit, kur Papa e vizitoi në Spitalin Bambino Gesù ndërsa ndodhej në terapi intensive, i riu Ignacio Gonzálvez arriti t’ia jepte Leonit XIV mbrëmë, jashtë Vilës Barberini në Castel Gandolfo. “I thashë se, falë Zotit, jam mirë dhe se do ta pres në Madrid”, u tha ai mediave të Vatikanit, duke iu referuar udhëtimit, që Ati i Shenjtë do të bëjë në qershor në Spanjë. “Papa u lumturua shumë, mundi të më jepte një përqafim dhe unë munda ta përshëndes. Ishte një çast i shpejtë, por i bukur... Faleminderit Zotit dhe faleminderit Papës!”
Sëmundja e papritur dhe lutja e Papës
Spanjolli pesëmbëdhjetëvjeçar u shtrua verën e kaluar në Spitalin e fëmijëve Bambino Gesù, disa ditë pasi mbërriti në Romë, me vëllain dhe motrën, për të marrë pjesë në ngjarjet e Jubileut të Rinisë. Mjekët diagnostikuan një limfomë agresive të rrugëve të frymëmarrjes. Papa, pasi mësoi historinë e djalit përmes miqve të përbashkët, pati kërkuar lutje për të nga podiumi i Tor Vergatës. Mbrëmjen e 4 gushtit, i bëri personalisht vizitë në spital e përshëndeti të atin, Pedro Pablo, të ëmën, Carmen Gloria, vëllain, Pedro Pablo Jr. dhe motrën e tij, Adela. Vëmendja e Leonit XIV shkaktoi një valë lutjesh, solidariteti dhe afërsie për këtë familje nga Murcia e Spanjës.
"Faleminderit!"
Pas muajsh trajtimi, djaloshi u shërua e falënderon të gjithë për lutjet, sdomos Papën, i cioi pati kontakte të mëtejshme me familjen Gonzálvez: "I tregova për problemet e mia". Por vetëm për problemet shëndetësore, sepse, "asgjë" tjetër nuk më mungoi, siguron i riu: "Falë Zotit, gjithçka mbërriti. Një mrekulli!" Ndihma për shërimin erdhi edhe nga qielli: "Gjyshi, gjyshja, miqtë e prindërve e, edhe... Shën Kiara! Që kur u zgjova nga koma, e kam ndjerë Shën Kiarën pranë; mjekja që më trajtoi në Bambino Gesù quhet Kiara, prandaj, mendoj se Shën Kiara ka bërë diçka".
Ndihmë nga qielli dhe mbështetja e shumë shenjtorëve
Por edhe shenjtorë të tjerë, i bën jehonë e ëma. Së pari, Shën Charbel, murgu libanez i cili njihet për mbi 20.000 shërime. Papa u lut në varrin e tij gjatë udhëtimit në Bejrut. Dhe gjatë vizitës në spitalin Bambino Gesù, la një relike në pavionin e terapisë intensive. "Kërkuam ndihmë nga Shën Charbel", pohon Carmen Gloria, "e edhe nga Shën Karlo Acutis. Kërkuam ndërmjetësimin e Carmen Hernández," bashkë-nismëtares së Ecjes Neokatekumenale, në të cilën bën pjesë familja. E funksionoi edhe Provania Hyjnore, që dërgoi shumë njerëz në ndihmë, “shenjë e dashurisë së Zotit”. Një bir i shëruar, një Papë afër, qindra njerëz përreth gati për t'i mbështetur. "Gjithçka ishte një mrekulli!"
