Një pamje e përgjithshme e sheshit Shën Pjetri gjatë lutjes Regina Caeli Një pamje e përgjithshme e sheshit Shën Pjetri gjatë lutjes Regina Caeli

Papa: në epokën e IA, të nxitet komunikimi që respekton të vërtetën

Gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa kujtoi temën e sotme të Ditës botërore të komunikimeve shoqërore, titulluar "T’i ruajmë zërat dhe fytyrat njerëzore", së cilës ia kushtoi Mesazhin e 24 janarit të kaluar. Nga Papa, ftesa për të komunikuar vërtetësisht dhe për ta orientuar në këtë drejtim risinë teknologjike.

R.SH. / Vatikan

Papa Leoni XIV kujtoi Ditën e sotme Botërore të Komunikimeve Shoqërore , në përfundim të lutjes së sotme të Mbretëreshës Qiellore, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit. E themeluar gjashtëdhjetë vjet më parë me propozimin e Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, Botërore të Komunikimeve Shoqërore u projektua për të tërhequr vëmendjen ndaj "fenomenit të gjerë dhe kompleks të mjeteve moderne të komunikimit shoqëror", siç e pati shpjeguar Pali VI në edicionin e parë. Sot, Papa Leoni XIV i nxiti komunikuesit të ofrojnë informacion e shpërndarje të vërtetë të lajmeve dhe të përdorin teknologjinë në këtë drejtim.

Në këtë epokë të inteligjencës artificiale i inkurajoj të gjithë të angazhohen për të nxitur format e komunikimit gjithnjë respektuese ndaj së vërtetës së njeriut, ndaj të cilit duhet të orientohet çdo inovacion teknologjik.

"Ruajtja e zërave dhe fytyrave njerëzore" është tema e zgjedhur nga Papa Leoni XIV për këtë ditë Botërore të Komunikimeve Shoqërore, si dhe ajo e Mesazhit të shkruar për këtë rast, në të cilin Ati i Shenjtë denoncohen rreziqet e mashtrimit, të ngacmimit kibernetik dhe deepfakes dhe paralajmërohet kundër chatbot-eve mashtruese, shtrembërimeve dhe "realiteteve paralele" të krijuara nga inteligjenca artificiale.

Pikërisht për t'iu përgjigjur sfidave të paraqitura nga Inteligjenca Artificiale, dje Papa Leoni XIV miratoi, me një Reskript, krijimin e Komisionit të posaçëm ndër-dikasterial për Inteligjencën Artificiale, të përbërë nga përfaqësues të Dikastereve të Selisë së Shenjtë për Shërbimin e Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, për Doktrinën e Fesë, për Kulturën dhe Arsimin, e edhe për Komunikimin e Akademive Papnore për Jetën, Shkencën dhe Shkencat Sociale.

Duke pasur parasysh "zhvillimin e fenomenit në dekadat e fundit", "përshpejtimet më të vona në përdorimin e tij të përgjithshëm" dhe efektet e mundshme mbi qeniet njerëzore e njerëzimin", Komisioni ndërdikasterial për Inteligjencën Artificiale do të ketë detyrën "të lehtësojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin ndërmjet anëtarëve të grupit të informacionit në lidhje me aktivitetet dhe projektet, që kanë të bëjnë me Inteligjencën Artificiale, duke përfshirë politikat për përdorimin e saj brenda Selisë së Shenjtë, e duke nxitur dialogun, bashkimin dhe pjesëmarrjen".

17 maj 2026, 15:53